8 Marsi dhe përpjeket e grave muslimane për të drejtat e tyre

0

Sipas revistës së njohur Focus, për herë të parë iniciativa për përcaktimin e 8 marsit si ditë ndërkombëtare e gruas u mor në Amerike në shkurt të vitit 1909 nga partia socialiste amerikane. Deri më 1921, vende të ndryshme e festonin ditën e gruas në data të ndryshme. Vetëm gjatë konferencës së dytë të Grave Komuniste të Moskës (1921), 8 marsi përcaktohet si data e vetme  për festimin zyrtar të kësaj dite në përkujtim të manifestimit kundër Carizmit nga femrat e Shën Petërburgut.

Në shoqerinë komuniste shqiptare, 8 marsi ishtë ditë feste, hareje dhe gëzimi në kuadër të asaj se kinse komunizmi kishte vënë në praktikë idealizimin e barazisë burrë- grua dhe tashmë çdo problem i gruas shqiptare nën komunizëm ishte zgjidhur.  

Ndaj dhe kulura e protestës në këtë ditë tek ne nuk është e kultivuar ashtu si dhe në vende të tjera perëndimore. Sot, festimi i 8 marsit është i njejtë me harenë e kohërave komuniste. Jo vetëm kaq, por është shpërfytyruar në harbime kolektive dhe “leshime nga zinxhiri” për një ditë nga shumë femra shqiptare (kujtoj këtu pasqyrimet televizive për modën e re të frekuentimit të lokaleve me striptist meshkuj të cilët performojnë enkas që gratë të festojne në 8 mars festën e tyre!.

Në perëndim, këto dy festa janë të ndara, pra: festa e nënës në të djelën e dytë të muajit maj, ndërsa 8 marsi shënohet si datë simbolike për triumfin e grave në arritjen e të drejtave të tyre, dhe kjo ditë perkujtohet dhe nderohet me marshime protestash apo provokime reflektuese në dobi të forcimit të rolit të gruas në shoqëri.

Nga traditën komuniste, 8 marsi në vendin tonë është njëherazi edhe festë e Gruas edhe festë e Nënës.

Femra, në këtë rast shfaqet si nje figurë e dyjëzuar dhe për pasojë ngjall ndjenja dhe perjetime të ndryshme në këtë ditë, që nga ana tjetër bëhet e vështirë për një femër ta vendosë veten ose në harenë e përgjithshme festuese të të qënurit nënë/femer ose në vorbullën e pakënaqur protestuese për nëpërkëmbjen e saj si nënë/femër.

Me gjeste simbolike si buqeta lulesh apo një ditë festimi mes grave tentohet të shprehet dashuria për nënën një herë në vit. Nga ana tjeter kjo nuk lejon të nxirret në drite natyra e rolit më global të këtij festimi, pra protesta dhe ngritja e zërit për të drejtat e grave. Dy kontraste të thella në një ditë të vetme; gra që gëzojnë, festojnë, kërcejnë e dehen nuk mund të jenë gra që po në të njëjtën ditë protestojë për të drejtat e tyre, vetëdijesohen për pozicionin thellesisht të dobët, të diskriminuar e të shtypur në shoqërinë ku jetojnë, të bëjnë protesta domethënëse dhe të mbështesin njëra-tjetrën në forcimin e pozitave të tyre në shoqëri.

Nëse gratë ndalen, bota ndalet

Siç përmenda më lartë, 8 marsi kudo në botë nuk është një festë hareje, por një mundësi për të ngritur zërin femëror ndaj problematikave therëse që rrethojnë qënien e saj. Duke filluar nga vrasja e femrave, tek torturat fizike e psikologjike, abuzimet, dhumini nga meshkujt në familje apo në shoqëri etj. Kërkimi i vendosjes në vend të dinjitetit të gruas në mos përdorimin e trupit të saj si objekt tregtie duke filluar që nga reklamat e gjer tek shitja e trupit të saj për përfitime monetare nga tutor kriminel.

Pra, 8 marsi nuk është një festë hareje dhe gëzimi i shoqëruar nga mimoza, shishe parfumi e çokollata, por një përpjekje për vetëdijësimin e thellë të gruas në rradhë të parë dhe të gjithë shoqërisë së vendin femra nuk e ka në dhomën e skllevërve por në krye të shoqërisë. Nëse ajo ndalet, e gjithë bota ndalet.

Në këtë kontekst, femra muslimane është indiferente dhe e shkëputur nga çka ndodh për rreth me me arsyetimin se: nëna në Islam duhet të respektohet çdo çast të jetës dhe jo vetëm një ditë të vitit, nga ana tjetër nëse bëhet fjalë për të drejtat e gruas, indiferenca rritet sepse dihet se Islami i ka ofruar gruas muslimane çdo të drejtë që i duhet.

Pra, në një ditë me rezonancë kaq të madhe në globin tokësor, shumë muslimane humbin rastin e reflektimit për gjendjen e të drejtave të tyre jo vetëm në shoqërinë laike por edhe në brëndësi të shoqërisë Islame në raport me interpretimin e teksteve që i caktojnë kufinjtë e saj tokësor si Kur’ani apo tradita e Profetit a.s.

Përpjekjet e para moderne për qartësimin e rolit të femrës muslimane dhe nxjerrjes në dritë të abuzimeve dhe shtrembërimeve të teksteve fetare për ta kontrolluar shtypur dhe dominuar femrën muslimane, janë bërë nga levizjet e grave të cilat perëndimorët me pa të drejtë i kanë quajtur “Feministe Islamike” .

Ndryshe nga feministet klasike, këto zonja intelektuale besimtare, janë përpjekur me dijet e tyre të thella fetare të analizojnë padrejtesitë, abuzimet dhe shtypjet mbi gratë në shoqëritë muslimanë, shtypje kjo e cila bëhet në emër të fesë por që burimin e ka tek tradita dhe kultura vendase. Dhe puna e tyre e pa lodhur është përhapur masivisht në përpjekje për të vetëdijësuar gratë muslimane në të gjithë botën.

Një shembull ndër ligjëruesit është themeluesi i institutit për studime Islame Bayyina në Amerikë, Nouman Ali Khan, i cili me anë të analizave të thella etimologjike dhe gjuhësore të teksteve Kur’anore dhe të konteksteve të haditheve aq të përhapura ndër popullaten muslimane, po tenton të ndriçoje mbi padrejtësitë dhe abuzimet fizike e psikologjike që vazhdimisht i bëhen femrave në shoqëritë muslimane duke u justifikuar me ajete Kur’anore kuptimi i të cilave shtrembërohet qëllimisht apo nga pa dija.

Heshtja e dijetarëve musliman për fenomenet e dhunes në familjet muslimane, apo trajtimi i tyre përciptazi, abuzimin me të drejtat e gruas, shtypjes së intelektit të saj dhe kërcënimet morale e fetare për të ruajtur dominimin e mashkullit mbi femrën etiketohen prej tij si “tentativa kriminale ndaj fesë së Allahut dhe si një dëm i madh që i bëhet shoqerisë Islame.”

Përpjekjet e tij akademike për të nxjerrë në dritë të vërtetën e interpretimit të disa ajeteve Kur’anore që përdoren për të shtypur dhe dobësuar femrën muslimane, duhet të jenë një sirene alarmi të cilat të paktën t’i bëjë gratë muslimane të përpiqen të kërkojnë të vërtetën përtej imponimeve që ato i marrin si të mirqëna dhe të cilave me deshirë dhe zell u nënshtrohen.

Si duhet të veprojë femra muslimane karshi kësaj dite?

Femra muslimane, sot, duhet të bëjë përpjekje të marrë më shumë dije rreth mënyrës se si të drejtat e saj janë interpretuar nga meshkujt dhe u janë imponuar femrave. Të bëjë përpjekje të paktën për hir të së vërtetës që Allahu ka reveluar në Kur’an, për hirë të obligimit që kemi për ta njohur thellë historinë, kontekstin dhe kuptimin real të nje ajeti(verseti Kur’anor) të caktuar, për hir të ruajtjes nga padrejtesia e madhe që i bëhet interpretimit të ajeteve të tyre. Të kërkoj dije në atë çka Zoti realisht  i ka garantuar dhe e ka mbrojtur: nga dhuna fizike dhe morale, nga kontrolli dhe mohimi i lirise se saj fizike dhe të fjalës, nga mohimi i të drejtës për t’u shkolluar apo për të shfaqur vlerat dhe  talentin e saj, dhe çka është më e tendesishmja, te ruhet nga rreziku i legjitimimit të dhunës që mund të ushtrohet mbi të me argumente fetare.

E kemi për detyrë të zgjerojmë horizontin tonë të dijes dhe mbrojmë të drejtat tona, veten tonë, të vajzave, motrave dhe bijave tona përballë çdo abuzuesi të çdo lloji.E Allahu është forca jonë

Vajada Keçi Manjani

Vajada Keçi Manjani

Autorja prej vitesh jeton në Itali. Është diplomuar në Universitetin e Brescias për Ekonomi dhe Biznes dhe ka një master në "International Commerce" pranë Universitetit të Padovas.
Vajada Keçi Manjani

LEAVE A REPLY