Një nga pishmanet më të mëdha që njerëzit kanë kur plaken është se nuk udhëtuan mjaftueshëm kur ishin të rinj, kur kishin shëndet dhe kohën e lirë për ta bërë këtë. Udhëtimi është një përvojë jashtëzakonisht e dobishme e cila nëse bëhet me qëllimin e duhur, mund ta pasurojë jetën tuaj. Pavarësisht nëse është një udhëtim i gjatë apo i shkurtër përfitimet kryesore të udhëtimit për muslimanët mund të listohen:
1. Dëshmon sesa të pavlera janë paratë.
Pasi të filloni të udhëtoni shpesh, do të kaloni nëpër duar monedha të panumërta dhe do të shihni se si në fund të gjitha do ju duken si monopol. Do të kuptoni se paratë që jeni duke shkëmbyer vazhdimisht nuk kanë vlerë të brendshme; është vetëm një letër të cilës njeriu i ka caktuar një vlerë. Kjo është një kujtesë e thjeshtë se ne nuk duhet të lidhemi ngushtë me begatitë që na ka dhënë Allahu.
2.Jini një ambasador i Islamit
Kur udhëtojmë, veçanërisht në vendet me shumicë jo myslimane, ne përfaqësojmë fenë dhe mënyrën e jetesës (kjo është veçanërisht e dukshme nëse ju apo shoqëruesja juaj e udhëtimit mban hixhabin). Islami u përhap me tregti, jo me shpatë. Njerëzit u tërhoqën në besimin tonë për shkak të mesazhit të thjeshtë të një Zoti, moralit dhe etikës së fortë të tij. Gjatë udhëtimit, ne kemi mundësinë të kalojmë kohë të gjatë me njerëz nga e gjithë bota – jo duke predikuar fenë por thjesht duke qenë vetvetja . Një i ri nga Peruja dikur na tha se kurrë nuk kishte takuar një musliman më parë por pasi u njoh me ne, gjithmonë do të mbajë mend se muslimanët janë njerëz me besim të fortë dhe karakter të mirë. Veprimet flasin më shumë se fjalët.
3. Mëso dhe rritu
Ndonjëherë, ngecim në të njëjtën rutinë çdo ditë pa e kuptuar. Udhëtimi ndihmon në ndryshimin e rutinës, mpreh këndvështrimin dhe zgjon kureshtjen tonë të brendshme duke na ofruar eksperienca të reja “për herë të parë”. Gjithashtu ju jep ide që mund t’i merrni në vendin tuaj. Udhëtimi ndihmon të jini më largpamës dhe ju edukon përtej asaj që keni mësuar nga shkolla ose lajmet.
4. Përballuni me frikën tuaj
Zakonisht jemi të prirur të kemi frikë vetëm nga ajo që nuk e kuptojmë. Udhëtimi ju ndihmon të kapërceni atë ankth dhe të filloni të jetoni. Siç thonë: “Jeta fillon në fund të zonës suaj të rehatisë.” Udhëtimi ju fton në mundësinë që të humbni dhe të përballeni me frikën tuaj të panjohur. Në fund, do të kuptoni se bota nuk është aq e frikshme sa media e portretizon atë.
5. Mësimet e Jetës
Kur udhëtoni, nuk mund të mblidhni të gjitha gjërat personale dhe t’i merrni me vete. Duhet të paketoni vetëm gjërat që kanë rëndësi për ju. Ne kemi jetuar shumë herë për disa muaj vetëm me një çantë shpine dhe kemi kuptuar se udhëtimi është një metaforë e asaj që do të jetë e ardhmja. Kur të vdisni, do të leni gjithçka prapa – paratë, makinat, shtëpitë, punën tuaj, ëndërrat dhe do merrni vetëm gjërat më të rëndësishme: veprat tuaja të mira. Buzëqeshja që i dhatë shitësit, mirësjellja që treguat kur hapët një derë për dikë, bamirësia që ia jep atij lypësi në rrugë – kjo është ajo që do të marrësh në varrin tënd .
6. Dëshmoni madhështinë e ummetit tonë
Nga periudha e artë e Spanjës Islame deri në halifatin e Perandorisë Osmane, muslimanët kanë një histori të pasur dhe magjepsëse. Kur vizituam Fes-in, në Marok, pamë Universitetin e al-Kaavijevit, që është universiteti më i vjetër në botë i ndërtuar nga një grua muslimane. Është gjithashtu e mrekullueshme të shihet sa shpejt Islami u përhap në të gjithë globin – një testament i qartë për mesazhin e tij të thjeshtë, të bukur dhe unifikues. Vetëm 20 vjet pas vdekjes së Profetit Muhammed (a.s), Islami mbërriti në Kinë dhe një xhami u ndërtua për ta nderuar këtë rast. Sot, Xhamia e Madhe e Xi’an është xhamia më e madhe në Kinë, dhe lagja përreth muslimanëve është e populluar nga pasardhësit e tregtarëve të Rrugës së Mëndafshit. SubhanAllah, ndikimi i Islamit në të gjithë globin është frymëzues dhe ndërton një ndjenjë të fortë të unitetit brenda nesh.
7. Dëshmoni Vuajtjen e Umetit tonë
Udhëtimi do t’ju bëjë mirënjohës. Shumë mirënjohës. Mirënjohës për strehimin tuaj, mirënjohës për rehatinë, madje edhe mirënjohës për shqetësimet tuaja të vogla dhe problemet në botë. Disa nga vendet muslimane janë vendet më të varfëra të botës dhe shumica e njerëzve mbijetojnë me më pak se një dollar në ditë. Bëj diçka të ndryshme dhe në vend të dhurimit online në një organizatë bamirëse, merr kohë për të dhënë personalisht zekatin / sadakanë tek një person në nevojë dhe për të parë reagimin e tij ose të saj. Kjo do të ruajë përulësinë dhe në të njëjtën kohë do të ngrejë statusin tend tek Allahu.
8. Dëshmoni Bukurinë e Tokës
Allahu krijoi gjithçka në Tokë për një arsye. Shumica prej nesh kapen në grackën e jetës ku jetojmë dhe rrallë herë dalim të shohim bukuritë natyrore. Oqeanet, malet, yjet, perëndimet e diellit … këto janë të gjitha shenjat e madhështisë dhe përsosmërisë së Allahut. Kur i listojmë të gjitha këto mrekulli kuptojmë sesa të vegjël jemi ne dhe sa pak vend zejmë në këtë tokë. Më kujtohet udhëtimi në Argjentinë ku dëshmuam me sytë tanë mbulesën më të bukur që ekzistonte; atë të yjeve natën. Një pamje që s’e kishim parë kurrë më parë.
9. Takoheni me vëllezërit dhe motrat tuaja dhe dëshmoni mirëdashjen e tyre
Ndonjëherë ne kapemi në qarqet tona pa e kuptuar atë. Udhëtimi ju ndihmon të dilni nga ajo flluskë dhe të takoni njerëz të ndryshëm – njerëz të cilët janë kureshtarë, të ngrohtë, të sinqertë dhe të mirë. Pas namazit të së premtes në Safi, Jordani, një vëlla nga xhamia na ftoi në shtëpinë e tij për të ngrënë drekë. Ne u takuam me gjithë familjen e tij të mrekullueshme dhe kur u larguam na dhuroi një Kur’an. U preka shumë nga bujaria e tij. Udhëtimi rikthen besimin tuaj në njerëzimin dhe bën të kuptoni se jemi të gjithë në të njëjtën varkë së bashku. Të gjithë duam paqe, stabilitet, siguri dhe, mbi të gjitha, të jemi të dashur dhe të pranuar nga të tjerët. Njerëzit e ftohtë, islamofobët, bigotët dhe racistët zakonisht nuk ndërveprojnë me pjesën më të madhe të botës jashtë vendit ku ata rriten dhe kanë miq vetëm të së njëjtës rracë. Ndaj le të njohim të gjithë njëri-tjetrin dhe të sjellim paqe në këtë botë.

LEAVE A REPLY