Aishja (Zoti qoftë i kënaqur me të) ka qenë një ndër gratë më të mira. Ajo ka pasur një status të rëndësishëm te Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të). Madje ka qenë e vetmja ndër gratë e Profetit që e ka parë Xhibrilin në formën e tij njerëzore. Ka qenë shumë e devotshme dhe grada e saj e besimit kishte arritur të formësonte të gjithë jetën e saj në mënyrë të paimagjinueshme. Shumë transmetime tregojnë se kalonte orë të tëra në namaz dhe dhikër duke qarë për të Lartmadhëruarin. Edhe pasi ndërroi jetë Profeti, ajo zgjodhi një jetë askete. Aishja ishte gjithashtu shumë e bukur, e dashur dhe zemërmirë. Mbi të gjitha ishte dhe shumë modeste.

Aishja ishte një ndër dijetaret më të mira të kohës së saj. Ishte një ndër tre gratë hafize të Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të) së bashku me Hafsan dhe Ummu Selemen.  Gjithashtu, ajo kishte njohuri të mira në tefsir dhe në hadith . Aftësia e saj memorizuese ia mundësoi që të ishte një ndër dijetaret e hadithit me një numër të konsiderueshëm krahasuar me të tjerët që jetuan në kohën e Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të). Sipas disa historianëve, ajo kishte një kujtesë vizuale dhe dëgjuese shumë të mprehtë. Mund të ritransmetonte ligjërime të ndryshme ashtu siç i kishte dëgjuar për herë të parë. Falë saj na kanë ardhur shumë hadithe që kanë lidhje me marrdhëniet bashkëshortore dhe jetën familjare të Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të). Ndër dije të tjera ka pas kultivuar edhe njohuri mbi gjinekologjinë e mjeksinë në përgjithësi, por edhe në gjuhë dhe letërsi arabe kryesisht poezinë gojore, e cila ka qenë në lulëzimin e saj në gadishullin arabik të shekullit të shtatë.

Sahabët këshilloheshin gjithmonë me të dhe një ndër nxënësit e saj më të sjellshëm ka qenë nipi i saj Uruah ibn Zubejri (Zoti qoftë i kënaqur me të) i cili me pas u bë një ndër dijetarët më të mëdhenj të kohës së tabiinëve.

Mirëpo, kur konsiderojmë statusin, arritjet dhe suksesin e saj, duhet të theksojmë një fakt shumë të rëndësishëm: ajo nuk e gëzoi kurrë statusin e të qenurit nënë.

Në shoqërinë  e sotme kjo prirja për të venë çiftet nën presion për të pasur fëmijë është një risi që në kohën e Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të) nuk ekzistonte. Barku i femrave ka qenë puna vetëm e tyre dhe jo e të gjithë komunitetit apo bashkësisë islame. Po, është e vërtetë: jemi të këshilluar që të bëjmë sa më shumë fëmijë që të shtohet numri i besimtarëve me të cilët Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) do të krenohet. Është e vërtetë gjithashtu se një ndër arsyet kryesore të martesës është riprodhimi. Mirëpo, llogjika se qëllimi i vetëm i një femre është të bëhet nënë dhe se mos pasja fëmijë e bën atë më pak femër është tërësisht e gabuar dhe shenjë e një injorance të theksuar. Ky lloj mentaliteti tregon për një prapambetje mendësore.

Fatkeqësisht kjo lloj mendësie mbizotëron shoqërinë tonë si në mënyrë të drejtëpërdrejtë ashtu dhe të tërthortë duke e lënë një muslimane, e cila nuk ka pasur mundësi të bëhet nënë qoftë për shkak të ndonjë dështimi, shterpësie apo pamundësie për t’u martuar, të ndihet më pak muslimane, më pak e plotësuar dhe më pak e afirmuar në shoqëri.

Nuk duhet të harrojmë se shembuj femrash të tilla ka plot në historinë islame. Asia, gruaja e faraonit, ka qenë e shterpë gjithashtu, ndërkohë që ajo është një ndër katër gratë më të mira të njerëzimit. Sarah, gruaja e Ibrahimit, të Dashurit të Zotit, gjithashtu kalo një jetë si e shterptë, njësoj si gruaja e Zekerias a.s, e të dyjave u dhuroi një fëmijë në moshë të vonë.

Ndërsa gjatë kohës së Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të), Aishja dhe Sauda nuk kanë patur fëmijë, ndërsa Umu Selemeh ka pasur fëmijët e saj më burrin e parë dhe ka zgjedhur mos të ketë fëmijë me Profetin (paqja e Zotit qoftë mbi të), zgjedhje e cila mund të konsiderohet si një infertilitet i dytë.

A kanë qenë këto nëna të besimtarëve nën presion për të bërë fëmijë, për të risjellë prapë fëmijë të tjerë? A janë pyetur ato pse nuk po i dhurojnë një fëmijë njeriut më të mirë të njerëzimit? A i kanë shtrënguar ata vetullat e tyre duke pyetur si kanë mundësi që ende janë të martuara (dhe burri nuk i ka ndarë sepse nuk kanë pasur mundësi ose kanë zgjedhur mos të bëjnë fëmijë?) Përgjigjia është e lehtë: jo! Bëhet fjalë për një gjeneratë njerëzish të cilët i respektonin gratë dhe motrat e tyre dhe gjithashtu përshtateshin me shumë thjeshtësi normave shoqërore në përputhje me atë çfarë kishte përcaktuar Zoti. Falë Zotit ata jetonin në një shoqëri e cila nuk i paragjykonte dhe as i bënte të ndiheshin më pak të arrira vetëm sepse nuk kishin fëmijë dhe kuptuan gjithashtu se mëmësia është vetëm një mënyrë për të adhuruar Zotin dhe për t’ju përkushtuar atij ashtu siç ka plot rrugë dhe mënyra të tjera.

©Muslimania.al

LEAVE A REPLY