Muslim kid praying inside mosque

Nga Sara Hejazi

Ramazani sapo ka filluar për miliona besimtarë muslimanë në mbarë botën,prej të cilëve 26 milion në Europë, por agjerimi është një trajektore e përbashkët e shumicës së traditave fetare, për arsye të caktuara.

Natën e 5 majit nisi muaji islam i agjërimit, i cili do të zgjasë deri më 4 qershor.

Agjërimi është një ndër 5 shtyllat e islamit dhe për pasojë është i obligueshëm, vetëm në rastet kur është e pamundur për arsye shëndetësore( për shembull të sëmuret me diabet) ose gjendje e caktuar fizike (shtatëzani, gjidhënie, menstruacione etj).

Ju tingëllon si shumë ekzotike e gjitha kjo? Në fakt nuk ekziston fe e cila nuk parashikon ndonjë formë agjërimi, e për pasojë ndonjë formë festimi për të ndërprerë mundimin e të mos ngrënurit(edhe të pirit në rastin e Islamit) për orë të tëra.

Antropologjia fetare është shkenca e studimit të feve në marrëdhënie me institucionet e tjera shoqërore, si dhe krahasimi i praktikave fetare përmes kulturave të ndryshme.

Ashtu sikurse nuk ekziston bollëk pa mungesë, nuk mundet të ekzistojë as agjërim pa ngrënie. Të gjitha fetë e kanë në njohjen e tyre këtë gjë dhe e kanë përdorur në mënyrën e tyre: ka fe që e kanë agjerimin si shtyllë të saj (Islami),ka që e kanë agjerimin si shlyerje mëkatesh (Krishtërimi dhe Hebraizmi), një tjetër fe e përdor si ushtrim shpirtëror(Budizmi), ka që e praktikojnë si formë meditimi(Hinduizmi),ose si formë detyrimi ndaj Zotit (Totemizmi).

Pra me pak fjalë agjërimi ka patur për të gjitha fetë rolin e disiplinës, ushtrimit, lidhjes mes besimtarëve, adhurimit, përqëndrimit, akt devotshmërie. Dhe kjo është për sa i përket anës shpirtërore të agjërimit. Ja që edhe aty ku feja nuk ka të bëjë, agjërimi gëzon një lloj fame: është tashme e modës agjërimi si formë e ndërmjetme mes dietës për dobësim dhe përpjekjes mendore.

Kështu,duke parë përhapjen e gjerë të të agjëruarit në një shkallë të lartë dhe kontekste dhe epoka historike kaq të ndryshme, mos duhet të kete ndoshta edhe ndonjë rol praktik?

Sipas antopologëve, origjina e tij humbet në kohë të hershme, ose më mirë le të themi 13 milion vite më parë, kur qenia njerëzore ishte e aftë të merrej me agrokulturë dhe rritje kafshësh.

Para kësaj vështirë të gjehej një mënyrë për të organizuar agjërimin kolektiv. Nuk ishte e nevojshme. Agjërohej detyrimisht nëse nuk gjehej asgjë për të ngrënë.

Por pasi njerëzit mësuan të punojnë tokën si dhe të rrisin kafshë, mësuan për herë të parë të njohin bollëkun nga një anë dhe urinë nga ana tjetër.

Nëse fetë flasin rreth të përtejshmes, ato në fakt flasin shumë dhe për gjera të prekshme, që përfshjnë përditshmërinë.

Të gjitha fetë japin një shpjegim rreth konceptit të fatit dhe sprovave, madje disa herë, si në rastin e agjërimit, transformojnë urinë në një mundësi të rritjes shpirtërore, adhurimit dhe bashkërendimit kolektiv.

Ja pra që agjërimi mund të konsiderohet si një formë e ushtrimit praktik për t’iu përshtatur momenteve kur na mungon diçka dhe për t’u mësuar me idenë se të pasurit e gjërave të bollshme nuk është një konstante e pafundme, por është një cikel, siç janë ushqimet që njeriu i kultivon.

Agjërimi tek fetë vjen si një përkujtim i një kohe në të cilën kemi njohur të mbledhurit e  rezervave me shumicë, por kemi njohur edhe faktkeqësitë dhe shkatërrimet e rezervave ushqimore dhe epidemitë si rrjedhojë e mungesës së kësaj disbalance.

Sigurisht, tani që në supermarkete ushqimet duken që nuk kanë kurrë mbarim, ja pse Ramazani tingëllon kaq ekzotik. Nuk kemi më nevoje t’i përshtatemi cikleve të mungesës së ushqimit sepse gatishmëria e ushqimeve duket se na shoqëron përherë.

Por edhe pse agjërimi nuk ka më perdorimin praktik të dikurshëm, është interesant fakti se si ai vazhdon të luajë rolin e tij social dhe shpirtëror. Mbase për arsyen se, në fund të fundit, ne njerëzit jetojmë në sajë të ushqimit, ajrit dhe ujit, si dhe në të njejtën masë, ndërtojmë jetën mbi simbole, ide dhe besime që përbëjnë thelbin e shpirtit tonë.

Përktheu: Albana Çelepia

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.