Ajo anë e udhëtimit që të ndryshon jetën …

0

Gjithmonë flitet për udhëtimet dhe eksperiencat jashtë vendit: për vështirësitë e përshtatjes me jetën e re, burokracitë përmes të cilave kalon, të zënit një shoqëri të re, të pasurit kujdes nga një botë e panjohur, të përshtaturit me kulturën dhe mentalitetin vendas si dhe pjesa më e dhimbshme ajo e lamtumirës, por që në fund të fundit pajtohesh me ngushëllimin se “do të vinte dhe kjo ditë”.

Rrallë flitet për atë anë –në të shumtën e rasteve negative- të një udhëtimi që ta ndryshon jetën përgjithmonë.  Bëhet fjalë për udhëtime për një qëllim të caktuar dhe jo për pushime relaksuese.

Shkon të shëtisësh botën, të provosh gjëra të reja, të zbulosh kultura të reja dhe të takosh njerëz të rinj. Dha ja, e pësove! Jeta jote ndryshoi përgjithmonë! Të gjithë shprehin në mënyrat e tyre emocionet para udhëtimit, aventuarat gjatë udhëtimit si dhe momentet e trishta të ndarjes dhe lamtumirës… Po për kthimin në shtëpi përse nuk flitet? Sepse është njësoj sikur të kesh shkuar diku për të mësuar një gjuhë të huaj të cilën nuk mund ta përdorësh në vendin tënd sepse askush nuk do të të kuptonte. Ndihesh e frustruar sepse mënyra jote e të llogjikuarit, ëndrrat e tua dhe çdo gjë që ka vlerë për ty ka ndryshuar dhe kur mundohesh t’ua shpjegosh të tjerëve këtë të shohin çuditshëm dhe rrallë kush të kupton. Ditët e para ndihesh plot vullnet dhe motivim për të bërë ndryshime, për të përmisuar gjëndjen dhe për të dhënë kontributin tënd. Në fillim e gjithë vëmendja është tek ti që ke plot gjëra për të thënë dhe shumë histori për të rrëfyer. Mjaftojnë disa ditë apo pak kohë dhe kjo “atmosferë magjike” venitet. Të gjithë i rikthehen përditshmërisë dhe rutinës së tyre. Ndërsa ti, e gjen veten aty kot. Që nuk di çfarë të bësh dhe nga t’ia nisësh.

Pasi i ke kryer të gjitha vizitat dhe qokat që kishe për të bërë dhe që të ishin grumbulluar prej kaq kohësh, të gjithë mësohen me praninë tënde “ketu” dhe ia nisin pyetjeve: – He, çfarë plani ke tani? A ke filluar të kërkosh për punë? Kur do të martohesh? Kur do mendosh të bësh fëmijë? Me çfarë po merresh? Dhe ty fillon të duket vetja kot. Si njeri pa perspektivë që nuk arrin të përshtatet me asgjë dhe me askënd. Fillon dhe shan e mallkon çdo gjë të vendit tënd. Ankesat nuk kanë të mbaruar dhe fillon të ndjesh një boshllëk brenda teje. Ndihesh e humbur, e acaruar. Fillon dhe krijon një përditshmëri tënden, por nuk kalon shumë kohë dhe fillon e ndjen nevojën për të udhëtuar përsëri. Nevojën për të ndryshuar ambient. Për t’u rikthyer atje ku të gjithë flasin të njëjtën gjuhë dhe kuptohesh nga të gjithë: dhe nuk e kam fjalën për gjuhën mëmë apo për ndonjë gjuhë ndërkombëtare, por për “gjuhën e udhëtarëve”. Atje ndihesh si në shtëpinë tënde ndërsa në shtëpinë tënde dhe në vendin tënd ndihesh e huaj. Është si të kesh blerë një biletë vetëm vajtje. Sikur të kesh udhëtuar drejt hënës dhe se kurrë më s’ke për të shkuar aq larg dhe lartë, madje dhe njerëzit të trajtojnë sikur vjen nga një planet tjetër.

Kjo s’do të thotë që duhet hequr dorë nga të udhëtuarit pikërisht për të evituar këtë gjëndje. Gjendje të tilla në jetë të pjekin dhe të shkundin nga vendi për të kuptuar se kush je dhe çfarë dëshiron të bësh në jetë. Dhe kur arrrin në këtë pikë fillon të ringjallesh. Është e vërtetë që ndryshimi është i paevitueshëm por sa rëndësi ka për ne se sa e kuptojnë të tjerët këtë ndryshimi dhe se sa arrijnë të na kuptojnë?

Mund t’i ruash udhëtimet në kujtimet e tua si një thesar të cilin mund ta hapësh kur të duash në momentin e duhur dhe me personin e duhur. Vetëm ne mund ta kuptojmë se cilat janë qëllimet tona në jetë dhe cilat janë talentet tona dhe “takati” ynë dhe të gjitha këtyre mund t’u japim drejtimin e duhur. Dhe aty fillojnë sfida dhe aventura të reja. Vjen një moment në jetë që, pasi “ke zënë rrënjë”, duhet që tashmë mos ta përshtasësh veten për hir të udhëtimeve, por ta përshtasësh udhëtimin ndaj vetes dhe përgjegjësive të tua. Udhëtimet mund të jenë më të shkurtra dhe më të kufizuara, po kjo s’ka aspak rëndësi. E rëndësishme është: të gjendet prehja shpirtërore, të arratisurit një herë në kaq kohë për të rimarrë atë rimbushjen me bateri që na duhet për të ecur para.

Mendoj se mbi të gjitha ia vlen eksperienca, falë filozofisë së çmuar që mbart të udhëtuarit në vetvete: si të kuptuarit se në këtë botë jemi udhëtarë, se asgjë nuk është e përhershme, se ndarjet janë pjesë e jetës dhe se jemi të gjithë të njëjtë dhe të barabartë.  Çdo kush duhet ta përjetojë të paktën një udhëtim në jetë. Asgjë nuk ta fal atë eksperiencë fantastike të të zbuluarit të botës përreth dhe të ngjyrave që e karakterizojnë atë.  Të udhëtuarit është të mësosh, të zbulosh dhe të rritesh përmes eksperiencave dhe në fund të fundit të kultivon një ndjenjë mëshire ndaj çdo gjëje dhe çdo kujt, e nga ana tjetër të bën më falënderues për mirësitë që i ke.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.