Përse jeta me adoleshentët na duket kaq e vështirë, e lodhshme dhe sfidë e llojit “tërhiq e mos e këput”? Si është e mundur që për adoleshentët, ata që gjithmonë e kanë gabim janë prindërit? Letra në vijim është shkruajtur nga Gretchen L. Schmelzer, një psikologe dhe shkrimtare Amerikane:

I dashur prind,

Do kisha dëshiruar të të shkruaja këtë letër. Në këto momente ne jemi në mes të një grindjeje. Sikur ta dije se sa nevojë kam për këtë. Kam nevojë për këto beteja. Nuk di si të ta shpreh këtë gjë e gjithsesi s’do të kishte kuptim ajo ç’ka do të të thoja. Por unë kam nevojë për këtë luftim. Aq shumë nevojë! Tani, kam nevojë të të urrej dhe kam nevojë që ti t’i mbijetosh kësaj urrejtje. Kam nevojë që ti mbijetosh urrejtjes sime ndaj teje dhe urrejtjes tënde ndaj meje. Kam nevojë për këtë konflikt edhe pse nuk e pëlqej dhe e përbuz. Madje nuk ka rëndësi as se për çfarë po zihemi: qoftë për orarin e kthimit në shtëpi apo per detyrat e shtëpisë, për rrobat e pista apo për dhomen time që është gjithmonë rrëmujë. Të dal, të rri në shtëpi, të iki fare nga shtëpia, të jetoj në familjen tonë, të mos kem miq, të kem miq të këqinjë: nuk kanë aspak rëndësi. Kjo sepse unë kam nevojë të luftoj me ty rreth këtyre gjërave dhe kam nevojë që ti të luftosh me mua.
Kam aq shumë nevojë që ti të mbash anën tjetër të litarit. Që të kapesh fort pas saj teksa unë shkund anën time ndërkohë që kërkoj të jetoj në këtë botë të re në të cilën po hyj. Më parë e dija me saktesi se kush isha, se kush ishe ti dhe kush ishim ne. Por tashmë nuk e di më. Në këtë moment po kërkoj kufinjtë e mi dhe ndonjëherë i gjej ato kur tërheq këtë litar. Kur shtyj në limit gjithçka që njoh. Atëherë unë ndiej se egzistoj dhe të paktën për një minutë arrij të marr frymë. Eh, e di që të mungon kaq shumë ai fëmijë i ëmbël që isha dikur. E di, sepse edhe mua më mungon ai fëmijë dhe, shpesh, kjo nostalgi gjithçka e bën kaq të dhimbshme për mua.
Kam nevojë që të më duash edhe në këtë moment kaq te keq, edhe kur duket se nuk të dua. Kam nevojë që ti të duash veten tënde dhe qe të na duash të dyve, për të dy.
Nëse deshiron të qendrosh me miqtë e tu të rritur për të bërë një grupim për mbështetje reciproke “se si t’i mbijetosh një adoleshenti”, bëje, s’ka gjë. Apo të flasësh keq për mua mbrapa krahëve me mamat e tjera, s’ka problem. Mjafton që të mos heqësh dorë prej meje, të mos heqësh dorë nga ky konflikt.
Ky çast do të më mësojë se hija ime nuk është më e madhe se drita ime; do të më mësoje se ndjenjat negative nuk nënkuptojnë fundin e një lidhjeje; do të më mësoje se si të degjoj veten, edhe kur jam një zhgënjim për të tjerët.
Ky konflikt do të mbarojë dhe si çdo stuhi, do të zhduket. Unë do harroj, dhe ti do harrosh.
Eh, e di që për këtë mundin tënd nuk do të të falënderoj kurrë dhe as që do ta vlerësoj atë. Madje, mund edhe të të kritikoj për të gjithë këtë punë të vështirë që po bën. Do të të duket se ç’do gjë që ti bën nuk është e mjaftueshme. Unë mbështetem totalisht tek aftësia jote për të qëndruar në këtë konflikt. S’ka rëndësi sa shumë unë polemizoj, se sa shumë unë ankohem, se sa shumë unë zhytem në heshtjen time.
Të lutem, qëndro në anën tjetër të litarit, mbaje fort atë. Kjo është gjëja më e rëndësishme që dikush do të bënte për mua sot.
Me dashuri,
adoleshenti yt.

LEAVE A REPLY