Është vërtet mbresëlënëse se si historia mund të na befasojë në çdo kohë. Ndërkohë që shkencëtarët po punojnë për të gjetur nëse vërtet të gjithë njerëzit kanë një person binjak diku në botë, dy qytete duket se e kanë gjetur binjakun e tyre!

Po, qytetet “Kardes/vëllezër”, Amasya dhe Berati kanë shumë më tepër të përbashkëta se çdo person do të mund të mendonte ndonjëherë. Të vendosur në dy vende të ndryshme, në dy kontinente të ndryshme, (njëri në Azi dhe tjetri në Evropën juglindore), 827 milje larg, duke ndarë sëbashku “trashëgiminë kulturore botërore” aty ku historia, natyra dhe kultura janë ngulitur dhe kanë formuar një mozaik.

Të dy qytetet, datojnë që në kohët e lashta, të rrethuara nga shkëmbinjtë e lartë ku depërton lumi i gjallë mes tyre. Ata dëshmojnë mijëra vjet luftë, qytetërime, perandori botërore që flasin nëpër rrënoja, një tunel kohe që udhëton nëpër histori.

Në vitin 2017 të dy qytetet kanë bërë një marrëveshje “binjakëzimi” e nënshkruar nga kryetarët e të dy bashkive përkatëse. Marrëveshja parashikon fusha të ndryshme të bashkëpunimit, duke përfshirë ekonominë, kulturën, turizmin, arsimin, shërbimet sociale, ndarjen e përvojave.

Qytetet “kardes” ndajnë shumë ngjashmëri në kuptimin e vlerave arkitektonike dhe historike duke u takuar kështu në kronologjinë e historisë, folkloret, shtrirjen urbane, si dhe në gjuhën e arkitekturës, veçanërisht në shtëpitë prej druri.

Amasya i mirënjohur me emrin “qyteti i princave’ është një nga vendbanimet më të vjetra të Anadollit. Studimet arkeologjike tregojnë se historia e qytetit shkon prapa 7500 ose 5500 vjet para Krishtit. Gjatë gjithë kohës, Amasya ka qenë shtëpi e një numri të madh civilizimesh që janë vendosur para turqve, si Hitejtë, Frigjianët, Kimmerianët, Med-Persët dhe Pontusët. U morr nga romakët dhe më vonë nga bizantinët, duke shërbyer si një qendër e rëndësishme ushtarake. Turqit Selxhuk u zhvendosën në shekujt e njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë, fillimisht duke zënë bregun jugor të lumit. Në 1386 ajo u mor nga Sulltani Bejazidi dhe u përfshi në Perandorinë Osmane.

Nga ana tjetër jeta e Beratit(qyteti i njëmijë dritareve” nisi si një vendbanim ilir në shekullin e 6-të B.C. Në vitin 1912 Berat lulëzoi nën kontrollin osman, u ndërtuan shumë xhami dhe lagje banuese, duke zgjeruar kufijtë e qytetit drejt lumit dhe duke krijuar një zonë në qendër të qytetit.

Për të dy vendet si Turqinë ashtu dhe Shqipërinë tregimet dhe legjendat zenë një vend të rëndësishëm në folklorin e tyre, dhe trashëgohen nga një brez në tjetrin. Amasya dhe Berati kanë një pikë tjetër takimi me njëri-tjetrin. Të dy qytetet flasin për një dashuri për një vajzë.

Për Amasyan, mali Ferhat e ka marrë emrin prej heroit të legjendës Farhadi,  i cili dashuronte princeshën Shirin. Për të fituar pëlqimin e të atit të saj ai gërmoi nëpër mal që të sillte ujin pranveror në pallatin e tij. Gjatë gërmimit i dërguan lajmin e rremë se princesha e tij kishte vdekur dhe nga pikëllimi u hodh mbi shkëmbinj. Princesha e tij e dashur vdiq gjithashtu në një kohë të shkurtër. Kjo histori  shfaqet në një shfaqje nga Nazim Hikmeti, një roman nga Talip Apaydın dhe një opera nga Arif Melikov.

Nga ana tjetër, sipas legjendës shqiptare për Beratin, fabula flet për dy vëllezër të bukur dhe të guximshëm, Tomorri dhe Shpiragu. Ata luftuan për një grua të re dhe vranë njëri-tjetrin. Tomori nxori shpatën dhe preu Shpiragun në copa. Gjatë betejës së tyre, Shpiragu hodhi gurë mbi trupin e Tomorrit. Kështu, trupi i Tomorrit mbeti plot vrima dhe trupi i Shpiragut  u copëtua. Trupat e tyre të rënë u bënë malet Tomorr dhe Shpirag. Kur Osumia dëgjoi për tragjedinë dhe vdekjen e dy vëllezërve, filloi të qante pafund dhe lotët e saj formuan lumin Osumi, i cili ndodhet midis maleve Tomorr dhe Shpirag.

Historia e këtyre dy qyteteve na jep informacion të vazhdueshëm mbi të kaluarën e tyre të mëparshme që nga kohët e lashta deri në ditët tona si dhe na dëshmon sot e kësaj dite ngjashmëritë të përftuara si nga vetë natyra e qyteteve po ashtu dhe trashëgimia arkitekturore e periudhës Otomane.

* Ky shkrim per here te pare eshte publikuar ne Revisten Familja, Prill 2019

Brunilda Basha

Brunilda Basha

Autorja është Arkitekte dhe studion doktoraturë në Stamboll, Turqi. Është e specializuar në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore.
Brunilda Basha

Latest posts by Brunilda Basha (see all)

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.