Natën e agjërimit u është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. All-llahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka çaktuar All-llahu dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në i’tikafë) në xhami, mos t’u afroheni atyre (për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e All-llahut, pra mos i kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë All-llahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen.

Do të flasim sot për një fenomen, pjesë e kufijvë të Zotit përmendur në Kuranin famëlartë të çilët shkelen, sidomos gjatë muajit të Ramazanit. Bëhet fjalë për marrdhënien në çift dhe mënyrën se si Allahu i Madhërishëm e ka përmendur këtë në Kuran. Eshtë e domosdoshme që të analizojmë mënyrën se si Zoti e trajton këtë fenomen në ajetet e Ramazanit për të kuptuar rëndësinë e çështjes:

Fillon ajeti me termin“Natën e agjërimit”. Po ta vini rene fjala natë është në numrin shumës, nuk thuhet pra “netët (Lejeli) apo 30 netët e Ramazanit” por “natën”, kjo për të theksuar rëndësinë e secilës natë, duke përjetuar çdo natë në këtë muaj sikur të ishte e vetme dhe e fundit.

Ndërkohë vërejmë se në Kuran, në përgjithësi kur përmendet marrdhënia në çift Allahu i Madhëruar ka përdorë një terminologji të ndryshme por specifika e kësaj terminologjie është se nuk ka përdorë terma specifik duke ruajtuar natyrën romantike të fenomenit në fjalë pa kaluar kështu në detaje apo vullgaritete. Kështu hasim terma si: “afrimitet”; “bashkim”; “marrëdhënie intime”etj. Termi që ëhstë përdorur në këtë ajet është “الرَّفَثُ” Rrafethe- që do të thotë jo vetëm akti në vetvete por afrimi, qasja ndaj njëri tjetrit dhe sidomos ajo çka vjen para aktit dukë përfshirë aspektin romantik të këtij bashkimi. “إِلَىٰ” që tregon “me to” mund të mos ishte prezent në këtë ajet, por Zoti i Plotfuqishëm ka vendosur që të jetë aty për të theksuar domosdoshmërinë e romanticitetit gjatë këtij muaji si për të nënkuptuar “sigurohuni që t’u afroheni atyre.”

Ditët e sotme Ramazani është kthyer në një rutinë, ku në shumicën e vendeve islame, nëse kemi mundësi flemë gjithë ditën, çohemi vetem çerek ore sa për të marr abdes dhe falur namazin e kohës dhe përsëri gjumë deri në aksham. Më pas ham iftar, falim teravitë, qëndrojmë në xhami ose në kafe deri vonë, të lodhur nga sasia e tepër e ushqimit, jo fort të shëndetshëm në shumicën e rasteve, dhe nga të lodhur nga teravitë dhe ndenjat deri vonë, kthehemi në shtëpi të vdekur dhe ose flemë përsëri ose kalojmë kohë në rrjete sociale sepse tashmë kemi humbur çdo energji për ibadete apo lexime.

Në fakt, në këtë ajet na didktohet se Ramazani është ajo perjudhë e vitit kur ne duhet të ripërtërijmë marrdhënien tonë bashkëshortore. Sepse nëse në këtë ajet do të bëhej fjalë vetëm për një lejueshmëri, atëherë Zoti xh.sh nuk do të kishte përdoru fjalën “rrafathe-afrimitet” dhe as “Ila-atyre”.

“Ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato” Termi i përdorur në këtë rast është “لِبَاسٌ” pra pëlhurë, që nënkupton se ju mbroni njëri-tjetrin, ruani sekretet e njeri tjetrit, jeni mbështetje dhe përkrahje për njëri tjetrin. Mirëpo në këtë ajet ka dhe kuptimin figurativ të mbështjelljes së njëri tjetrit shkrirja në një trup të vetëm ashtu sikurse diçka bëhet një me mbështjellësen e vetë.

Përse mendoni se Allahu i Madhëruar kërkon prej një çifti që të jenë romantik dhe sa më pranë njërti tjetrit në një perjudhë të vitit kur ne duhet të jemi të fokusuar tek rritja jonë shpirtërore dhe marrdhënia me Zotin?

Sepse ekziston një lidhje tepër e ngushtë midis marrdhënies midis burrit dhe gruas, dhe marrdhënies së tyre bashkë me Zotin. Për ata që janë të martuar, kjo marrdhënie do të jetë e mangët nëse fokusohet vetëm tek lidhja vetes me Zotin. Ky është muaji që bashkëshortët të kujdesen më së shumti për pamjen e tyre fizike, të zbukurohen dhe parfumosen për njëri tjetrin. Burrat të kalojnë sa më shumë kohe me bashkëshortet e tyre, ti nxjerrin ato jashtë për iftar dhe në xhami. Nuk është muaji i grindjeve dhe sherreve, për të diskutuar çështje dhe vendime të ndryshme. Mendojeni këtë muaj si një muaj mjalti, jo sepse na pëlqen neve ta shohim ashtu por sepse Zoti na e ka sygjeruar këtë në Kuranin Famëlartë.

Gjithashtu për të kuptuar rëndësinë e këtij romanticiteti duhet t’i rikthehemi edhe sures Tahrim ku shpjegohet edhe me gjërësisht ky fenomen.

Mendoni shembullin e Profetit a.s, i cili ka mbartur barrën më të rënd të njerezimit: Kuranin, të cilin duhej ta shpërndante mesazhin e tij brenda 23 viteve. Shpërqëndrimi më i vogël në familje, stresi më i vogël në shtëpi do ta cënonte këtë lloj barre. Ndër ajetet e fundit të sures Tahrim gjejmë “O ti Pejgamber, luftoi jobesimtarët e hipokritët dhe qëndro ashpër kundër tyre;…”ndërsa si fillon kjo sure?  “O ti pejgamber (o ti, që të është sjellë kumtesa nga qielli), pse ia ndalon vetes atë që All-llahu ta lejoi? A kërkon me të pajtimin e grave tua? All-llahu është mëkatfalës, mëshirues. “ Pra nis me një shqetësim familjar. Me këtë, Zoti na shpjegon se pa harmoni në familje nuk do të kishte qenë e mundur përhapja e mesazhit hyjnor në formën e duhur. Njëjtë edhe ne, njerëzimi sot, muslimanët sot, kemi si detyrë individuale përhapjen e kësaj feje dhe kjo nuk do të arrihet nëse nuk ka harmoni në familje dhe kjo harmoni në familje nuk do të ekzistojë nëse nuk ekziston romanca në çift. Sidomos në një perjudhë si kjo e sotmja kur mashkulli dhe femra janë të tunduar nga bota e jashtme prej shumë fitnesh dhe hutimesh.

Përsëri, nëse Zoti do të dëshironte të fliste për lejueshmërinë e aktit netëve të agjërimit do të përmendte vetëm “u lejohet juve afrimitetit me gratë tuaja” dhe kaq. Pikë! Dhe do të vazhdonte pastaj ajeti me dispozitat e tjera. Mirëpo tema nuk ndalet këtu, përsëri Zoti e sjell dhe e risjellë në një tjetër formë: “Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar All-llahu dhe hani e pini …”. Nga kjo pjesë e ajetit kuptohet se nuk bëhet fjalë vetëm për një kënaqësi trupore por për një domosdoshmëri aq sa dhe përmendet përpara nevojave jetësore si ngrënia dhe pirja (“dhe hani e pini”).

Më pas vijon ajeti duke shpjeguar ndalesën e afrimitetit gjatë itikafit dhe drejt fundit përmendet: “Këto janë dispozitat e All-llahut, pra mos i kundërshtoni.” fjala dispozitat është në shumëz për të treguar se këto dispozita nuk kanë të bëjnë vetëm me ndalesën e mësipërme të itikafit, se nëse do të bëhej fjalë për të atëherë Allahu xh.sh. Do të kishte përmendur se kjo është dispozit e Zotit që nuk bën të kundërshtohet mirëpo përmendet në shumëz sepse bëhet fjalë për një tërësi dispozitash që janë përmendur në të gjithë ajetin në tërësi.

“Ja kështu, në këtë mënyrë All-llahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen.”  Ajetet që i paraprinë këtij ajeti nisin me “O ju që keni besuar” dhe bëhet fjalë për dispozita fetare drejtuar besimtarëve, ndërsa ajeti në fjalë përfundon me “njerëzve” pra tani Zoti i drejtohet të gjithë njerëzimit sepse kjo lloj marrdhënie plot dashuri dhe romancë, vetë institucioni i martesës në përgjithësi, është diçka që i nevojitet të gjithë njerëzimit, për këdo që të rritet shpirtërisht ka nevojë për këtë lloj mbështetje shpirtërore. Duke përcjellur kështu mesazhin hyjnor se nëse martesa tronditet në themele, nëse kjo marrdhënie thyhet ose nuk shkon ashtu siç duhet e gjithë shoqëria dhe njerëzimi do t’i vuajë pasojat.

Mesazhi im për të gjitha çiftet është se nëse ka ndonjë martesë që ka probleme, kjo është perjudha më e mirë për ta rigjallëruar këtë marrdhënie sepse është një kohë kur shejtanët janë të lidhur dhe mbetet vetëm vullneti ynë i mirë për ta shpëtuar këtë martesë.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.