Birit Sirian! Nga një zemër nëne

0

Nga Bukuri Zejno

Biri im i vogël Sirian! U bë disa ditë që nuk mundem ta largoj nga sytë atë trupin tënd të vogël që dridhej, teksa frymëmarrja të vështirësohej nën ndikimin e gazit. Nuk munda të të heq nga sytë edhe pse bollshëm i lava me lotë. Ti qëndroje atje për të më kujtuar se ne dështuam në sprovën tonë.

Dështuam thellë! Shumë thellë! Aq sa thellësia do ta depërtonte bërthamën e tokës që sot mban brenda saj trupin tënd të vogël. Biri im i vogël Sirian! Unë sot nuk e ndërrova fotografinë time të profilit. Ndonëse bashkohem në dhimbjen tënde, e di që ajo s’ka asnjë kuptim sot për ty, ashtu siç nuk patën qindra fjalë e “solidarizime” për gjithë këto vite. Nuk e ndërrova sepse e di që ndërrimi i saj nuk do ndikojë aspak në shpirtin e pangopur të të pangopurve që morën jetën tënde të vogël, ashtu siç nuk u ndikuan për gjakun e qindëra e mijëra moshatarëve të tu që po thithin në pangopësinë e tyre për kaq vite. Biri im i vogël Sirian! Dhimbja që kam sot, tek me shfaqej në frymëmarrjet e tua të fundit aq të rënduara, nuk ka mundur te shprehet kurrë nga gjuhët njerëzore. Ajo dhimbje di të ndjehet vetëm nga një zemër nëne, e cila do të ishte thërrmuar në mijëra copa, po të mos dinte se kjo botë është kalimtare e pas saj vjen bota e vërtetë. Ajo zemër vajton kur të sheh në këtë botë, por të ka zili kur të imagjinon në botën e Përtejme, në atë vend që ka pregatitur për ty Zoti yt.

Do të ishte thërrmuar po të mos dinte se ka një Ditë Gjykimi, kur barqet e pangopur do të ngopen me zjarr; kur frymëmarrja do tu rëndohet deri në fund e prapë do të ngjallen ta përjetojnë atë shtrëngim në fyt përsëri e përsëri; kur lëkurat do të digjen deri në shtresën e fundit e do të ripërtërihen për tu djegur përsëri deri në përjetësi. Biri im i vogël! Unë sot nuk do të lutem për një vend në Xhennet për ty, sepse atë Zoti ta ka premtuar, e Ai kurrë nuk e thyen premtimin.

Unë sot do të lutem që një ditë të lejohem të ngjitem në atë vend aq të lartë që të është dhënë dhe të të shtrëngoj në kraharorin tim me një përqafim nëne që doja aq shumë të ta jepja ndërsa shihja trupin tënd të vogël të dridhej dhe frymëmarrja të të vështirësohej nën ndikimin e gazit…e unë nuk mundesha të bëja asgjë. Biri im, më fal!

LEAVE A REPLY