Në një shfaqje filmash me metrazh të shkurtër me tematikë çështjen e Palestinës, regjizori
u pyet në mbylljen e mbrëmjes: çfarë mund të bëjmë ne për Palestinën?
Besoj se e gjithë salla, ashtu si dhe unë pritëm ndonjë përgjigje cliché me ca pika “bë këtë
dhe atë” duke filluar nga duatë, kontributi financiar etj. Mirëpo përgjigja e tij qe
mbreslënëse: “Ky ishte dhe qëllimi i realizimit të filmave të mij dhe e shfaqjes dhe
promovimit të tyre sot, këtu, në këtë sallë: ngritja e pyetjeve dhe ndërgjegjësimit. Pyete
veten se çfarë mund të bëj unë konkretisht, dhe gjithësecili duhet ta bëjë këtë pyetje dhe
ta gjejë përgjigjen vetë.”
Pyetje të ngjashme duhet t’i ngrejmë vetes vazhdimisht, jo vetëm për çështje që i takojnë
komunitetit tonë por dhe për çështje që na takojnë ne si njerëz, në këtë dunja. Pikërisht
prej pyetjeve fillon ndërgjegjësimi. Kur ekziston diçka që të shqetëson, që e sheh se është
e gabuar dhe dëshiron ta ndryshosh, pyete veten çfarë mund të bësh ti konkretisth. Ti, me
njohuritë, aftësitë dhe mundësitë e tua.
Aktivistët janë njerëz të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm për “ndryshim” dhe ja
dedikojnë kohën, mundin, aftësitë dhe mbështetjen e tyre dëshirës dhe nevojës për
ndryshim. Kur ta kesh gjetur kauzën tënde, atë çështje që vërtetë e ke për zemër,
fokusohu tek ajo dhe vetëm tek ajo. Kërko, shto njohuritë mbi atë çështje. Gjej mënyra
se si të specializohesh në atë çështje, si të shtosh kompetencat e tua dhe si t’i përdorësh
aftësitë e tua për të lobuar për atë çështje.
Gjeje një organizatë në vendin tënd që merret me atë çështje, dhe nëse nuk ka ndërtoje
ti një të tillë. Lëri mënjanë për momentin paragjykimet e tua ndaj shoqatës që ke gjetur,
dhe nëse të shqetëson vërtetë axhenda apo bindjet e saj atëherë kërko për më shumë
informacion. Lexo platformën e tyre, vizionin dhe synimet ose pyeti personalisht. Pasi ta
kesh kaluar këtë fazë dhe mendon se vërtetë ja vlen të bashkëpunosh atëherë shkruaj dhe
propozo projekte për të, lërë të dhënat e tua ose plotëso formular anëtarsimi.
Prezantohu dhe shpehe dëshirën tënde për të kontribuar. Nëse nuk ke kohë apo mundësi
të merresh me projekte atëherë jep kontributin tënd si vullnetar/e. Nga ana tjetër nëse
nuk ndihesh i pranuar, pasi shumë organizata kanë politikat e tyre dhe mënyrat e
veprimit, atëherë provo aktivizmin individual. Nise nga sensibilizimi i rrethit tënd të
ngushtë shoqëror deri në një fushatë sensibilizuese përmes posterave, medias, medias
sociale. “Sot, çdo kush me një smartphone, madje dhe pa kompjuter, dhe me një profil në
mediat sociale mund të jetë aktivist madje mund të bëhet edhe gazetar.” na thoshte
gazetari i njohur turk, Nevzat çiçek.
Ta zëm se nuk ke kohë fare “të merresh”. Një punë e vogël por e vazhdueshme dihet se
në të ka begati të madhe.Gjeje një orë në ditë, në javë ose në muaj. Bëje atë përparësin
tënde. Falja komunitetit, shoqatës apo kauzës tënde. E rëndësishme është mos ta neglizhosh dhe mos neglizhosh përfshirjen tënde në aktivizëm. Bën ftohtë apo bie shie
dhe përton të dalësh nga dhoma jote e ngrohtë? “Lëre se nuk po shkoj fare, nuk bëhet
qameti për një më shumë a një më pak” do thuash me veten. A e keni parasysh Linda
Sarsour aktivisten amerikane 37 vjeçare e cila lobon për të drejtat e femrave arabo-
amerikane si dhe pjesë e Black Lives Matter. Linda është një ndër bashkëthemeluese e
lëvizjes Protesta e Grave në Washington. Sikur 1.2 milionë femra të kishin menduar
“hë se nuk bëhet qameti nëse unë nuk shkoj, a do ishin mbledhur dot 1.2 milionë të tilla,
të cilat bllokuan lëvizjen, kalimin në atë shesh aq sa thuajse askush nuk arriti ta dëgjonte
programin për shkak të dyndjes me njerëz. Po sikur çdo njëra prej tyre të mendonte: “hë
se do ketë me qindra mijëra atje ç’u bë nëse unë nuk shkoj?” a do të kishte arritur këtë
lloj impakti në shoqëri kjo nismë?
Problemi është se ne shpeshherë e neglizhojmë fuqinë tonë si individë për të krijuar
impakt në shoqëri.
Ndërsa kur vjen puna tek mbështetja financiare dëgjoj shpesh që thonë: “Do doja të jepja
më shumë ..por jam studente” ose “jam e papunë, jam pa të ardhura”etj. Ky nuk është
justifikim sepse të gjithë e dijmë se ndonjëherë jam bëjmë qejfin vetes duke blerë ndonjë
libër, apo duke marrë një machiatto apo latte tek lokali ynë i preferuar. As që e mendojmë
sa para kemi në portofol kur kalojmë nga Mulliri, apo jo? Ta zëmë se kafen nuk e pijmë
përditë në lokal por të themi një minimum prej 2-3 herë në javë. Po sikur këtë shpeshtësi
ta reduktojmë në një herë në javë duke kursyer kështu një mijë apo dy mijë lekë në javë,
që pastaj bëhet 4 apo 8 mij lekë në muaj dhe që pastaj kthehet në 50 mijë apo 100 mijë
lekë në vit. Po sikur në një rreth të ngushtë prej 5, 10, 20 aktivistësh të kontibohej me nga
minimumi 50 mijë lekë në vitë, a e dini se çfarë pune kolosale dhe me ipmakt mund të
bëhej?
Ekziston dhe një grup tjetër njerëzish të cilët shohin disa figura aktivistësh dhe thonë:
“Unë s’jam ashtu! Nuk mund të bëhem ashtu, nuk e kam as për synim dhe nuk më
intereson.” Pa marr kështu në konsideratë që pas një shoqate, nisme apo fushate ekzitojnë
një numër i konsiderueshëm njerëzish që japin kontributin e tyre në bazë të aftësive dhe
në fushën e tyre. Nëse ti nuk mund dhe nuk dëshiron të bëhesh si “ato” atëherë përse
thjeshtë nuk i vë në shërbim aftësitë e tua dhe kohën tënde për kauzën që të përket?

LEAVE A REPLY