Nga Yasmin Mogahed

Është thjesht e mahnitshme ajo që mëmësia të mëson. Para tre javësh u bëra nënë, një nga përpjekjet më të mëdha që një grua duron. Ishte një përvojë që do ta ndryshonte përgjithmonë jetën time.
Tre javë më parë, unë solla në këtë botë një jetë të re.
Dhimbjet e lindjes quhen pikërisht ashtu për një arsye. Por në atë luftë, dhe ndoshta edhe më shumë, në luftën e rritjes së fëmijëve që pason, ne marrim një mësim jetësor të paçmuar.
Thonë se “gjërat më të mira në jetë janë falas”. Por, nga të gjitha të vërtetat që na thuhen, kjo klishé, ndoshta është një nga më të mëdhatë.
Asgjë në jetë nuk është falas.
Dhe definitivisht nuk janë gjërat më të mira. Çdo gjë ka një çmim. Sa më e çmuar të jetë diçka, aq më i lartë është çmimi.
Çdo gjë me vlerë që kemi kërkon që të punojmë për të.  Allahu na e mëson këtë të vërtetë në Kuran kur Ai thotë: “Dhe se mundi i tij do të shihet, Pastaj do të shpërblehet me shpërblim të merituar, Dhe se te Zoti yt do të kthehen.” (Kuran, 53:39-42).
Pra, Allahu na thotë se në këtë jetë ne gjithmonë duhet të përpiqemi. Por Ai gjithashtu na tregon se gjithmonë do të ketë fryt të kësaj përpjekjeje.
Paramendo lindjen. A nuk mundet Allahu ta bënte atë tërësisht pa dhimbje dhe të thjeshtë? A nuk mund të vinim të gjithë në këtë botë pa i detyruar nënat tona të mundohen dhe të vuajnë?
Ose paramendoni shtatzaninë. Allahu thotë në Kuran: “Dhe, Ne, e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka bartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. (Dhe i kemi thënë njeriut): “Bëhu falenderues ndaj Meje dhe prindërve tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”. (Kuran, 31:14).
A nuk ka Allahu mundësi të formojë një qenie njerëzore brenda natës, pa pritur nëntë muaj vështirësi? A nuk mund të zhvillohemi pa i shkaktuar nënave tona “sëmundjen e mëngjesit”, lodhjen, vështirësitë në ecje, gjumin, frymëmarrjen, të ngrënurit?
Por, nëpërmjet këtyre stërmundimeve, dhe si rezultat i asaj lufte, çfarë kemi tanimë? Si fryt të përpjekjes sonë, ne kemi një nga dhuratat më të mëdha të Allahut: një fëmijë tonin, një mrekulli të bukur.
Por nuk erdhi falas.
Dhe asgjë në jetë nuk vjen e tillë. Nëse doni të fitoni një medalje të artë, ju duhet të shpenzoni një jetë në stërvitje. Nëse doni një diplomë, duhet të kaloni vite të tëra të mbushura me netë pa gjumë dhe rraskapitje për ta fituar atë. Madje edhe për diçka akoma edhe më të thjeshtë, se si të jesh në formë, kërkon që të punosh dhe ushtrohesh.
Njëjtë vlen edhe për të fituar xhenetin, ne duhet të përpiqemi. Nëse duam të jemi në fund me Allahun, ne duhet të durojmë urinë gjatë Ramazanit, të kapërcejmë gjumin për të falur namazin a sabahut dhe të sakrifikojmë pasuria jonë për të paguar zekatin.
Ky është çmimi i xhennetit – një dhuratë, por që nuk vjen falas.
Edhe djali im ishte një dhuratë, për të cilën duhej të mundohesha. Kjo luftë është e natyrshme, në përkufizimin e kësaj dunjaje (jetë e papërsosur), e cila kurrë nuk kishte për qëllim të ishte e lehtë.
Kur e shihni dikë në momentet e para të jetës, kjo e vërtetë bëhet kaq e qartë. Gjëja e parë që bëjmë kur vijmë në këtë botë është të qajmë, dhe pastaj mundohemi për frymëmarrjen tonë të parë. Papriur jemi prezantuar me realitetet e një jete ku ne do të vdesim, do të ndiejmë urinë, frikën dhe dhimbjen.
Pothuajse menjëherë ne i njohim të gjitha këto realitete në të njëjtën kohë.
Kjo e vërtetë është përshkruar edhe në Kur’an kur Allahu thotë: “E kemi krijuar njeriun që të përpiqet vazhdimisht.” (Kuran, 90:4).
Por ashtu si djali im, i cili ishte drita sublime, e shkëlqyer në fund të një tuneli të gjatë, Allahu gjithashtu na premton një dhuratë të pashembullt si fryt i përpjekjeve tona në këtë jetë.
Ai thotë në Kuran: “Ti, o njeri, vërtetë shumë mundohesh dhe atë mund ta gjesh te Zoti i yt.” (Kuran, 84:6).

Përktheu: Jonida Vishkurti

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.