Shoqëria shqiptare është e vërtetë se nuk është e mbrojtur nga ekstremizmi i dhunshëm, qoftë ky me burim fetar, ideologjik, politik, social, racor etj. Dhuna mes nesh është pjesë në mjaft raste e familjes, e gjuhës së përditshme të komunikimit, e problemeve fisnore, shoqërisë, rrugës, shkollës, sportit, politikës, biznesit, kriminalitetit, trafikut të paligjshëm etj. Por mos harrojmë këtu se kjo dhunë ushqehet jo vetëm nga kjo klimë dhune që shfaqet tek të gjitha këto hapësira që përmenda, por edhe nga media, jo vetëm nga lajmet që përçojnë atë që ndodh, por edhe nga arti i dhunshëm që induktohet te brezi i ri nga filmat, letërsia, muzika, nga rrjetet sociale, gjuha banale e përdorur në to, teknologjia dhe lojërat elektronike etj. Të gjithë këta faktorë, të marrë së bashku, e edukojnë dhunën te brezi i ri, ndërkohë që indoktrinimi ideologjik apo fetar vetëm sa gjejnë një terren pjellor të vetëkuptueshëm, se dhuna është mjeti i zgjidhjes më efikas. Pra, pikëpamjet ekstremiste të dhunshme, edukohen praktikisht në mjedisin tonë social që na rrethon dhe nuk janë pasojë e drejtpërdrejtë e besimit fetar islam, apo qoftë edhe pikëpamjeve ekstreme fetare, të një ideologjie të caktuar që na vijnë nga jashtë. Kështu që, dikush që falet rregullisht në xhami, mban mjekër apo vendos shami, për shkak të besimit islam, edhe nëse qëllon të shfaq sjellje të dhunshme dhe këtë ta justifikojë në vetvete me pikëpamje fetare, kjo është kryesish pasojë e ndikimit të mjedisit social-kulturor ku ai gjendet, sesa e vetë ndikimit të ardhur nga ideologjitë ekstremiste fetare që përçohen nga interneti, e jo më nga mësimet fetare që ai mund të marrë në xhami. Një tjetër faktor i rëndësishëm që provokon dhe ushqen ekstremizmin e dhunshëm, është edhe islamofobia. Kur njerëzit shohin se si shahet e fyhet feja islame dhe shenjtërit e saj, ditën për diell nëpër media, nga persona publik dhe asnjë masë nuk merret kundra tyre, dhe në anën tjetër shteti ndalon me dhjetëra besimtarë muslimanë, pa asnjë mandat ligjor, vetëm për shkak të një ndeshje futbolli, dhe mban nën arrest për një vit disa të tjerë, që në fund dalin të pafajshëm, e të tjera raste, e kur pjesë të shoqërisë shqiptare jomuslimane vjellin vrer ndaj tyre, në media dhe online, kjo nuk bën gjë tjetër vetëm se u mbush mendjen një pjesë të besimtarëve se si shteti ashtu dhe shoqëria, ku ata jetojnë, nuk i duan dhe punojnë kundra tyre. Ky perceptim padyshim se do t’i hapë rrugën ekstremizmit, e më pas ndoshta edhe atij të dhunshëm. Edhe pse këtu duhet ta theksojmë se besimtarët në përgjithësi janë pjesa më e shëndetshme dhe humane e kësaj shoqërie dhe larg dhunës. Gjithsesi, si pjesë e kësaj shoqërie ne do të kërkonim nga instancat shtetërore që në hartimin e projekteve të tilla të rëndësishme, por delikate, të ishin pjesë edhe klerikët dhe intelektualët muslimanë, që janë faktorë në terren, dhe jo vetëm ana formale e përfaqësimit të tyre institucional, shpesh e paaftë të menaxhojë dhe adresojë problemet aty ku duhet.

Marrë nga artikulli: “Analizë kritike dhe reagim ndaj përmbajtjes me të cilën trajnohen mësuesit e shkollave publike, në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm”
Nada Dosti

Nada Dosti

Autorja është themeluesja e Muslimania.al
Nada Dosti

LEAVE A REPLY