Emigracioni një sfidë dhe një mundësi pro multikulturalizmit

0

image

Nga Entela Hidri

Në mes mijëra rrugëtimeve njeriu ndihet i sfiduar dhe shpesh ndjen rrugët të ngushtohen, shanset te mungojnë dhe atëherë përballet me dilema jetike, a mundet vallë të jetojë, të ketë mirëqenie dhe të ketë standard në këtë vend? Dhe kështu me shumë shpresa dhe ëndrra niset në rrugë të largëta ku shanset më të mira e presin.

Po kur ky shtegtim vjen nga lufta për mbijetesë për jetën dhe kur ky udhëtim është i vetmi shans që ata kanë të mbeten gjallë. Në këto rrugëtime mes telash me gjemba e mes dallgësh deti humbasin tragjikisht jetë të brishta, ndjenjat e kërkimit të lumturisë daroviten dhe shpesh ky rrugëtim që në fillim mbetet lëndues.

Ç’është në fakt emigracioni?

Me emigracion kuptojmë një zhvendosje masive të popullsisë, që lenë një vend për t’u vendosur në një tjetër. Emigrantët ndërmarrin pra një lëvizje emigruese, kur lënë vendin e origjinës dhe kur vendosen në vendin pritëse. Emigrimi ka qenë pjesë e zhvillimit të historisë njerëzore dhe në thelb ka qenë dhe mbetet shprehja e dëshirës dhe vendosmërisë së individit për të dalë mbi vështirësitë, me vështrimin e projektuar drejt një jete më të mirë për vete dhe familjen e tyre.

Migrimi njihet si një dukuri e cila do ekzistojë sa kohë që njerëzimi të ketë frymë. Emigrimi nuk ka pasur një kah të caktuar, Evropa ka emigruar drejt brigjeve të reja, vendet Evropiane drejt njëri-tjetrit, lindja drejt Evropës etj. Pra lëvizja nuk ka pasur kurrë vetëm një kah. Shpesh në këto grupe emigracioni le t’i quajmë, nga ana e vendeve pritëse hasim në dukuri papunësie, paragjykimi dhe diskriminimi.

Është njerëzore, që nga krijimi i njerëzimit të lëvizin nëpër botë, sepse njeriu nuk ka mundësi të zgjedh ku lind, por ka shanse dhe mundësi të zgjedh ku të jetojë. Statistika dhe studime janë bërë gjithnjë dhe ne arrijmë në përfundimin se një përqindje e lartë e njerëzve emigrojnë nëpër botë, më saktësisht 3% e popullsisë botërore. Pra mund të themi se emigrimi është çelësi i globalizmit dhe tema kryesore e axhendave ndërkombëtare.

Emigrimi hap një shans dhe një mundësi për individët, por edhe shtetet që përfshihen në të, qoftë shteti pritës apo ai përcjellës. Në momentin e parë emigracioni i ofron njerëzve mundësi punësimi, përfitimi, e bën të përfitojë aftësi të reja dhe t’i përmirësojë këto aftësi, e përball me kushte të ndryshme jetese, ndërkaq për të dyja shtetet është një rrugë dhe një mënyrë udhëzimi për rritje dhe zhvillim. Në të njëjtën kohë. si proces, emigrimi na përshfaq skena diskriminuese dhe pabarazi, ose abuzime të së drejtave të njeriut. Në këtë pikë duhen politika të mirë studiuara, të cilat duhet të ndërhynë për të përdorur në mënyrë të plotë kapacitetet e emigrantëve dhe jo të zmadhojnë anët negative që emigranti ose emigracioni nga një shtet ka.

Njerëzimi duhet të rendi pas promovimit të vlerave, ndërtimit të paqes, uljes së varfërisë, shtimit të dialogut ndërkulturor mbi edukimin, shkencën, kulturën, komunikimin dhe informimin. Në ndihmë të kësaj do të ishte krijimi i organeve përkatëse, që të përballen me emigrimin dhe të adresonte ndërfutjen e lëvizjes në fushat përkatëse ku ata janë kompetentë, në varësi të profesioneve ose aftësive që kanë. Kjo gjë do të ishte në përputhje të plotë me zbatimin e të drejtave themelore të njeriut dhe me standardet Evropiane.

Më e mira për këta emigrantë do të ishte një integrim social dhe përfshirja e tyre në sferën sociale. Bërja e lidhjes mes migrimit dhe edukimit i jep një tjetër standard emigracionit. Gjithashtu dhe vlerësimi i inteligjencës që grupet emigruese bartin me vete është një fazë e rëndësishme.

Koha e politikës së rreptë për azilkërkuesit nuk duhet të jetë as sot as kurrë.

Barazia si dhe përfshirja në sistemin e mirëqenies, lirina e zgjedhjes dhe partneriteti, mendoj se janë zgjidhja e vetme për emigracionin ndërkombëtar dhe ndërkontinental. Dihet që kjo ka dy anët e medaljes duke e nisur nga ana më themelore e cila është arsimi dhe rekrutimi i mësuesëve të cilët njohin këto gjuhë të ardhura, por kjo është vetëm çështje kohe. Nga ana tjetër të huaj në krahasim me vendasit kanë nivele të larta të varësisë sociale, mirëqenies në mesin e njerëzve me prejardhje të emigrantëve, indekset e ndarjes, duke ulur pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, braktisjes së shkollës, niveli i krimeve, etj. dhe kjo është pikërisht ajo që e tremb Evropën sot. Por a nuk janë këto dukuri të përhapura në epokën e globalizmit?!

Në diskursin popullor, “emigrant” nuk i referohet një procesi të migrimit, por për personat me origjinë jo-vendase. Në këtë hulli pas viteve ’90 Shqipëria ka pësuar një largim të madh të emigrantëve që kërkojnë punë dhe mundësi më të mira jashtë vendit. Por rolin pozitiv që ka luajtur ky fenomen e tregon shumë mirë rritja e burimeve njerëzore; reduktimi i papunësisë dhe aftësimit profesional dhe intelektual, nëpërmjet profesioneve dhe eksperiencës që ata fitojnë në vendet e destinacionit. Dërgesat e emigrantëve shqiptarë kanë ndikuar në dhënien e një ndihme ekonomike të vlefshme, jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për stabilizimin socio-ekonomike të vendit në tërësi.

Duhet përmendur se emigrantët në të shumtën e rasteve punojnë në sektorë që nuk janë të preferuar nga vendasit dhe pjesa dërrmuese e tyre kanë paga të papërcaktuar, ata shërbejnë si mekanizëm rregullues në tregun e punës dhe kontribuojnë në rritjen e prodhimit vendas të vendit pritës.

Emigracioni i shërben edhe kulturës dhe njohjes ose përzierjes kulturore. Elementë të ndryshëm kulturor përqasen me njëra-tjetrën dhe njeriu merr vlerat kulturore të cilat i përshtaten më së shumti karakterit vetjak por gjithashtu që i shërbejnë më së shumti për të ardhmen.

Autorja ka mbaruar studimet 4-vjacare per Gjuhë dhe Letërsi si dhe Master në Redaktime Gjuhesore. Ajo ka shkrime të shumta të publikuara në revista të ndryshme, gazeta dhe portale online, me tematika sociale dhe fetare.

 Muslimanja.com    

LEAVE A REPLY