nga Erjona Rusi

“Ajo ishte vetëm 13 vjeçe dhe ishte njohur në internet me dikë që i kishte thënë se ishte moshatar i saj, 15 vjeç. Ata biseduan për pak kohë dhe më pas shkëmbyen numrat e telefonit për të folur. Pikërisht në atë moment vajza e kuptoi se ai ishte më i madh në moshë. Burri i kërkoi të takoheshin dhe madje e kërcënoi, kështuqë vajza u frikësua.”

Aq e frikësuar ishte, thotë Mirgit Vataj, supervisor i linjës kombëtare të këshillimit  për fëmijë ALO 116, saqë refuzonte ti tregonte prindërve apo të informonte policinë, e frikësuar se situata ku ndodhej mund të bëhej publike dhe ti sillte pasoja.

Përfundimisht ALO 116 e bindi vajzën që ti lejonte të njoftonin shkollën duke përfshirë punonjësit lokalë me të cilët bashkëpunon kjo linjë. Megjithatë, ekspertët ligjorë dhe ata të mbrojtjes së fëmijëve janë të shqetësuar se fëmijët shqiptarë janë tepër të rrezikuar nga komunikimi i qëllimshëm i pedofilëve shfrytëzues në internet.

“Nëpërmjet komunikimit me ta (fëmijët), kemi kuptuar që të besojnë lehtësisht edhe nëse nuk të njohin mirë. Niveli i besueshmërisë është kaq i lartë, ndërsa niveli i ndërgjegjësimit lidhur me rrezikun e internetit është kaq i ulët”-tha Vataj për Balkan Investigative Reporting Netëork, BIRN.

Pavarësisht këtyre shqetësimeve, BIRN ka mësuar se disa prej ofruesve më të mëdhenj të shërbimit të internetit, ISP, nuk ofrojnë mekanizma të kontrollit prindëror që do të mundësonin menaxhimin e komunikimit apo bllokimin dhe monitorimin e ëebsajteve që vizitojnë fëmijët, duke i lënë minorenëve mundësinë për biseduar pa mbikqyrje me të huaj dhe duke aksesuar lehtësisht faqe për të rritur, përfshirë këtu dhe ato pornografike. Edhe në ato raste kur këto mekanizma janë të disponueshme, shumë pak prindër në Shqipëri aktivizojnë programet e kontrollit prindëror.

Rreziku nga të panjohurit

“Çdo shtëpi sot është e lidhur në internet, edhe në zonat më të thella, por kjo përhapje nuk është shoqëruar me informacionin ndaj rreziqeve të internetit, çka e ka ekspozuar shoqërinë shqiptare, veçanërisht minorenët ndaj rreziqeve të pedofilisë”-paralajmëron Dr.Fabian Zhilla, ekspert i krimit kibernetik dhe professor në Institutin Kanadez të Teknologjisë në Tiranë.

Përdorimi i internetit nga fëmijët në Shqipëri
•85% e të anketuarve kanë një kompjuter në shtëpi por 65 % zakonisht hyn në internet përmes telefonit celular

•Internet kafetë,  përdoren gjerësisht nga fëmijët në zonat rurale dhe urbane dhe nuk e kanë të detyrueshme me ligj që të krijojnë akses dhe zona të posaçme për fëmijët

•44% shohin çdo ditë pornografi, 62 % thonë se miqtë e tyre shohin çdo ditë pornografi ndërsa 45 % shohin çdo ditë pornografi por në mënyrë të pavullnetshme

•47% janë kontaktuar nga persona të huaj në internet por vetëm 44 % kanë marrë informacion mbi sigurinë në internet nga prindërit apo organizatat e specializuara

Burimi: Studimi i World Vision mbi sigurinë e fëmijëve në internet në Shqipëri  (2014)

Zhilla ka qënë pjesë e ekipit të ekspertëve që përpiloi një raport mbi përdorimin e internetit nga fëmijët shqiptarë për organizatën ndërkombëtare të krishterë, të zhvillimi dhe advokimit World Vision në vitin 2014.

Kërkuesit intervistuan 871 fëmijë të moshave nga 13 deri në 18 vjeç në zonat rurale dhe ato urbane në 6 qarqe të Shqipërisë. 47 % e fëmijëve thanë se janë kontaktuar nga një i huaj përgjatë vitit të mëparshëm, ku në 40 % të rasteve ishin shtetas të huaj.

Edhe pse nuk ka një shifër të saktë për numrin e fëmijëve të cilët i kanë takuar fizikisht këta të panjohur, Zhilla paralajmëron se autoritetet nuk kanë një strategji konkrete për të analizuar rreziqet që vijnë nga pedofilët online.

“Reagimi i shtetit ndaj raportit ishte krejtësisht amorf. Jam i shokuar sepse studimi solli në dritë disa të dhëna mbi rreziqet e pedofilisë online që institucionet duhet ti kishin marrë në konsideratë”-thotë ai.

Veç kësaj, Zhilla beson se policia nuk i ka kapacitetet apo burimet e mjaftueshme për tu përballur me të gjitha çështjet e sigurisë në internet me të cilat përballen minorenët në Shqipëri, përfshirë këtu bulizmin dhe shtrëngimin për tu përfshirë në sjellje të rrezikshme.

Evisa Kambellari, pedagoge e drejtësisë penale në Universitetin e Tiranës shprehet gjithashtu e shqetësuar.

“Kam vënë re që numri i procedimeve penale është shumë i ulët për këto raste. Nuk kam dëgjuar deri më tani, që dikush të përdorë këto taktika, duke krijuar profilë të rremë për të kapur njerëz të rrezikshëm, të cilët të jenë arrestuar”-thotë Kambellari për BIRN.

Në një përgjigje të shkruar për BIRN, Sektori i Krimit Kompjuterik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit theksoi se këto lloj krimesh janë komplekse dhe përfshijnë bashkëpunim me institucione të tjera, në disa raste edhe me organizatat ndërkombëtare si Interpol dhe Europol.

“Duhet të theksojmë se në këto raste, hetimet kanë qënë të suksesshme dhe kemi identifikuar të dyshuarit duke i çuar para drejtësisë”-thuhet në përgjigjen nga zyra e shtypit.

“Asnjëherë nuk mund të themi që burimet janë të mjaftueshme pasi teknologjia ecën me ritme të shpejta dhe kjo do të kërkonte një përgjigjie të njëjtë nga ne… Sektori për Krimet Kompjuterike ka një strukturë të konsoliduar dhe të trajnuar për të hetuar këto vepra”

Studimi: 44 % e fëmijëve shohin pornografi çdo ditë 

Përveç rrezikut që përbëjnë pedofilët të cilët kontaktojnë minorenët online, 44 % e fëmijëve pjesëmarrës në raportin e World Vision thanë se shohin pornografi çdo ditë në internet, çka për ekspertët e ndihmës sociale ndaj fëmijëve është ekstremisht shqetësuese.

Problemet në Facebook

Facebook-u është rrjeti social më i përhapur në Shqipëri, me rreth 1,3 milion përdorues apo 45 % të popullsisë, sipas një studimi të bërë nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur.

“Ka njerëz që e ngatërrojnë internetin me Facebook-un”-vë në dukje Igli Gjoni, drejtor i shitjeve dhe marketingut në kompaninë e internetit ABCOM. “Shpesh herë nëpër dyqanet tona….klientët kanë kërkuar Facebook në vend të internetit”.

Popullariteti i Facebook-ut mes fëmijëve shqiptarë është burim shqetësimi për profesionistët e mirëqënies së tyre (fëmijëve), të cilët theksojnë se pedofilët përdorin shpesh rrjetet sociale për të kontaktuar dhe për tu afruar me fëmijët.

Ekspertët gjithashtu paralajmërojnë se pavarësisht politikave të Facebook-ut për bllokimin e të gjitha materialeve të zhveshura, pornografike apo të papërshtatshme, edhe për faktin se përdoruesit janë nga mosha 13 vjeç e sipër, prapë se prapë fëmijët kanë akses në këto lloj materialesh në Facebook.

“Përveç uebsajteve të tjera, Facebook-u është një vend ku fëmijët të cilët kanë një llogari e kanë të lehtë të aksesojnë materiale pornografike”-paralajmëron eksperti i krimit kibernetik Fabian Zhilla.

Faqja në Facebook mbi standartet e komunitetit dhe përdoruesve thotë: “Ne heqim fotografitë ku shfaqen organe gjenitale apo lakuriqësi plotësisht të ekspozuar. Imazhe të hollësishme të marrëdhënies seksuale janë të ndaluara.

Megjithatë, disa besojnë se Facebook-u duhet të garantojë që përmbajtja pornografike të mos publikohet fare në rrjetin social. Bledar Bregu, programues i cili ka krijuar aplikacionin Findit.al, thotë se uebsajte të caktuara përdorin algoritma që mund të parandalojnë publikimin e përmbajtjes të zhveshur apo pornografike.

“Faqe të ndryshme apo platform sociale në botë nuk lejojnë shfaqjen e imazheve të caktuara duke përdorur skanim në kohë reale….teknikisht Facebook-u mund të njohë modele të caktuara dhe të mos i lejojë ato”-tha ai për BIRN.

Në një deklaratë të shkruar, zëdhënësja e Facebook-ut Sally Aldous konfirmoi se Facebook-u nuk përdor programe (software) që parandalojnë publikimin e fotografive, përveç imazheve që tregojnë abuzim seksual me fëmijët, të cilat i raportohen menjëherë autoriteteve.

Për të parandaluar që fëmijët të shohin pornografi, Aldous thekson se “të rinjtë nga mosha 13 deri në 17 vjeç që përdorin Facebook-un përfitojnë nga element shtesë të sigurisë dhe privatësisë” por shton:”I bëjmë thirrje kujtdo që sheh pornografi në Facebook ta raportojë tek ne në mënyrë që ekipet tona të veprojnë menjëherë për ta hequr.”

Erinda Ibrahimllari, koordinatore e Qëndrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA, që drejton linjën ALO 116, thotë se ka hasur fëmijë të cilët janë tërësisht të pavetëdijshëm ndaj këtij rreziku.

“Shpesh, fëmijët nuk e kuptojnë që ajo që po shohin apo po bëjnë është një formë abuzimi ndaj tyre”-thotë ajo.

Anila Sulstarova, psikologe dhe profesore në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, ka trajtuar disa fëmijë të cilët janë traumatizuar rëndë nga ekspozimi ndaj porografisë. Ajo thekson se fëmijët do të imitojnë atë që shohin pa qënë të aftë për ta përpunuar apo kuptuar.

“Fëmijët nuk janë gati të përballen me këto akte të cilat nuk mund ti kuptojnë apo të jenë të vetëdijshëm. Fëmijët sot mësojnë shumë nga televizioni, por nga pornografia nuk mund të mësojnë asgjë. Përkundrazi ata thjesht do të përpiqen të pretendojnë dhe të sillen “sikur’….dhe kjo shndërrohet në një lloj traume”-paralajmëron Sulstarova.

Ekspertët ligjorë thonë se legjislacioni shqiptar nuk është i përshtatshëm për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet me të cilat përballen online, siç është dhe aksesi ndaj materialeve pornografike.

Sipas nenit 117 të Kodit Penal në Shqipëri, shpërndarja dhe publikimi i materialeve pornografike në mjediset e minorenëve është vepër penale e ndëshkueshme me gjobë ose burg deri në 2 vjet. Veç kësaj legjislacioni që mbron të drejtat e fëmijëve në nenin 24 ndalon gjithashtu shfaqjen e materialeve pornografike nën 18 vjeç.

Megjithatë Kambellari thotë se Shqipëria ka nevojë për ligje të posaçme që mbrojnë fëmijët nga aksesi në materialet e papërshtatshme në internet, përfshirë dhe pornografinë, dhe të bëjë përgjegjës ata që nuk kufizojnë aksesin në internet.

“Ne nuk mund të përdorim Kodin Penal, që trajton krimin tradicional dhe ta përshtatim për krimet kibernetike. Ky është një fenomen i ri, që po manifestohet me forma të reja gjithnjë e më shumë. Ndaj dhe është e nevojshme të hartojmë ligje specifike”-thotë ajo.

“Mendoj se do të ishte më mirë, nëse do të kishim një ligj që ndëshkon transmetimin e lirë në internet të materialeve pornografike”

Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike, ALCIRT, pranon se nuk ka ligje specifike për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet online, siç thekson Kambellari. “Për ne e paligjshme është vetëm ajo çka parashikohet në Kodin Penal”-thotë Rovena Bahiti, drejtoreshë e ALCIRT.

ISP-të nuk janë të detyruara të ofrojnë kontroll prindëror

ALCIRT ka nënshkruar një marrëveshje të quajtur Kodi i Sjelljes me ISP-të, sipas të cilit këto kompani kanë si qëllim të ofrojnë mekanizma të kontrollit prindëror klientëve të tyre, duke ndihmuar kështu prindërit të monitorojnë dhe ndalojnë fëmijët nën 18 vjeç që të aksesojnë përpmbajtje të papërshtatshme, përfshirë këtu dhe materialet e dhunshme apo qartësisht seksuale.

Megjithatë, Bahiti konfirmon se operatorët e telekomunikacionit dhe ISP-të nuk janë të detyruar me ligj të ofrojnë mjete të kontrollit prindëror.

Albtelecom, me rreth 1,5 milion klientë, është kompania më e madhe e telekomunikacionit në vend, e megjithatë nuk ofron programme specifike që ti lejojë prindërve të kontrollojnë apo monitorojnë faqet që shohin fëmijët e tyre.

“Një operator i vetëm nuk mund ta bëjë këtë. Kemi nevojë për një marrëveshje të re teknike që ti përfshijë të gjitha ISP-të (ofrues i shërbimit të internetit). Është e nevojshme që ISP-të e mëdha të bashkohen që të krijojnë një softëare të përbashkët dhe më pas ta aplikojnë atë”-tha për BIRN Alban Tartari, drejtor i komunikimit me median dhe publikun në Albtelecom.

Vodafone, ofron shërbim interneti për gati 1 milion shqiptarë dhe ajo gjithashtu nuk ofron kontroll specific prindëror, megjithëse ofron mjete më pak të sofistikuara për të kontrolluar celularët.

“Aplikacioni Vodafone Guardian është falas dhe duhet të instalohet në të dy telefonat celular (fëmija dhe prindi), në mënyrë që prindërit të zgjedhin se cilat numra mund ti telefonojnë fëmijëve të tyre si dhe mund të bllokojë aksesin në internet përkohësisht”-thotë Kushtrim Shala, menaxher produkti në departamentin e marketingut në Vodafone.

Telekom Albania, një tjetër kompani e madhe internet dhe ISP, tha për BIRN se zbaton legjislacionin shqiptar por refuzoi të komentojë më tej. Në websajtin e kompanisë nuk përmendet asnjë mekanizëm i kontrollit prindëror.

Pedagogia e drejtësisë penale, Evisa Kambellari beson se ISP-të duhet të garantojnë që minorenët të mos shohin materiale për të rritur online,

Ekspertët, përfshirë dhe autorët e raportit të World Vision, janë shumë kritikë ndaj faktit që ISP-ve nuk u kërkohet me ligj që të sigurojnë kontroll prindëror të internetit.

“ISP-të duhet të garantojnë që ata që janë nën 18 vjeç të mos kenë akses në këto faqe. Por nuk ka asgjë që i detyron ata nga ligjore”-thotë Kambellari.

Në një deklaratë të shkruar, zyra e Milena Harito, Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike tha për BIRN se bashkë me 3 ministri të tjera dhe organizatat e shoqërisë civile po hartojnë një plan të ri kombëtar për sigurinë e fëmijëve në internet që pritet të publikohet në mars.

E pyetur për të komentuar drejtpërdrejtë mbi faktin se pse ISP-të nuk janë të detyruar ligjërisht të ofrojnë programme të kontrollit prindëror, deklarata thekson se “Kodi i Sjelljes” është hartuar nga vetë ISP-të në bashkëpunim me ministrin e TIK të asaj kohe. “Lidhur me atë çka duhet të ofrojnë ISP-të për mekanizma filtrues dhe të kontrollit prindëror, ky proces është inkurajuar prej nesh”-thuhet në deklaratë.

Rudolf Papa, drejtor I kabinetit në Autoritetin Shqiptar të Komunikimeve Elektronike dhe Postare shprehet se do të ishte mirë të kishte një ligj që I detyron ISP-të për të ofruar aplikacione të kontrollit prindëror, por thekson se kostoja e një procesi të tillë duhet marrë parasysh dhe se vetëm kërkesa e lartë nga prindërit mund të garantojë që të ofrohen këto programe.

Megjithatë, ai insiston se “Kodi I Sjelljes” nuk duhet marrë si pa vlerë. “Edhe nëse nuk është detyrues nga ana ligjore, është gjithësesi I vlefshëm. Në momentin që të dyja palët (qeveria dhe ISP-të) e kanë nënshkruar, sepse kodi….nuk është shkruar kot”.

Veç përqindjes së lartë të fëmijëve shqiptarë që zgjedhin të shohin pornografi online, 45 % e të gjithë fëmijëve që morrën pjesë në studimin e World Vision thonë se janë ekspozuar pa dëshirën e tyre ndaj këtyre materialeve çdo ditë.

“Pjesa më e madhe e materialit pornografik i padëshiruar shihet në qendra internet, siç theksojnë 52 % e fëmijëve në zonat rurale dhe 61 % e fëmijëve në zonat urbane”-thotë raporti.

World Vision i ka bërë apel qeverisë që rë punojë me internet kafetë për të përforcuar krijimin e “zonave miqësore për fëmijët” që i lejon ata të lundrojnë të sigurt në internet përmes aksesit të rregulluar paraprakisht që kufizon hyrjen në faqe për të rritur, duke i mbrojtur nga materialet që shohin adultët në të njëjtin vend.

Prindërit neglizhojnë ndaj sigurisë në internet

E megjithatë ekspertët besojnë se prindërit nuk janë të informuar mjaftueshëm për nevojën e monitorimit të fëmijëve online dhe mjetet e disponueshme për ta bërë këtë.

“Sot ka plot programe për të kontrolluar internetin por prindërit nuk janë të informuar për këtë”-thotë Zhilla.

Komentet e tij duket se konfirmohen nga prindërit me të cilët BIRN ka biseduar. Në fakt nga 5 prindër të pyetur, vetëm një ishte në dijeni të ekzistencës së këtyre aplikacioneve që i ndihmojnë ata të kontrollojnë atë çka fëmijët shohin në internet.

Një baba i dy fëmijëve të moshave 11 dhe 15 vjeç thotë se kompania e tij e internetit nuk i ka përmendur kurrë produkte për kontrollin prindëror, ndërsa një nënë në Kosovë thotë se aktivizoi kontrollin pasi vajza e saj adoleshente bëri disa komente nga të cilat ajo kuptoi se (vajza) kishte informacion mbi seksin.

ABCOM, një tjetër ofrues i shërbimit të internetit ofron programe për kontrollin prindëror. Megjithatë Igli Gjoni, drejtori i marketingut dhe shitjeve në këtë kompani, thotë se prindërit rrallë i aktivizojnë, edhe kur ato janë të disponueshme.

Në fakt, Gjoni pohon se vetëm 200 nga 50 mijë klientë kanë aktivizuar shërbimin e kontrollit prindëror për internet të sigurt, çka do të thotë vetëm 0,3 % e abonentëve.

“Ne ofrojmë shërbimin “internet i sigurt” në 3 nivele të ndryshme, sipas kërkesave të klientëve dhe pa pagesë, në mënyrë që ti japim prindërve mundësinë që të bllokojnë faqe të caktuara apo të kontrollojnë nivelin e aksesit sipas moshës”-thotë ai.

“Ne gjithmonë i ofrojmë shërbime dhe i informojmë ata, ndërsa pjesa më e madhe e prindërve neglizhojnë. Mendoj se ata nuk janë të vetëdijshëm mbi rreziqet që fëmijët e tyre hasin duke hyrë në ëebsajte të panjohura dhe duke parë skena të dhunshme dhe pornografike”

Tartari i Albtelecom gjithashtu thekson se pavarësisht se kompania nuk ofron programme specifike të kontrollit prindëror në internet, prindërit rrallë herë i kushtojnë vëmendje këshillave mbi sigurinë në internet që kompania ofron.

“Ata (prindërit) duhet të jenë më të vëmendshëm kur vijnë për të kërkuar shërbim internet sepse zakonisht vijnë e shkojnë shumë shpejt. Prindërit duhet të jenë më të përgjegjshëm mbi rreziqet që fëmijët e tyre hasin në internet”-thotë ai.

Ekspertët pranojnë se prindërit janë linja e parë e mbrojtjes për të siguruar lundrimin e sigurt të fëmijëve në internet. Në raportin e World Vision, 48 % e fëmijëve pjesëmarrës thanë se do ti tregonin së pari prindërve mbi rreziqet online. Ndërsa shumë pak prej tyre do ti raportonin mësuesve apo policisë.

Psikologia Sulstarova i bën thirrje prindërve të ndërmarrin një qasje proactive për të mbrojtur fëmijët e tyre, dhe thekson se kërcënimet nuk janë më pak reale sepse janë në internet dhe në dukje “virtuale”

“Unë nuk mund të kontrolloj pjesën e errët të njerëzve, por mund të kontrolloj dhe mbroj fëmijët e mi”-thotë ajo. “Apeli im është vetëm për prindërit. Mos i lini fëmijët tuaj të shkojnë vetëm nëpër internet kafe dhe kontrolloni çfarë faqesh shohin ata”.

Ky artikull u prodhua si pjesë e Iniciativës AlumniBursës Ballkanike për Ekselencë në Gazetari, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative

LEAVE A REPLY