“Në mesin e grave ka prej tyre mjaftueshëm të edukuara që mbulojnë kryet me dinjitet për të ruajtur bukurinë e tyre para të huajve, por ka dhe të tjera të cilat janë  të detyruara nga shoqëria të ecin majë takave me vështirësi të dhimbshme dhe të detyruara të tregojnë hiret e tyre para  të huajve; para kolegëve dhe punëdhënësve.  

Vërtetë që dinjiteti i femrës është një ndër kriterët kryesor me të cilat matet civilizimi i një populli.” – Gabriele Iungo 

“Integrimi i femrës muslimane në shoqërinë tonë nuk është e lehtë për një sërë arsyesh: paragjykimi, frika nga e ndryshmja, stigmatizimi dhe përgjithësimi.” -Alessandra Teichner

Sipas institutit Pew Research,  rreth 23 %  e popullsisë botërore përbëhet nga muslimanë që përkthehet në një shifër prej 1,6 miliard njerëzish. Më konkretisht në Europë janë rreth  43.490.000. Gjermania dhe Franca mbajnë rekordin përkatësisht me një numër prej 4.760.000 dhe  4.710.000 muslimanë. Ndërsa në Itali muslimanët numërohen rreth 2.220.000.

11 Shtatori, Atentati i Madridit, Atentati i Londrës, Lindja e ISIS-it, Charlie Hebdo,  museu i Tunizisë, sa për të përmendur disa raste, kanë bërë që reflektorët të drejtohen nga muslimanët për t’i vënë ata në pozita jo të favorshme. Si rrjedhojë, një pjesë e mirë e popullsisë europiane ka formohet në mendje një ekuacion sipas të cilit muslimanët janë “armiku”.

12208822_10204227316556810_9016686909053525321_n
Sophia Shang

“Të jetosh në një vend perëndimor për muslimanet me shami do të thotë që të marrësh parasysh edhe paragjykimet. Të ecësh nëpër rrugë dhe të ndihesh e vështruar. Futesh në metro dhe shikon se si njerëzit largohen prej teje. Ndoshta jo shpesh, por ndodh. “Hiqe atë shami nga koka!” “Kthehu në vendin tënd!” “Terroriste!”, janë ofendimet më të shpeshta që dëgjoj.”-  thotë mikesha ime kineze Sofia (që në të vërtetë quhet Tsung Tsung Shang) e cila gjendet në Foggia të Italisë prej gjashtë muajsh si pjesë e programit Erasmus.  Sofia studion Marketing në Universitetin Gazi në Ankara, Turqi.

Esraa Abou El Naga është një italiane me origjinë nga Egjipti. Ajo ka zgjedhur të mbulohet në moshën 13 vjeçare. Ka studiuar Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Institucionet Europiane në Università degli Studi di Milano.

581923_10205387136020761_7235436477915858557_n
Esraa Abou El-Naga

Për Esraa-n vënia e shamisë ka qenë një zgjedhje personale.  Ajo thotë se për vajzat italiane apo ato që jetojnë në Itali shamia vjen si zgjedhje edhe sepse motivohen nga mjedisi rrethues. Kjo për arsye se duke zgjedhur që të jetosh si pjesë e një  komuniteti fetar ku praktikohet shamia atëherë marrja e vendimit vjen natyrshëm (kur sheh se ka dhe plotë të tjera si ti).

Një tjerër vajzë, Vajada Manjani, nga Shqipëria, por që prej vitesh jeton në Itali, është diplomuar në Universitetin e Brescias për Ekonomi dhe Biznes dhe ka një master në “International Commerce” pranë Universitetit të Padovas. Ushtron prej vitesh pasionin e saj për publicistikën dhe përkthimet me eksperiencë si bashkëpunëtore pranë Revistës “Familja” si dhe gazetave e platformave të ndryshme online si dhe aktiviste vullnetare nëpër shoqata të ndryshme.

Për Vajadën, femrat musliane në Itali përballen me rrethana të vështira socio-ekonomike dhe politike, të cilat nuk ua lehtësojnë apak përshtatjen dhe integrimin, qoftë në shoqëri apo në tregun e punës.

2466_1117997629061_8188990_n
Vajada Manjani

“Në Itali, femra muslimane e gjen veten në mes të një kompleksiteti rrethanash shoqërore, ekonomike dhe politike që nuk e favorizojnë në përshtatjen e saj si në shoqëri ashtu edhe ne ekonominë e vendit, por e shtyjnë në menyrë të pa shmangshme drejt izolimit shoqëror dhe varësisë ekonomike. Në pjesën më të madhe të rajoneve italiane, kontaktet e familjeve me njëra-tjetrën përgjithësisht limitohen në lidhje shumë të dobëta farefisnore dhe në rrethe të ngushta miqsh siperfaqësorë. Struktura shoqërore që krijohet favorizon veçimin dhe mos integrimin e emigrantit në përgjithësi dhe familjes muslimane në veçanti. Nga ana tjetër, egziston “il mondo del lavoro”(bota e punës), në këtë aspekt Italia është një vend mjaft kompleks dhe me problematika të thella të cilat përkthehen në renditjen e këtij vendi në Pigs-at e Evropës (“derr-anglisht” Term talles i përdorur në ambjentet e Eurozonës për të pershkruar vendet më të dobëta ekonomikisht Portugalinë-Italinë-Greqinë- Spanjën). Në këto makro-kushte, papunësia e vetë të rinjve Italianë arrin nivele alarmante dhe kjo nuk mund të mos përkthehet edhe në punësimin e muslimaneve me shami. Më konkretisht, përtej një kurrikulumi të shkëlqyer, apo aftësive  për kryerjen e detyrës, ambientet ekonomike të cilave u jam drejtuar kanë shprehur mosbesim dhe refuzim për të punesuar kuadro të nivelit të lartë me shami. Ky refuzim, lidhet jo vetëm me paragjykimet në ambientet e brendshme të strukturës, por edhe për sa i përket frikës se në sektorin ku ajo operon do të marrë etiketimin si “firmë islamike” duke humbur klientë apo fornitor. Në këto kushte, femra muslimane detyrohet të dedikohet ekskluzivisht ambienteve familjare dhe rritjes së fëmijëve.” – tregon Vajada.

Mileda Kolldani
Mileda Kolldani

Kurse Mileda Kolldani, 29 vjeçe, studente në vitin e fundit Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Trento-s dhe nënë e tre fëmijëve, e cila po ashtu jeton në Itali, thotë se nuk është e lehtë të jetosh në një shoqëri dhe një vend të mbushur me paragjykime nga mediat. Për të, problemi shfaqet kur duhet të punosh në vende apo profesione ku ti je në kontakt me klientin. E kjo situatë është rënduar akoma më shumë pas sulmeve të Parisit.

“U bënë thuajse 12 vjet që jam në Itali. Kam ardhur këtu sapo mbarova medresenë  për  të vazhduar studimet e larta bashkë me të fejuarin tim. Në vitin e parë në fakultet nuk kam qenë e mbuluar.  Ditën që vura shaminë hasa vetëm disa shikime kurioze dhe jo më shumë. As nga ana e profesorëve nuk kam pasur asnjë lloj diskriminimi. Gjërat ndryshojnë disi kur i afrohesh tregut të punës. Duhet sqaruar se në Itali vështirë të mbizotërojë meritokracia. Për sa i përket profesioneve si infermiere, dado, operatore call center etj. shamia nuk përbën aspak shqetesim këtu në Itali. Problemet fillojnë kur  një vajzë me shami të duhet ta vesh në kontakt me publikun, qoftë shitëse, sekretare apo në bankë. Kohët e fundit , fill pas atentateve të Parisit  situata ishte e tensionuar për vajzat me shami pikë së pari pasi ato janë simboli (përfaqësimi) i drejtpërdrejtë i Islamit për kë i ndesh në rrugë, dhe shpesh shoqërohen me shikime jo miqësore, dyshyese dhe fjalë fyese kur janë në ambiente publike. Kjo varet dhe nga qyteti ku banon dhe ndejshmëria e tij për ngjarjet e fundit.  Personalisht ku banoj asgjë nuk ka shkuar përtej shikimeve dyshuese, por nuk kanë munguar as buzeqeshjet  solidare si për të thënë që “ne e dimë që ti nuk je ashtu si të pershkruajnë në TV”.   Pavarsisht të gjithave ne vazhdojmë të kemi ende xhaminë tonë shqiptare këtu me aktivitete, mesime edhe për femijë që prej 8 vitesh tashmë. Jemi munduar gjithmonë të jemi pikëlidhjeje  mes muslimaneve që banojnë këtu, shoqerisë dhe institucioneve që kanë qenë gjithnjë në dispozicion.” – thotë ajo.

1661948_10206687465919786_2764401437504021502_n
Ajkuna Ristami

Ajkuna Ristami, e diplomuar si studente e ekselencës në degën Financë-Kontabilitet pranë Fakultetit te Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Master në Menaxhim Bisnesi pranë Universitetit Epoka. Aktualisht, studente masteri në degën Ekonomiks dhe Ekonomi Politike pranë Universitetit të Bolonjës, Itali. Ajo na tregon për eksperiencën e saj, pritshmeritë dhe realitetin e përditshëm me të cilin përballet si femër muslimane e mbuluar.

“Ëndrra ime për të ndjekur studimet në një qytet të Europës mori jetë në Bologna. Ndihesha e privilegjuar që do kisha mundësinë të ulesha në auditoret e universitetit më të vjetër në botë. Më herët kisha bindjen se në vendet europiane liria e besimit respektohej si e tillë, dhe zgjedhja e manifestimi i besimit nuk do të nderhynte në jetën sociale e akademike të individit.

Por, shumë shpejt kuptova që kjo mundësi do ta humbte shkëlqimin në sytë e mi për shkak se unë në sytë e Bolognës mbaja “velin”, mbulesën islame.  Sot, mund të them se nuk është aspak e lehtë të integrohesh dhe të bëhesh pjesë e komunitetit. Mbase duket paradoksale që një mbulesë më shumë a më pak të jetë kaq përcaktuese në marrëdhenien me vendasit.

Mendoj se janë disa faktorë që gjenerojnë një mjedis aspak të favorshëm e diskriminues për një  vajzë të mbuluar në Itali. Një vend me traditë e kulturë të krishterë nuk e ka aspak të lehtë të presë vajza me mbulesë si potencial dobiprurës. Mbulesa identifikohet menjeherë me arabët dhe me traditën  e tyre se sa me zgjedhjen personale të njeriut.  Perceptohet si një lloj kulture e importuar që nuk përkon aspak me civilizimin italian. Këtë fenomen e kanë përforcuar ngjarjet e Francës e Parisit ku njerëzit nuk janë në gjëndje të bëjnë dallimin e për rrjedhojë e shprehin mospranimin te besimtarët me të cilët ndajnë të njejtin qytet .

Më është dashur të përballem shpesh me lloj lloj paragjykimesh, frikërash e diskriminimesh.

“Gjithsesi, beteja nuk është e humbur!- thotë ajo. “Besimi që na bën të mbajmë mbulesën na jep dhe forcën për të mos u dorëzuar, e për të kërkuar më të mirën.”

E me gjithë retorikën islamofobe dhe realitetin italian, këto vajza kanë ditur t’i përballojnë me dinjitet vështirësitë e të arrijnë sukses në profesionet e tyre. Një nga këto është edhe  Egesta Lopçi, një tjetër shqiptare e cila e ka krijuar të ardhmen e saj në shtetin fqinj.

Ka më shumë se 18 vite që jeton në Itali. Ka mbaruar studimet në Bologna ku prej vitesh është e angazhuar në fushën kërkimore onkologjike në Itali pranë Istituto Clinico Humatinas. Gjatë kësaj periudhe ka botuar një sërë artikujsh shkencorë dhe është bashkautore në mjaft libra të profilit.

Studiuesja shqiptare Egesta Lopçi e vlerësuar me çmimin ndërkombëtar për kërkimin më të mirë në fushën e diagnostifikimit të tumoreve nga Shoqata Europiane për Mjekësinë Bërthamore, është ngjitur tashmë në majat e shkencës botërore në këtë fushë, teksa prej vitesh është lektore në një nga universitetet më të mira në Itali. Duket se studiuesja ka ndërtuar një të ardhme të shkëlqyeshme në Europë. Puna e saj kërkimore përqëndrohet në përmirësimin e metodave diagnostikuese të tumoreve, duke krijuar mundësi më të mëdha kurimi, çka do t’i shërbejë pacientëve nëpër botë.

Egesta mishëron shembullin e suksesshëm të studentëve shqiptarë në Itali, megjithëse ky vend akoma nuk e ka vizionin e duhur për nevojën e investimit në fushën kërkimore, në mënyrë që të parandalohet largimi i trurit apo të joshet potenciali i huaj. Egesta, për më tepër, është shembulli i heshtur i një myslimaneje të devotshme, që, ndonëse e emigruar në një vend tradicionalisht katolik dhe me laicitet të konsoliduar, nuk e fsheh aspak besimin e saj, dhe ndërkohë, pavarësisht kësaj, ajo shpërblehet pa hezitim për përkushtimin kërkimor, gjë që nuk ndodh në Shqipëri me bashkëfetaret e saj.

Muslimanja.com

LEAVE A REPLY