Një gjykatës kanadez pezulloi të premten një pjesë të ligjit të Quebec-ut që i ndalonte femrat të mbanin mbulesë të fytyrës gjatë dhënies ose marrjes së shërbimeve publike, duke u dhënë një fitore të përkohshme grupeve të lirive civile që argumentonin se ligji është jokushtetues dhe diskriminon gratë muslimane.

Gjykatësi Babak Barin pezulloi pjesën e aktit që ndalon mbulesën e fytyrës derisa qeveria të nxjerrë udhëzime se si do të zbatohet ligji dhe si mund të miratohen përjashtime. Qeveria e provincës kryesisht frëngjishtfolëse e Quebec-ut tani ka një shans për të sqaruar me hollësi se si do të vihej në praktikë ligji.

Ligji, i miratuar në tetor, prek të gjithë: nga mësuesit dhe studentët tek punonjësit e spitalit, policët, shoferët e autobusëve dhe përdoruesit e tranzitit.

Edhe pse ligji nuk përmend asnjë fe me emër, debati është përqendruar në nikab, një vello e plotë e fytyrës së veshur nga një pakicë e vogël e grave muslimane.

Gjykatësi “e njohu dëmin e menjëhershëm që ligji u shkaktoi njerëzve që prek ligji”, tha avokatja Catherine McKenzie, e cila përfaqëson njerëzit që po sfidojnë ligjin, për Reuters.

Qeveria Liberale e Quebec-ut është duke mbrojtur ligjin në gjykatë, duke thënë se nuk diskriminon gratë muslimane dhe është e nevojshme për arsye të sigurisë, identifikimit dhe komunikimit. Emri i aktit i referohet “neutralitetit fetar” dhe “akomodimit në baza fetare”.

Këshilli Kombëtar për muslimanët kanadezë e mirëpriti vendimin “si një hap të parë të suksesshëm”, tha drejtoresha e saj ekzekutive Ihsaan Gardee.

Kundërshtarët e ligjit thonë se ajo synon një pakicë të dukshme që i është nënshtruar kërcënimeve dhe dhunës. Quebec-u ka rreth 243,000 muslimanë që nga viti 2011, nga një popullsi prej 8 milionë banorësh.

Në janar, një person i armatosur hyri në një xhami në Quebec City dhe qëlloi gjashtë vetë për vdekje. Një student i universitetit francez-kanadez është akuzuar si i dyshuari i vetëm.

Franca, Belgjika, Hollanda, Bullgaria dhe shteti gjerman i Bavarisë kanë vendosur kufizime në mbajtjen e mbulesës së fytyrës në vende publike. Danimarka poashtu ka në plan të vendosë ndalesën.

LEAVE A REPLY