Me mijëra vite gratë kanë lënë shenjë në shoqëri, duke ndryshuar disa herë rrjedhën e historisë dhe duke ndikuar dukshëm në sfera të ndryshme të jetës. Në civilizimin islam, gra të jashtëzakonshme me fe dhe përvoja të ndryshme, punuan përkrah burrave në zhvillimin e shoqërive të tyre.
Historitë e tyre inspiruese, karakteret karizmatike dhe vendosmëria për të kontribuar në zhvillimin e mjedisit të tyre i bën ato ikona që udhëzojnë gra dhe burra të rinjë sot.
Në atë kohë gratë merrnin pjesë në të gjitha sferat e jetës. Kishte gra që ishin kampione në sferën e arsimit dhe kulturës siç ishte Fatima al-Fihri, të tjera që u shquan në matematikë si Sutayta al-Muhamili, pastaj në fushën e mjekësisë, administrim dhe menaxhim, filozofi dhe art.
Të tjera luajtën rol kyç në politikë duke sunduar territore të rëndësishme në civilizimin islam, siç ishin Labana e Kordobës ne sh.X nga Spanja, Sitt al Mulk e sh.XI nga Egjipti, Melike Mama Hatun e sh.XII nga Turqia, Razia sulltanesha e Delhit( Indi) në sh.XIII dhe shumë të tjera.
Në festimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas ne i nderojmë disa nga këto gra të jashtëzakonshme duke i përkujtuar ato dhe kontributin e tyre, duke shpresuar se kërkime të reja nëpër dorëshkrime të arkivuara në vende të ndryshme të botës do të sjellin në pah edhe shumë gra të tjera dhe arritjet e tyre në këtë periudhë.
Le të shohim disa nga këto gra të mahnitshme:

Fatima Al-Fihri shk.IX
Fatima luajti një rol shum të rëndësishëm në shoqërine e saj për sa i përket civilizimit dhe kulturës. Ajo migroi së bashku me babain e saj Muhamed al-Fihrin nga Tunisia për në Marok. Së bashku me motrën e saj ato u rritën në një familje të arsimuar dhe mësuan Fikhun( jurisprudencë islame) dhe shkencën e Hadithit.
Fatima trashëgoi një sasi të konsiderueshme të pasurisë së të atit me të cilën ajo ndërtoi një xhami. E themeluar në vitin 859 xhamia Kuravijjin brenda saj kishte edhe universitetin më të vjetër në botë. Studentë nga e gjithë bota shkonin atje për të studiuar për Islam, astronomi, gjuhë dhe shkencë. Numrat arabë në Europë u bënë të njohur dhe u përdorën falë këtij universiteti.
Ky është vetëm një shembull i rëndësishëm i rolit të grave në zhvillimin e arsimit dhe civilizimit.

Al Ilija al-Astrulabi
Ndërtimi i astrolabeve, mjet që i takon një dege të shkencave ekzakte, praktikohej në atë kohë nga shumë shkencëtarë, duke përfshirë edhe gratë, njëra prej të cilave ishte edhe Maryam “Al-Astrulabiya” nga Aleppo (Siri), e cila ndoqi profesionin e babait të saj dhe u punësua në gjykatën e Sayf al-Dawlah një nga sunduesit e fuqishëm hamdanit në Sirinë veriore i cili mbrojti kufijtë nga sulmet bizantine në shk.X.

Sutayta al- Mamali
Sutayta kishe marrë mësime nga shumë dijetarë të kohës, përfshirë edhe babain e saj. Vdiq në vitin 987. Sutayta nuk kishte specializuar vetëm në një lëmi të caktuar por shkëlqente në shumë fusha siç ishte letërsia arabe, hadith, jurisprudencë dhe matematikë. Thuhet se ka qenë eksperte e aritmetikës dhe kalkulimeve suksesive, dy degë të matematikës që ishin shumë të zhvilluara në kohën e saj. Mendohet gjithashtu se ajo ka gjetur zgjidhje të ekuacioneve të cituar nga matematicient të tjerë, gjë që tregoi zotësinë e saj në algjebër. Edhepse këto ekuacione ishin të pakta ato dëshmuan se aftësitë e saj në matematikë shkuan përtej një zotësie të thjeshtë të kalkulimeve.

Zaynab Al-Shahda shk.XII
Zaynab ishte një kaligrafe e famshme e njohur për punën e saj në Fikh dhe Hadith. Ajo kishte reputacion të lartë dhe u zgjodh mësuese e Jakutit, sundimtarit të fundit të abasidëve.
Ajo gjithashtu ishte kaligrafe e Pallatit Musa. Ajo ishte një mësimëdhënëse mendjemprehtë, e formuar mirë dhe shumë njerëz patën mundësinë të studjojnë dhe të marrin mësim nga ajo. Ajo kaloi jetën e saj duke studjuar shkencë dhe literaturë.

Sulltanesha Xheuher Nesibe
Ishte princeshë e sulltanatit të Rumit, vajza e Kilixh Arsllanit të II, dhe gruaja sipas së cilës u emërua kompleksi në të cilin përfshihej një spital, shkollë e mjekësisë dhe një xhami, në Kajseri të Turqisë. Ky kompleks konsiderohet një nga monumentet më eminent të arkitekturës së Selxhukëve.
Spitali ishte ndërtuar ndërmjet viteve 1204-1206, dhe shkolla e cila filloi të ndërtohet menjëherë pas vdekjes së Xheuheres në vitin 1206, u përfundua në vitin 1210. Kompleksi u emërua në nder të princeshës. Varri që gjendet brenda shkollës thuhet se është i princeshë Xheuheres.

Mbretëresha Amina e Zarias shk.XVI

Gjatë civilizimit islam gratë u shquan në fusha të ndryshme edhe ne Afrikën Subsahariane. Në mesin e tyre ishte edhe mbretëresha Amina, vajza më e madhe e Bakva Turunku, themeluesit të mbretërise Zazzam ne vitin 1536. Amina erdhi në pushtet mes viteve 1588-1589.
Ajo përkujtohet për aftësitë e egra ushtarake. Një kualitet i saj ishte strategjia luftarake dhe aftësia inxhinierike në ngritjen e kampeve murore. Ajo njihet si ideatore e murit të famshëm Zaria.

Lady Mary Wortley Montagu shk.XVIII
Ajo nuk i takon drejtpërdrejtë civilizimit islam, por aristokratja angleze sot veçanërisht kujtohet për letrat e saj nga Turqia, nëpërmjet të cilave tregon jetën në botën islame ( orient).
Përderisa Lady Mary ishte në Perandorinë Osmane, ajo zbuloi praktikat lokale lidhur me vakcinimin kundër lisë. Lady Mary e cila vet kishte vuajtur nga kjo sëmundje, inkurajoi fëmijët e saj të vakcinohen përderisa ishin në Turqi.
Kur u kthye në Londër, ajo me entuziazëm promovoi këtë procedurë, por hasi në kundërshtime. Megjithatë shembulli i saj padyshim e popullarizoi vakcinimin kundër lisë në shoqërinë e lartë britaneze. Numri i të vakcinuarve mbeti i vogël sepse mjekësia e shk.XVIII ishte e përqëndruar në zvoglimin e rrezikut dhe efekteve anësore të vakcinimit.


Përktheu: Nermine Ibraimi

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.