Dy lloj imazhesh më vijnë në mendje kur mendoj për aktivitet e shoqatave bamirëse në Shqipërinë e pas komunizmit: shoqatat arabe duke ofruar hurma, mish kurbani, iftare dhe kurse fetare si dhe shoqatat amerikane ose çfarëdo lloj origjine tjëtër por me natyrë fetare të krishterë (duke përfshirë këtu protestantët, mormornët etj.) me kurse anglishteje dhe libra falas. Nuk dëshiroj të analizoj se kush ka bërë më shumë apo më pak, kush pati më shumë sukses e kush jo, e as që kam ndërmend të bëj krahasime apo paralelizma vetëm se të theksoj se të dyja llojet e shoqatave me frymë fetare patën dhe vazhdojnë të kenë goxha impakt në komunitet, ndoshta dikur më shumë se sa sot.

Më vonë filluan të lindnin edhe organizime dhe nisma të tjera me karakter humanitar por tashmë jo vetëm me frymë fetare. Është për t’u vlerësuar shtimi i këtij numri dhe impakti është i dukshëm në shoqëri: njerëzit po ndërgjegjësohen dhe po shtohet fryma vullnetare dhe humanitare falë dhe ndihmës së mediave sociale ku thirrjet për kontribut janë bërë më lehtë për t’u shpërndarë.

Këto ditë kam hasur në një histori motivuese në lidhje më një grua bamirëse, treguar nga babai i saj, e cila po frymëzon komunitetin musliman në trevat shqiptare si dhe në diasporë. Bëhet fjalë për Albana Gurgurovci, një muslimane shqiptare e Kosovës e cila jeton në Zvicër. Aktualisht ajo ndodhet në Bangladesh si pjesë e një programi bamirësie në ndihmë të muslimanëve Rohinga. Albana prej rreth 7 vjetësh punon si vullnetare në një qendër islame në Zvicër. Së bashku me ekipin e saj, prej disa ditësh, po ndajnë ndihma në Bangladesh për të lehtësuar gjendjen e rohingave nëpër kampe.

Armida Plumbi dhe projektet bamirëse nën strehën e Shoqatës Kulturore “Gruaja”

Armida e ka nisur përfshirjen e saj me ndihmën ndaj personave në nevojë që në shtator të vitit 2011, ku nisi të punojë pranë Shoqatës Kulturore “Gruaja” (SHKG). Kjo OJF ka pjesë të saj Departamentin Social, puna e të cilit konsiston në kontributin e vazhdueshëm në ndihmë të njerëzve në nevojë dhe familjeve me fëmijë jetimë. Bamirësia si element në këto projekte ka qenë e llojeve të ndryshme, duke filluar që nga përkrahje financiare për familje në nevojë si: ushqimet mujore, elektroshtëpiake, dhurimi gjedhësh e bagëti të imëta për familjet në zona rurale, dhurimi makina qepësesh si një mjet për të kontribuar sadopak në krijimin e të ardhurave personale deri tek ndihma ndaj jetimëve, shtrime iftaresh, dreka bamirësie, ndihmat financiare, mjekësore etj.

Nisa të punoja pranë Shoqatës Kulturore “Gruaja”, pikërisht për atë afrimitetin që ndieja pranë këtij insitucioni. Punën e nisa si përgjegjëse e Departamentit Social. Më pëlqente shumë dhe ndihesha e mbushur shpirtërisht teksa ndihmoja familjet në nevojë. Kjo ndjenjë vazhdon të më shoqërojë edhe sot, ku së bashku me pjesën tjetër të stafit ndihmojmë dhe mbështesim me qindra familje në nevojë kudo nëpër Shqipëri. Shpresojmë që tek Zoti i Madhëruar të jenë shënuar tek punët tona të mira. Ky lloj aktivizmi më bën të ndihem mirë dhe më duket si një mision, të cilin e kam nisur dhe dua ta vazhdoj edhe për shumë vite. Dëshiroj të përmend këtu hadithin “Dora që jep është më e mirë se dora që merr” dhe është realisht kështu. Nëse nevojtarit i mbushen duart nga bamirësia, bamirësit i mbushet shpirti dhe kjo është një ndjenjë e mrekullueshme. Ndaj është e nevojshmë që edhe fëmijët tanë t’i edukojmë me frymën e të bërit mirë dhe me ndjenjën e humanizmit. Besoj që vetëm kështu shoqëria do të përmisohet. Kush vazhdon në mirësi, Allahu do t’i jap sukses në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “Bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit!” tregon Armida.

Arsenta Sulejmani dhe nisma “Reyyan Humanizmi dhe Shpresa”

Arsenta është vetëm 22 vjeçe, durrsake, studente për Stomatologji viti i pestë. Në të njëjtën kohë drejton një biznes të vogël të familjes dhe është e angazhuar me aktivitete sociale dhe kulturore. Për të, nismat humanitare nuk janë thjeshtë një mbushje e kohës së lirë me përfshirje në vullnetarizëm. Bëhet fjalë për diçka më tepër se kaq. Arsenta ka arritur të themelojë nismën Reyyan, në janar te vitit 2013. Nisma në fjalë është një ndër përparësitë e saj kuptohet pas studimeve dhe përgjegjësive familjare.

Nisma Reyyan Humanizmi dhe Shpresa është një nismë krejtësisht vullnetare humanitare për t’i dhënë shpresë individëve në nevoja ekonomiko-sociale kryesisht në qytetin e Durrësit dhe rrethinat e tij. Ajo që e karakterizon më së shumti këtë grup vajzash është se shumica janë shumë të reja në moshë dhe plot dëshirë dhe motivim për të bërë një ndryshim sado të vogël në komunitetin e tyre.

“Sikurse humanizmi dhe shpresa janë dy elementë të cilët na identifikojnë dhe dallojnë në raport me krijesat e tjera edhe individi nëqoftë se nuk është human duke dhuruar mirësi, shpresë dhe dashuri e ka të pamundur të marrë kënaqësi. Kjo është arsyeja e themelimit  të kësaj nisme. E gjitha nisi me një projekt vullnetar për të ofruar falas mësimin e gjuhëve të huaja pranë Shoqatës së Fëmijëve Jetim, selia Durrës. Ajo ç’ka u jepja atyre fëmijëve ishte shumë e vogël në raport me atë ç’ka kam marrë në këmbim për rreth 15 muaj. Përfshirja në këtë vullnetarizëm më beri të ndermerrja hapa më madhore me qëllimin e vetëm lehtësimin e jetesës së të personave në nevojë dhe sigurisht fitimin e kenaqësisë së Krijuesit. Në shtator të vitit 2014 është themeluar Organizata humanitare jo fitimprurese me veprimtari në qarkun e Durrësit duke vizituar në menyrë periodike familjet me probleme ekonomike e sociale kryesisht me fëmije jetim dhe familjarë të sëmure, vizita e femijeve ne Shtepine e Foshnjes dhe Femijes, vizitat periodike ne Qendren Rezidenciale per Zhvillim në Qendrën Ditore për të Moshuarit, iftare për Ramazan etj.

Jemi munduar të fokusohemi më së shumti në këto qendra sepse te moshuarit janë e shkuara dhe fëmijet e ardhmja e një shoqërie, pa një sinkronizim të tyre nuk mund të ketë vazhdueshmëri dhe harmoni në një komb. Sa i përket familjeve padyshim që është një problematikë dhe njëkohësisht plagë e shoqerisë sonë.

Vetëm nuk mund të bëjmë shumë, sëbashku mund të përmiresojmë gjithçka sepse bashkimi sjell ndryshim. E rëndësishme është të perdorim kohën dhe mundesitë për të dhënë kontributin tonë.

Askush nuk varfërohet nga të dhenurit. Nëse nuk mundemi me shumë monetare ose materiale mundemi me kohë, pozitivititet dhe lutje.”

Farije Dauti Bakiu dhe thirrjet për bamirësi

Gazetarja nga Maqedonia është një shembull frymëzues se si mediat sociale mund të përdoren për vepra humanitare duke organizuar fushata individuale. Falë angazhimit të saj duke postuar thirrje për kontribut për raste si: nevojë për rindërtim, lyerje apo furnizim shtëpie, paisje invalidëve me karrocë të përshtatshme, përkrahje financiare dhe sidomos ka dhënë një kontribut të veçantë për mbledhje fondesh, gjithmonë në mënyrë vullnetare dhe pa përkrahjen e ndonjë shoqatë, me rastin e katastrofës së përmbytjes në Shkup fundverën e vitit të kaluar e cila nuk përsëritej prej 238 vjetësh. Gjithashtu ajo bën thirrje shpeshherë për të adresuar personat të cilët duan të japin e të falin diçka drejt institucioneve apo organizatave të posaçme.

“E kemi në dorë vetë se si do t’i përdorim gjërat në jetë. Kemi dy mënyra për të njejtat gjëra por varet nga ne se cilën do të zgjedhim nga këto dy alternativa: t’i përdorim ose keqpqërdorim, dhe kjo vlen qoftë kur bëhet fjalë për profesionin, ndonjë objekt apo rrjetet sociale. Gjithmonë i kërkoj Zotit të më mundësojë të jap dhe të marr më të mirën nga këto. Faliminderimi i takon të Plotëfuqishmit që më mundësoi ta shfrytëzoj profesionin, njohjet, networkun dhe mediat sociale për sensibilizim në thirrje për bamirësi. Nuk ka rëndësi se sa efekt mund të ketë, me rendësi është që ne ta bëjmë detyrën tonë për të cilën jemi urdhëruar.” tregon plot modesti ajo për Muslimania.al

Ka dhe shumë e shumë muslimane të tjera që përpiqen dita ditës për të dhënë kontributin e tyre, për të përmisuar sado pak gjëndjen e shoqërisë tonë dhe për të lehtësuar sa do pak nevojat dhe “hallet” që duken se nuk kanë të sosur. Disa i njohim disa jo, disa fshihen e disa mundohen të japin shembullin e tyre motivues, për një përpjekje dhe qëllim të përbashkët: ndihma reciproke për të cilën jemi urdhëruar. Filantropi ose jo, bamirësia duhet të na shoqërojë në çdo hap.

Muslimania.al

LEAVE A REPLY