Rritja e numrit të një popullatë të caktuar përkon edhe me rritjen e nevojës për t’iu përgjigjur asaj materialisht. Në këtë këndvështrim, studimi i demografisë na ndihmon në parashikimin e shpenzimit të popullatës si dhe nga ana tjetër ndihmon në parashikimin e fitimit në rritje që mund të presin industri të caktuara për vitet në vijim.

Vitet e fundit shumë i rëndësishëm është studimi i rritjes së numrit të popullatës muslimane në të gjithë botën. Në 2010-ën përllogaritej rreth 1.6 miliardë banorë me fe muslimane, ndërsa për vitin 2050 numri parashikohet të arrijë 2.5 miliard banorë. Kjo përkthehet ndryshe edhe si rritje e kapacitetit të tyre blerës dhe rritja e përfitimit ekonomik të mundshëm për industritë e ndryshme me karakter Islam dhe specifikisht të markuar si  “Hallall”. Natyrisht që këtu nuk ndikon vetëm numri i popullatës por edhe kapaciteti i tyre blerës. Fakti që një numër i madh i muslimanëve jeton në vende të zhvilluara ekonomikisht, rrit edhe fuqinë e tyre blerëse dhe për pasojë i bën më tërheqës për industrinë.

Në këtë kontekst, studimi i  trendit të vitit 2015-2016  është shumë i rëndësishëm për të pasur një pamje globale, sipas “State of the Global Islamic Economy Report”, konsumatorët muslimanë kanë shpenzuar rreth 230 miliard dollarë në veshje. Ky numër parashikohet të rritet në 327 miliard dollarë deri në vitin 2019. Një shifër marramendëse e cila i tejkalon shpenzimet e marra së bashku të vendeve si  Mbretëria e Bashkuar (107 miliard dollarë), Gjermania (99 miliard) dhe India (96 miliard dollari).

“Moda Modeste Islame”

Të parët që kanë kryer hapa në fushën e “Modes Modeste Islame”, ishin vetë femrat muslimane të cilat nuk ndiheshin të plotësuara dhe të përfaqësuara nga produktet që gjendeshin në treg, të cilësuara si  pa karakter dhe pa mundësi personalizimi me stilin e tyre gjithmonë e me dinamik.  Ndër të parat stiliste e cila u nxit nga kjo problematikë ishte Rabia Z e cila ka ndjerë nevojën për të pasur personalitet dhe stil në veshjen e saj dhe ka nisur të dizenjojë dhe t’i ofrojë tregut punimet e saj. Që në vitet e para biznesi dhe njohja mbarë botërore pati një hov të madh, por nuk ishte e vetme. Të njëjtin konstatim patën shumë stiliste muslimane në mbarë botën të cilat kanë sjellë risi në sferën e stilit të veshjes islame. Tani gjendemi ende në fazat e para të një zhvillimi të madhe konomik që tregu i sapo hapur i modës modeste islame është duke krijuar.

Alia Khan ka arritur të përceptojë kapacitetin e madh ekonomik të kësaj industrie dhe po punon në drejtimin e formësimit të industrisë së modës modeste islame me anë të formimit të “Islamic Fascion Council” me qendër në Dubai.

Sipas saj, stili i veshjeve islame nuk përkon me stilin e zakonshëm të modës globale. Femrat muslimane nuk janë konsumatoret e zakonshme të firmave të mëdha të veshjeve, sepse formula është e ndryshme dhe këto firma duhet të përshtaten në ndjeshmerinë që gratë muslimane kanë për veshjen e tyre. Femra muslimane e don individualitetin e saj, ajo nuk e ndjek modën dhe nuk i përshtatet gjuhës së veshjeve sezonale, dhe kjo është pjesa më e bukur e identitetit të femrës muslimane të cilën kushdo që do të hyjë në këtë treg të madh duhet ta kuptojë dhe të ketë rrespekt kur punon për ta veshur atë,” shprehet ajo për middleeasteye.net

Ajo qe është më e rendësishme në këtë kontekst, i referohet besimit të zonjës Khan se zhvillimi i stilit të veshjeve Islame do të kishte një efekt pozitiv kundra rritjes së islamofobisë për shkak se e nxjerr figurën e femrës muslimane nga stereotipet e pa fuqisë për të bërë zgjedhjet e veta sidomos në një çështje kaq delikate si vetë veshja e saj.

Gjithashtu duhet vënë në dukje edhe një ndër aspektet kritike ndaj “modës modeste islame” te cilën Sobia Ali Khan e ka analizuar për “Muslimah Media Watch” se “gjithmonë jam përsiatur tek fjala “veshje modeste”. Sa modeste është një abaya që kushton 5000 dollarë? Të krekosësh për paratë që posedon, nuk është dhe aq shumë islame, jo më modeste”.

Por cilat janë karakteristikat e tregetisë së veshjeve Islame?

  1. Elementi kryesor dhe drejtues i kësaj tregetie është pa dyshim rëndësia e fesë në jetën e muslimanit. Në Europë 1 person në 3 e konsideron fenë si të rëndësishme në jeten e tij, ndërsa në SHBA 50% e popullsisë e konsideron fenë si të rëndësishme në jetën e tyre. Por ç’ndodh në vendet Islame? Rreth 88% e popullsisë e vlerëson rolin e fesë si të rëndësishëm në jetën e tyre. Ky është një tregues shumë i rëndësishëm për sektorin e Modës Islame dhe për fidelizimin e klientit.
  2. Një tjetër element shumë i rëndësishëm në aspektin ekonomik është gjithashtu edhe demografia siç paraqitet edhe në fillim të këtij shkrimi. Në vendet islame mosha mesatare e popullsisë është 30 vjeç ndërsa në Evropë dhe SHBA mosha mesatare është 44 vjeç. Ky element tregon rëndësinë e fuqisë blerëse së rinisë konsumatore, ç’ka do të thotë dhe se trendet e konsumit janë në rritje në vitet në vjim.
  3. Elementi i tretë mjaft i rëndësishëm në aspektin ekonomik është pa dyshim GDP (Prodhimi i Brendshëm Bruto) i vendeve me shumicë të popullsisë muslimane i cili pëson një rritje prej 5.4 % në vit i krahasuar me 3.4% të Evropës dhe SHBA në vitet në vijim.

Sipërmarrësi italian Paolo Costanzo themeluesi i “Infinita Group” shprehet për “Al Jazeera-n” se “Për një kohë të gjatë konsumatorët muslimanë janë konsideruar si pasivë, të pa aftë për të zgjedhur, por tani ata janë më aktivë se kurrë dhe neve na duhet të jemi tejet të kujdesshëm për nevojat e ryre, në trendin botëror të rritjes së ekonomisë Islame, neve absolutisht nuk duam që të ngelim mbrapa, për këtë arsyje jemi duke punuar intensivisht dhe me serjozitet që të krijojmë në vendin tonë nje uebfaqe me produkte luksi dhe “Alta Moda” për konsumatorët muslimanë.”

Ndërkohë, edhe Rabia Z e cila  shprehet e lumtur që ky lloj tregu është tërheqës për industrinë e modës, sepse kjo do të përkthehet me një numër akoma më të lartë zgjedhjeje për konsumatorët, por gjithashtu ajo ngre problemin se do të ishte mirë që ky treg të mos shihej thjeshtë vetëm si një mundësi për të vjelur para nga muslimanët dhe për të përfituar nga nevojat e tyre. Ajo shprehet për Al Jazeera se punën e saj e bën me shpirt, si një mënyrë për të fuqizuar femrat muslimane, për t’i dhënë atyre më shumë zgjedhje e për t’i ndihmuar që të shprehin vetveten dhe stilin e tyre, dhe ky treg i tillë duhet të mbetet.

Së fundmi do të thoja se shitësja e veshjeve islame apo dizenjuesja e modeleve nuk është  imami apo personi i cili është përgjegjës për hixhabin tënd. Ajo të lehtëson mënyrën e gjetjes së veshjeve cilësore, me karakter dhe me stil, permbajtja e rregullave islame të hixhabit bie totalisht mbi supet e individit  i cili do të pergjigjet vetë para Zotit për të cilin e ka vendosur mbulesën.

©Muslimania.al

Vajada Keçi Manjani

Vajada Keçi Manjani

Autorja prej vitesh jeton në Itali. Është diplomuar në Universitetin e Brescias për Ekonomi dhe Biznes dhe ka një master në "International Commerce" pranë Universitetit të Padovas.
Vajada Keçi Manjani

LEAVE A REPLY