Para një jave u njoftua se policia në Iran nuk do të arrestojë më gratë për shkak të mos respektimit të rregullores së veshjes.

Protesta në Teheran kundër qeverisë. Dhe kaq u desh: mjaftoi një foto për t’u dhënë gjykimi se përse po protestohet atje. Pikërisht atje në një realitet dhe kontekst ndryshe nga i yni. Ndërsa ne, perëndimorët, japim verdikte sikur i dimë të gjitha. Ja ku jemi përsëri. Sikur gjithmonë problemi është tek shamia, një fiksim ky i shoqërisë perëndimore kur bëhet fjalë për vendet e Lindjes.  

Mjaftoi një imazh i vjetër dhe videot morën dhenë në internet. Gazeta të mëdha si Indipendent, Dailymail dhe La Repubblica me qëllim apo pa qëllim, në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo tërthorazi, ia kanë bashkangjitur këtë imazh protestave të këtyre ditëve duke krijuar, siç e kanë për zakon një narrativë të tyren që lidhet me shaminë. Për media të tilla islamfobe nuk kanë rëndësi jetët e humbura të 21 personave shesheve të Teheranit. Për to ka rëndësi ligji mbi detyrimin e mbulesës, që tashmë nuk përbën më as shkelje. Për ta rëndësi ka se si një femër po valëvit një flamur të bardhë.

Mirëpo mjafton që të analizohen mirë disa detaje të videos për të kuptuar se foto nuk është shkrepur keto ditë të fillim janarit. Vajza në video nuk ka as pallto as xhup, përkundër fotografisë që qarkullon në lidhje me protestat ku një vajzë shfaqet me xhup, çizme të gjata dhe me shall në hundë e gojë për t’u ruajtur nga gazi lotësjellës. Por jo vetëm, edhe veshja e personave të tjerë në foto tregon se është në stinën e pranverës dhe mbi të gjitha pemët e gjelbërta përreth e dëshmojnë të njëjtën gjë. Nga ana tjetër, duket që njerëzit janë aty kalimthi dhe nuk po protestojnë.

Në fakt, kjo foto është marrë nga protesta në pranverë gjatë fushatës e quajtuar “E mërkura e Bardhë” nën hashtagun #WhiteWednesday gjatë së cilës gratë dilnin shesheve pa shallin e tyre të hedhur mbi kokë ose duke valëvitur një shallë të bardhë në formë proteste. Ta shndërrosh një foto në simbol të një proteste apo revolucioni do të thotë që ai imazh duhet të jetë aq i fuqishëm dhe aq përfaqësues saqë të mund ta përfaqësojë atë protestë apo revolucion në formën më të denjë dhe meritore. Si shembull mund të marrim në këtë rast imazhin e 16 vjeçarit palestinez Fawzi al-Junaidi (adoleshenti me sytë e mbuluar dhe i mbërthyer me dhjetra ushtarë izraelitë).

Po atëherë përse po protestohet në Iran?

Protestat e këtyre ditëve në Iran nuk kanë fare lidhje me mbulesën apo me “lirinë e shprehjes” alla-perëndimore. Së pari, duhet sqaruar konteksti i cili po trajtohet: Irani dhe mbulesa islame. Në artikullin e gjatë “My Stealthy Freedom: Iranian headscarf and Western propaganda” analizohen 10 shkaqe kryesore të cilat nuk janë marrë parasysh para se të ndërtohet kjo lloj narrative në mediat përëndimore në lidhje me shaminë në Iran ku ndër to përmenden: konteksti kulturor, konteksti historik, ndalimi i mbajtjes së shamisë (pak a shumë si në Turqi apo Shqipëri gjatë kohës së regjimit komunist) dhe ligji mbi etikën e vëshjes në hapsirën publike. Duke mos i marrë parasysh të gjithë këta faktorë, shumë lehtë mund të ndërtohet një paragjykim i tipit: gratë në iran janë të detyruara të mbajnë chador-in (apo ndryshe çarçafin e zi) bazuar mbi ligjet e Kuranit dhe kush nuk i përmbahet këtij rregulli dënohet me burgim.

Gratë në Iran nuk janë të detyruara të mbajnë mbulesën islame por janë të detyruar të rrespektojnë një etikë të vëshjes në ambientet publike, ndaj dhe mund të hasim lloje të ndryshme të veshjes nga ato ekstravagante (me të ngushta dhe të tejdukshme) por me një shallë të hedhur mbi kokë, që herë qendron herë e merrë era, deri tek mbulesa e zezë e gjatë nga koka tek këmbët (pra chadori). Së dyti: sipas interpretuesve të Kuranit, shamia “e pranueshme” për besimtaret muslimane mund të jetë hijabi, amira dhe khimari. Chadori dhe çfarë vjen pas mund të jenë veshje të pëlqyeshme por që janë pjesë të kulturave dhe vendeve muslimane.

Ajo shami që duhet veshur në Iran në mënyrë që të konsiderohet brenda rregulla dhe etikës së veshjes është pikërisht hijabi ndërsa ajo që në të vërtetë praktikohet më së shumti nëpër ambientet publike është shalli. Nga ana tjetër shamia që shfaqet në industrinë e filmit iranian, pjesë e natyrës të sëcilit është dhe promovimi i kulturës shiite, dhe që përdoret më së shumti nga mediat perëndimore është chadori dhe nikabi. Dhe e fundit, kush nuk i përmbahet kësaj etike nuk do të dënohej si më përpara me 1 javë arrest por do të marrë pjesë në një ligjëratë fetare të detyrueshme.

Por le t’i kthehemi përsëri protestave

Sipas disa analizave dhe kolumneve të mediave kryesore ndërkombëtare, arsyeja e protestave është se Irani mbetet një vend me shumicë të rinjsh dhe gjithashtu një vend në zhvillim ndaj dhe dëshiron të rritet më mirë dhe më shumë. Në Iran (82 milion banorë) gati gjysma e popullsisë ka si moshë mesatare 30 vjeç ndërsa 40% e popullsisë janë nën 25 vjeç. Këta të rinjë janë gjithashtu të arsimuar dhe treguesi i regjistrimeve nëpër fakultete në vitin 2015 ka arritur 70% pra më shumë se në Itali, Japoni dhe Mbretërinë e Bashkuar. Me shami apo pa shami, 70% e studentëve janë femra.  Shumica e studenteve përfundojnë studimet e tyre duke marrë dhe kurse jashtë vendit falë programeve të këmbimit apo bursave të studimit. Përshembull në vitin akademik 2015-2016 është renditur si vendi i 11-të për numrin më të madh të studentëve në Amerikë me rreth 12.269 studentë bursantë dhe 1.891 profesorë të jashtëm dhe kërkues.

Sipas statistikave të prodhuara nga agjencia e bursat e qeverisë turke (YTB) 5657 studentë iranianë kanë përfituar nga sistemi i bursave dukë përbërë kështu përqindjen më të lartë të bursantëve në total.

Tani problemi i këtyre të rinjëve është se papunësia është në rritje. Nga ana tjetër, gati 60% e pasurisë kombëtare është në duar të 300 personave më të fuqishëm të vendit, siç dhe ka deklaruar vetë presidenti Ahmadinexhat.

Rasti më i fundit është dhe kriza bankare e shkaktuar nga disa institucione shtetërore që veprojnë në mënyrë jo të ndershme dhe vonesa e shpagimit të borxheve. Pra, në një vend që nuk të ofron mundësi punësimi, një vend që po përballet me kriza financiare dhe reforma të bllokuara në parlament si mos të çohet populli në këmbë.

Por jo, kur bëhet fjalë për vendet e Lindjes i gjithë problemi për mediat perëndimore ka qenë dhe mbetet tek feja. Feja dhe shamia.

LEAVE A REPLY