Nga Mitre Georgiev*

PËRMBLEDHJE

Sikundër përkufizohet nga Kushtetuta, Maqedonia është një shtet sekular. Megjithatë, feja luan një rol të rëndësishëm në jetën shoqërore dhe atë politike. Në 2015-ën, vit që u shënua nga një krizë politike, diskriminimi mbi bazë feje, përfshirë Islamofobinë, ishte i pranishëm në Maqedoni, një vend ky që është gjithashtu i ndarë përgjatë linjave entike dhe politike. Megjithatë, Islamofobia shpesh nuk njihet si një problematikë duke qenë se ajo bëhet e padukshme nga aktorë të tjerë më dominant të diskriminimit.

Pavarësisht nga kjo, kriza e refugjatëve në vitin 2015 tregoi se Islamofobia në kontekstin maqedonas nuk është e lidhur ekskluzivisht me pakicat etnike, por gjithashtu edhe me ksenofobinë. Krahas ndërthurjes së faktorëvenjë mangësi informacioni relevant, përfshirë raportimin e mangët, është një tjetër faktor që i shtohet kompleksitetit të problematikës së të raportuarit të Islamofobisë në Maqedoni. Ky raport është shkruar pas një analize të raportimeve mediatike, punës kërkimore në kompjuter mbi mediat relevante, raportimeve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Incidentet dhe zhvillimet që janë relevante për ekzistencën e Islamofobisë në Maqedoni në vitin 2015 mund të lidhen me disa ngjarje të ndryshme në rrafsh global. Ngjarjet globale kanë patur një impakt më të madh mbi diskursin dhe zgjatimin e Islamofobisë në Maqedoni; këto përfshijnë sulmet e Charlie Hebdo, prezencën e luftëtarëve huaj dhe debatin rreth tyre, krizën e refugjatëve (e cila ka prekur Maqedoninë, si pjesë e Itinerarit të Ballkanit, në një mënyrë mjaft të veçantë, me një numër të madh refugjatësh që kalojnë nëpërmjet këtij vendi të drejtuar për në BE) dhe sulmet e Parisit në nëntor.

Ka shumë mundësi që Islamofobia të jetë e pranishme në të gjitha segmentet e shoqërisë, e megjithatë është më tepër e vështirë për t’u dalluar në fushën e punësimit, arsimimit apo në sistemin e drejtësisë. Monitorimi i Islamofobisë në fushën e politikës, medias dhe rrjeteve sociale sjell në sipërfaqe deklarata më haptazi islamofobike, deklarata këto që lipset të dënohen. Rekomandimi në lidhje me ngjarjet diskursive që përmbajnë elementë islamofobikë përfshin njohjen, dekonstruksionin dhe diskutimin në publik, si edhe debatin e moderuar dhe të informuar.

PARATHËNIE[4]

 Maqedonia është një vend i cili është i ndarë në linja etnike që korrespondojnë, për pjesën më të madhe, me strukturën fetare; kjo është tejet domethënëse për prezencën e Islamofobisë në vend. “Tjetri” në shoqërinë maqedonase përcaktohet nga maqedonasi etnikisht dominues, që është i krishterë ortodoks, i bardhë, heteroseksual, dhe ky “tjetër” është shqiptar, mysliman, me ngjyrë të ndryshme ose homoseksual. Tendencat etno-nacionaliste rezonojnë me Islamofobinë në një mënyrë që e intensifikon këtë reagim, ose, ndonjëherë, me efektin e kundërt, komponenti etnik mbizotëron atë fetar. Megjithatë, duhet të merren në konsideratë faktorë të tjerë që influencojnë Islamofobinë në mënyrë që të arrihet një tablo më e mirë e Islamofobisë në Maqedoni.

Kur marrim në analizë Islamofobinë, duhet konsideruar jo vetëm struktura etnike dhe ajo fetare, por edhe situata politike në Maqedoni dhe ngjarjet në nivel globl. Kriza e refugjatëve në vitin 2015 tregoi se Islamofobia nuk është ekskluzivisht e lidhur me pakicat etnike, por gjithashtu edhe me ksenofobinë.

Një sondazh mbi fenë dhe gjuhën e urrejtjes fetare në Republikën e Maqedonisë u krye për Institutin Maqedonas për Mediat; ky u krye në datat 14 dhe 15 tetor të vitit 2014 dhe tregoi se anëtarët e bashkësisë myslimane janë në pjesën më të madhe të vetëidentifikuar si viktima të ligjërimit të urrejtjes.[5] Ndonëse shumica e të anketuarve në sondazh deklaruan se “nuk e miratojnë përdorimin e deklaratave publike që përfshijnë mospërputhje me, urrejtje apo agresion karshi anëtarëve të grupeve të ndryshme fetare,” se në opinionin e tyre gjuha e urrejtjes ekziston në hapsirën publike dhe në një masë të madhe në televizion (76.1%), në kontaktet personale (61.5%), në uebsite dhe rrjete të ndryshme sociale (53% dhe 51.7%), në grafiti (shkrime murale) (47.8%), dhe në gazeta e revista (47.4%). 26.9% e të anketuarve përmendën gjuhën e urrejtjes në vende publike (shkolla, koncerte, ndeshje futbolli, etj…) dhe 10% e të anketuarve përmendën gjuhën e urrejtjes në radio. (Agjensia Rejting, Rating Agency 2015)

STRUKTURA DEMOGRAFIKE

Në mënyrë që të kuptojmë Islamofobinë në Maqedoni, duhet marrë në shqyrtim struktura demografike dhe situata politike në vend. Diskriminimi mbi bazat e fesë, më konkretisht, diskriminimi ndaj myslimanëve, në kontekstin maqedonaqs është i ndërthurur me shtysa të tjera të diskriminimit, siç është etniciteti, shtetësia, opinioni politik, gjuha apo klasa. Pavarësisht nga kjo, Islamofobia në këtë raport përkufizohet si më e gjerë se sa diskriminimi ndaj myslimanëve, duke përfshirë kësodore çdo paraqitje të frikës apo paragjykimit ndaj myslimanëve, pavarësisht nga fakti nëse ata janë thjesht të perceptuar si të tillë.

Krahas ndërthurshmërisëmungesa e informacioneve relevante, përfshirë raportimin e mangët, apo nënraportimin, është një tjetër faktor që i shtohet kompleksitetit të problematikës së raportimit të Islamofobisë në Maqedoni. Ndërkohë që raportimi i mangët është një problematikë më universale, mungesa e informacionit në kontekstin maqedonas është e ndërlidhur me disfunksionalitetin e rëndë të institucioneve shtetërore; kjo është një çështje që duhet të merret në shqyrtim. Shumica e shifrave relevante në lidhje me strukturën demografike në Maqedoni janë të vjetëruara, meqenëse ato lidhen me censusin e vitit 2002. Normalisht, censusi ndërmerret çdo dekadë, por censusi që duhet kishte ndodhur në vitin 2011 u anullua përpara se të përfundohej për shkak të rrethanave polemizuese. Ndonëse nuk pati asnjë shpjegim formal, pati një dorëheqje kolektive të anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Censusit pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet partnerëve qeveritarë.

Të dhënat nga censusi i vitit 2002 zbulojnë se 64.7% e popullsisë është e krishterë ortodokse, ndërsa 33.3% e identifikojnë veten si myslimanë. Popullsia totale në censusin e vitit 2002 ishte 2.022.547, ndërkohë që Zyra Statistikore Shtetërore vlerëson se popullsia e përgjithshme në Republikën e Maqedonisë në vitin 2015 ishte faktikisht 2.069.172.[6] Fe të tjera janë katolikët dhe protestantët. Struktura etnike është e rëndësishme për të kuptuar Islamofobinë në Maqedoni. Sërish, të vetmet të dhëna relevante janë nga censusi i vitit 2002, në të cilin 64% e vendit e identifikonin veten si maqedonas, 25% si shqiptarë, 3.8% si turq, 2.6% si romë, 1.8% si serbë, 0.8% si boshnjakë, dhe 0.1 myslimanë[7].[8] Karakteri ndërthurës i diskriminimit përcaktohet nga faktori që ndasia fetare ndërlidhet me ndasinë etnike. Pjesa më e madhe e maqedonasve etnikë janë të krishterë ortodoksë, ndërkohë që pjesa më e madhe e shqiptarëve janë myslimanë; Islami është gjithashtu feja për shumicën e turqve, romëve, boshnjakëve dhe myslimanëve maqedonas.

Marrëdhënia ndërmjet shumicës etnike, maqedonasve, dhe grupit më të madh pakicë, shqiptarëve, është e shënuar nga intoleranca etnike, konflikti, dhe tensionet politike; këto do të shqyrtohen më poshtë.

SFONDI POLITIK

Ka një korrelacion ndërmjet përkatësisë fetare, etnicitetit dhe ndasisë etnike; për pjesën më të madhe kjo përkon me linjën që ndan popullsinë mbi besimin fetar. Megjithatë, ky korrelacion bëhet më i komplikuar sapo shtohet përkatësia politike.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë udhëhiqet nga një qeveria koalicioni: VMRO-DPMNE-ja e krahut të djathtë, nga njëra anë, parti etnike maqedonase demokristiane e konservatore, dhe partia BDI, nga ana tjetër, e cila përfaqëson shqiptarët etnikë. Që nga pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991, partitë që përfaqësojnë maqedonasit etnikë dhe pakicën shqiptare janë përfshirë në qeveri. VMRO-DPMNE ka qeverisur mbi platformën nacionaliste/komb-ndërtuese që nga zgjedhjet e vitit 2006, dhe ka fituar disa zgjedhje të parakohshme që nga ajo periudhë.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme që të shënojmë konfliktin e armatosur etnik të vitit 2001 dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit që i dha fund konfliktit. Një marrëveshje që buroi nga Marrëveshja e Ohrit ishte përfaqësimi i drejtë i pakicave në organizmat e administratës publike; kjo do të diskutohet më tutje në seksionin që fokusohet mbi punësimin.

Megjithatë, ngjarja që shënoi vitin 2015 në Maqedoni nga një perspektivë politike ishte kriza politike e lidhur me përgjimet që partia kryesore e opozitës, SDMS (LSDM), publikoi rregullisht nga 9 shkurti deri në 16 maj. Regjistrimet zbuluan korrupsion, vjedhje të votave dhe keqfunksionim të aparatit shtetëror, duke e bërë kësodore ndarjen në gjirin e linjave politike edhe më relevante. Regjistrimet gjithashtu rezultuan në protesta dhe kundërprotesta masive. Përgjatë këtyre linjave, një studim i vitit 2013 ka pretenduar tashmë se ndasia partiake/politike po shtohet bashkë me diskriminimin etnik.[9]

INCIDENTE DHE ZHVILLIME DOMETHËNËSE

Incidentet dhe zhvillimet që janë relevante për ekzistencën e Islamofobisë në Maqedoni në vitin 2015 mund të lidhen me disa ngjarje të ndryshme në nivel global dhe në nivel vendi. Ngjarjet globale kishin një impakt të madh mbi diskursin dhe zgjatimin e Islamofobisë në Maqedoni. Këto ngjarje përfshijnë sulmin ndaj Charlie Hebdo, prezencën e luftëtarëve të huaj dhe debatin mbi ata, krizën e refugjatëve (e cila preku Maqedoninë në veçanti në rrafsh vendi, duke qenë se Maqedonia është pjesë e Itinerarit të Ballkanit, përgjatë të cilit një shumicë e gjerë e refugjatëve kanë kaluar gjatë rrugës së tyre në drejtim të vendeve të BE-së) dhe sulmet e nëntorit në Paris.

Sulmet terroriste në Paris i dhanë hov Islamofobisë në Maqedoni, më së shumti në rrjetet sociale, por gjithashtu edhe në media. Krahas kësaj, ndjesitë islamofobe u shprehën edhe më tutje, kryesisht ndaj refugjatëve që po kalonin nëpër Maqedoni, dhe u ngrit edhe çështja e luftëtarëve të huaj, ndonëse nuk është regjistruar asnjë incident domethënës që mund të lidhet drejtëpërdrejt me Islamofobinë.

Kodi Penal u amendua në vitin 2014 për të kriminalizuar pjesëmarrjen në ushtritë e huaja. Ndryshimi legjislativ korrespondoi me lajmet e përsëritura për pjesëmarrjen e shtetasve të Maqedonisë në konfliktin e armatosur në Siri. Më parë, kriminializimi u kufizua në terrorizmin ndërkombëtar. Shkelja e re kriminale parashikonte së paku 4 vjet burg për një qytetar maqedonas që merr pjesë në një ushtri ose organizatë paraushtarake të huaj, ndërkohë që ndëshkimi për rekrutimin, transportimin apo stërvitjen e ushtarëve për një ushtri apo organizatë paraushtarake të huaj është dënimi me të paktën 5 vjet burg.[10] Përfaqësuesi i Bashkësisë Fetare Islame e ka mirëpritur ligjin, por në media ligji u përmend vetëm në lidhje me Islamin radikal.[11] Në Maqedoni nuk kishte asnjë informacion për “luftëtarë të huaj” në rajone të tjerë përpos Sirisë dhe Irakut (ku kishte vlerësime se kishte 130 persona, sipas informacioneve që u referoheshin Ministrisë së Punëve të Brendshme[12]), ndryshe nga disa vende të tjera në rajon; kishte “luftëtarë të huaj” që iu bashkuan ushtrisë dhe formacioneve paraushtarake në Ukrainë. Për rrjedhojë, nuk është e mundur që të krahasohet diskursi i ndryshëm publik.

Vlerësohet se lufttarët e huaj që kthehen mund të jenë një kërcënim i vërtetë sigurie, por është e mundur që kjo të jetë egzagjeruar nga media sensacionale.[13]Kishte një aksion të madh antiterrorist në gusht kur 9 persona u arrestuan nën akuzën e përgatitjes së luftëtarëve të huaj.[14][15]

Kriza e refugjatëve është një zhvillim domethënës në atë se si pjesëtarët e shoqërisë në Maqedoni e kanë gjetur veten ballë për ballë me njerëz të cilët publiku i përgjithshëm presupozon se janë myslimanë, por të cilët gjithashtu identifikohen si të huaj. Kjo dukuri e ndau komponentin etnik nga feja, sa i përket perceptimit të myslimanëve në Maqedoni. Refugjatët që ndërmarrin itinerarin e Ballkanit kalojnë nëpër Maqedoni dhe korniza ligjore dhe trajtimet nga ana e autoriteteve kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Aktualisht, Maqedonia konsiderohet se është pjesa më e rrezikshme e Itinerarit Ballkanik.[16] Duke qenë se është një akt kriminal që t’u jepet ndihmë refugjatëve që nuk kanë kërkuar azil, refugjatët janë në një situatë mjaft të cënueshme kur kalojnë nëpër Maqedoni gjatë rrugës së tyre për në vendet e Europës Perëndimore. Më 18 qershor, parlamenti amendoi Ligjin mbi Azilin dhe Mbrojtjen e Përkohshme, duke u dhënë kështu një mundësi refugjatëve që të shprehin qëllimin e tyre për të kërkuar azil. Kjo u jep azil-kërkuesve një periudhë prej 72 orësh gjatë të cilave ata mund të paraqesin një aplikim për azil, gjë që nënkupton se në këto 72 orë refugjatët nuk janë në një situatë të jashtëligjshme. Më 19 gusht, një situatë krize u njoftua nga qeveria e Maqedonisë, që nënkuptonte se për shkak të dyndjes së refugjatëve, ushtria mund të përdorej.

Që nga fillimi i krizës, shumë qytetarë janë angazhuar për të ndihmuar refugjatëve, si organizata të shoqërisë civile, aktivistë të pavarur apo nisma jozyrtare. Sidoqoftë, refugjatët gjithashtu janë sulmuar dhe keqtrajtuar, kryesisht nga persona privatë që kanë përfituar nga një situatë e cënueshme. Media ndihmoi në stisjen e frikës duke e adresuar çështjen e refugjatëve që kalonin nëpër Maqedoni si një çështje sigurie dhe duke dështuar që të merrte në konsideratë aspektin e të drejtave të njeriut kur trajtoi këtë problematikë komplekse.

Situata politike në Maqedoni në vitin 2015 u shënua nga disa ngjarje që kishin një ndikim të drejtëpërdrejtë ose të tërthortë mbi Islamofobinë. Njëri prej rasteve më domethënëse ishte kriza politike që filloi me publikimin e regjistrimeve të përgjuara të zyrtarëve të lartë të shtetit, të kryera nga partia më e madhe opozitare, SDSM (LSDM). Regjistrimet përmbanin materiale që nuk duhej të bëheshin publikë dhe zbuluan një masë të madhe informacioni të ndjeshëm sa i përket korrupsion, vjedhjes së votave dhe aktiviteteve të tjera kriminale. Kriza politike arriti kulmin në maj me aksionin policor në Kumanovë më 9 maj dhe protestat e opozitës dhe partive qeverisëse më 17 dhe 18 maj. Kriza politike nuk ka përfunduar ende, ndonëse ka patur një marrëveshje në gjirin e partive politike kryesore. Aksioni policor në Kumanovë u shënua nga një numër viktimash dhe nga trazira publike gjatë dy ditëve të majit sa zgjati aksioni. 8 oficerë policie u vranë dhe 37 u plagosën kur policia sulmoi një shtëpi në të cilën ndodhej një grup terrorist.

Në qoftë se ne do të zgjidhnim një ngjarje që shënon Islamofobinë, ajo do të kishte qenë protesta dhe djegia e mesxhiditapo faltores, në Kriva Palanka. Meqenëse ngjarjet u nisën mbas deklaratës së kryetarit të komunës së Kriva Palanka, ngjarja do të analizohet më tutje në seksionin që merret me politikën.

Një tjetër incident u regjistrua në Bitollë (Manastir), i cili kishte një potencial të madh për të shtuar Islamofobinë, si edhe për të ripohuar dhe përforcuar paragjykimet. Gjegjësisht, një kishë mori vendim që të vendoste altoparlantë përpara kishës për të transmetuar lutjet nga brenda; qytetarët që jetonin aty pranë u ankuan për shkak të zhurmës, dhe për shkak se kjo nuk ishte pjesë e traditës ortodokse maqedonase. Mitropoliti Petar e justifikoi aktin duke iu referuar ezanit, apo thirrjes për në namaz, nga xhamitë, duke thënë se për sa kohë që dëgjohet kleriku mysliman, edhe liturgjia do të dëgjohet gjithashtu.[17]

PUNËSIMI

Është e vështirë që të flitet në lidhje me diskriminimin në tregun e punës duke u bazuar mbi identitetin e supozuar mysliman të një personi individual kryesisht për shkak të ndërthurshmërisë me faktorë të tjerë dhe gjithashtu për shkak të faktit se ka një nënraportim, apo rapotim të mangët. Hulumtimi i OSBE-së i vitit 2013 në lidhje me diskriminimin në njoftimet për punë as që nuk e përdor fenë si bazë; kjo mund të shpjegohet nga fakti i thjeshtë se në njoftimet e shkruara është e lehtë që të fshihet diskriminimi mbi baza fetare.[18]

Megjithatë, sipas detyrimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Ombudsmani Publik, apo Avokati i Popullit, i Republikës së Maqedonisë monitoron përfaqësimin e barabartë të pakicave të ndryshme etnike në organizmat publikë. Në raportin e Ombudsmanit Publik për vitin 2014, thuhet se të dhënat sasiore tregojnë se ka patur një rritje si në numrin absolut të të punësuarve në organizma dhe institucione publike, ashtu edhe në përqindjen e pakicës shqiptare. Megjithatë, nuk ka asnjë progres për numrin e shqiptarëve të punësuar në pozicione manaxheriale, dhe përfaqësimi i pakicave të tjera publike në institucionet publike nuk është ende as i barbartë dhe as i mjaftueshëm.[19]

Një tjetër çështje që mund të ndërlidhet me punësimin janë ditët e pushimit të bankave. Ka një trajtim të ndryshëm për fe të ndryshme në çështjen e ditëve të pushimit të bankave, të cilat janë të rregulluara nga Ligji mbi Ditët e Pushimit të Bankave.[20] Ligji përkufizon ditët shtetërore të pushimit dhe ditët e pushimit të Republikës së Maqedonisë, si edhe ditët e tjera jo të punës, të cilat janë specifike për fe të ndryshme apo pakica të ndryshme etnike. Ka 5 ditë jo-pune për besimtarët në fenë ortodokse krahas ditëve shtetërore të pushimit dhe ditëve të pushimit të Republikës së Maqedonisë, dhe një ditë jo-pune për myslimanët. Asnjëra prej ditëve shtetërore të pushimit nuk janë të lidhura me Islamin, ndërkohë që ka dy ditë të tilla të ndërlidhura me shenjtorët ortodoksë, Shën Cirili dhe Metodi, si dhe Shën Klementin e Ohrit. Ditët e pushimit të Republikës së Maqedonisë përfshijnë Vitin e Ri, Krishtlindjet, Pashkët, 1 Majin, dhe Bajramin e Ramazanit.

Ndonëse është e mundur që të thuhet se ky trajtim i ndryshëm është njëlloj diskriminues për të gjitha fetë e tjera, duhet mbajtur mend se Islami është feja e së paku një të tretës së popullsisë.

ARSIMIMI

Në letërkëmbimin e kryer enkas për këtë raport, institucioni i Ombudsmanit, apo Avokati i Popullit, përmendi se ata nuk kishin marrë asnjë ankesë në bazë feje në lidhje me arsimimin. Çështja që ishte relevante për vitin 2015 është njohja e shkollave të mesme fetare, ose për të qenë më i saktë, përfshirja e tyre në sistemin arsimor të vendit. Zgjidhja ishte të lejoheshin të gjithë të diplomuarit e shkollave të mesme fetare që të regjistroheshin në universitetet shtetërore. Kreu i Bashkësisë Fetare Islame e mirëpriti këtë lëvizje dhe deklaroi se kjo do ta bënte të mundur që ta mbante Islamin radikal jashtë shkollave.[21]

Në klasën e gjashtë të shkollës fillore, nxënësit mund të zgjedhin një lëndë me zgjedhje: Etikën në Fe, Hyrje në Fetë Botërore, ose Kultura Klasike në Civilizimin Europian. Në tekstin për Etikën në Fe në gjuhën maqedonase mbulohen feja ortodokse, ajo katolike, e krishterë evangjeliste, hebreje dhe islame. Megjithatë, pjesa më e madhe e tekstit i referohet Krishterimit Ortodoks. Në krahun tjetër, Islami përbën pjesën kryesore të tekstit të shkruar në shqip. Bashkësia Fetare Islame mbrojti idenë e pasjes së ndikimit mbi përzgjedhjen e mësuesve, me pretendimin për të parandaluar angazhimin e mësuesve të lidhur me strukturat radikale islame.[22]

POLITIKA

Nuk kishte asnjë palë zgjedhje në vitin 2015, dhe kjo pati gjerësisht ndikim në diskursin publik për sa i përket ligjërimit islamofobik të urrejtjes në diskursin politik. Pavarësisht nga kjo, vitit 2015 nuk i munguan ngjarjet domethënëse apo retorika relevante.

Ngjarja që ishte më e dukshme për natyrën e saj islamofobe ishte protesta që pasoi vandalizimin e mesxhideve të improvizuara të përdorura nga myslimanët; kryesisht romët në Kriva Palanka, e cila ndodhi në 6 nëntor, 2015. Kryetari i komunës së Kriva Palanka tha para medias se: “xhamia nuk do të rindërtohet për shkak se shumica e popullsisë është ortodokse”. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) deklaroi se protesta përfundoi në mënyrë paqësore, ndonëse disa media raportuan se thirrje islamofobike u hodhën gjatë protestës. Autorët e vandalizmit nuk janë identifikuar. Komisioni për Marrëdhëniet ndërmjet Bashkësive Fetare dhe Platforma kundër Urrejtjes Fetare e dënuan sulmin.[23]

Në Raportin mbi Liritë Fetare në Maqedoni për vitin 2014, të përgatitura nga Departamenti i Shtetit[24], u theksuan protestat që ndodhën kundër ndërtimit të ngrehinave fetare për të shënuar një lloj territori të caktuar etnik apo politik. Argumenti “s’ndodhi në bahçen time” u përdor shpesh gjatë këtyre incidenteve dhe të tjerë të ngjashme si këto që ndodhën kundër ndërtimit të xhamive, por kjo u përdor gjithashtu gjatë krizës së refugjatëve për të shprehur ndjesi antimyslimane. Autorët pretenduan se ata nuk kishin asgjë kundër Islamit, por ndiheshin të frikësuar nga ndërtesa, dhe nga pamjet e tingujt që do të buronin prej saj. Kriza e refugjatëve dhe klima e përgjithshme antimyslimane në mbarë Europën u manipulua lehtësisht nga politikanët maqedonas për të krijuar një spostim nga Shqiptarofobia drejt Islamofobisë për qëllime elektorale.[25]

Ndonëse përbëheshin nga diskutime që duhet të kishin mbetur në sferën private, regjistrimet e përgjuara që u publikuan nga opozita zbuluan disa prej lerave dhe kriteret për bashkëpunimin e njerëzve në pozicionet më të larta në qeveri. Sipas transkriptimeve, në njërën prej bisedave, Kryeministri Nikola Gruevski dhe ministri i asokohshëm i transportit dhe komunikimit po diskutonin kombësinë e njëfarë bashkëpunëtori, një shqiptar ky, dhe ata theksuan përkatësinë e tij fetare, duke nënvizuar se ai nuk ishte mysliman, por katolik.[26]

MEDIA

Mediat kanë një rol mjaft të fuqishëm si një agjent ose në promovimin ose në ndrydhjen e Islamofobisë. Në Maqedoni, shteti dhe politikanët kanë një ndikim të madh mbi mediat; kjo, bashkë me faktorë të tjerë, shpie në një përkeqësim të standardeve profesionale dhe mediatike.[27] Gjuha e urrejtjes nga zyrtarët politikë dhe nga shefët e mediave shpesh nuk raportohet në mënyrë kritike në media.[28]

Në rastin e të raportuarit të të krizës së refugjatëve në median maqedonase, Islamofobia u ndrydh më tepër si një përjashtim se sa si rregull. Ka patur rregullisht nxitje për frikë, ksenofobi dhe Islamofobi kur është raportuar mbi refugjatët.[29] Najchevska gjithashtu përmend raportimin jokritik të zyrtarëve, gjegjësisht të kryeministrit, i cili deklaroi se “vala e migrimit pritet të rritet dhe migrantët nga vende të ndryshme aziatike dhe afrikane do të fillojnë të qëndrojnë në vend”.[30] Kishte gjithashtu raportime mbi çështjet që nuk ishin qendrore apo relevante, duke pasur efektin fundor të të krijuarit të frikës.[31] Paragjykimet ndaj refugjatëve përfaqësojnë një formë të re të Islamofobisë në Maqedoni. Organet kryesore mediatike iu referuan çështjeve më pak relevante; ka gjithashtu çështje mjaft serioze në lidhje me standardet gazetareske. Një artikull i titulluar “Ahmedi nga Siria ka mbërritur në Serbi: Në vend të kishave, në Evropë do shihni minare. Ka për të qenë hakmarrja jonë!” në gazetën e përditshme Veçer, që gjendet në portalin e lajmeve vecer.mk, është një raport nga Serbia që është plot me paragjykim, vërjetje islamofobe dhe shtrembërime.[32] Në artikull sugjerohet që refugjatët të cilët po kalonin mespërmes Serbisë nuk ishin vërtet refugjatë, pasi ata kishin asete financiare dhe ata nuk donin thjesht të mbërrinin në një vend të sigurtë. Duke aluduar qartësisht për kulturën myslimane, ka një sugjerim që ata do të orvaten që të imponojnë rregullat e tyre kudo që të shkojnë.[33]

Shërbimi kontrollues i fakteve Proverka na Fakti, pjesë e një projekti për fuqizimin e medias, raporton rastin e një artikulli që u publikua në një portal lajmesh ku një video marrë nga Youtube tregonte trazira në rrugët e Parisit; video ishte titulluar “Migrantët po shkatërrojnë Parisin – ky është një nga incidentet më të rrezikshme (video)”. Megjithatë, videoja ishte marrë nga një burim gjerman dhe ishte shoqëruar me një tekst antiimigrant, antiislam, dhe ksenofobik. Në fakt, ngjarjet e shfaqura në video kanë ndodhur në korrik të vitit 2014 dhe media në këtë rast është çorientuese dhe raporton diçka krejtësisht tjetër për publikun duke publikuar artikullin në gusht 2015, duke e vendosur atë në kontekstin e krizës së refugjatëve.[34]

Në gusht 2015 kishte një operacion të madh antiterrorist në të cilin 9 persona u arrestuan nën dyshimin e pjesëmarrjes dhe rekrutimin për grupet paraushtarake të huaja. Media raportoi mbi etnicitetin e personave të arrestuar dhe përmendi një rast të një maqedonasi i cili ishte konvertuar në Islam. U ngrit debati në lidhje me motivimin për pjesëmarrje në ushtri të huaja – qoftë për bindje fetare apo për para. [35][36][37]

Artikulli “Intolerancë me studentët maqedonas kërcënon të shndërrohet në radikalizëm”, i cili u shfaq në faqen në internegt të javores Republika i referohet asaj që quhet një “publikim shkencor” i titulluar “Kriza e botës moderne – sfidat rajonale dhe globale për demokracinë liberale kundër fundamentalizmit fetar”. Artikulli në faqen në internet ilustrohet ekskluzivisht me foto të asaj që lexuesi mund të supozojë se janë myslimanë (përveç fotos së autorëve të botimit).[38]

Incidenti i Kumanovës në maj u përmend gjithashtu në lidhje me Islamin radikal nga një pjesë prej mediave dhe në rrjetet sociale. Shpesh është përmendur ideja se terroristët kishin patur lidhje me Sirinë dhe Irakun.

SISTEMI I DREJTËSISË

Kushtetuta maqedonase përcakton se Maqedonia është një shtet sekular dhe garanton lirinë e fesë. Ligji mbi Statusin Ligjor të Kishave, Bashkësive Fetare dhe Grupeve Fetare rregullon institucionin e bashkësive fetare, dhe Neni 4, pika 2, deklaron se “besimit fetar nuk e çliron një qytetar nga obligimi … por jo në rast se rregullohet ndryshe nga ligji apo rregullore të tjera”.

Ligji mbi Administratën Shtetërore është një tjetër ligj që rregullon marrëdhënien ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare. Komiteti për Marrëdhëniet ndërmjet Shtetit dhe Bashkësive Fetare (Комисија за односисо верски заедници и религиозни групи) u themelua në bazë të këtij ligji.

Zyra e Ombudsmanit Publik monitoron në mënyrë të vazhdueshme miratimin e legjislacionit të ri; Zyra nuk ka identifikuar masa që kufizojnë të drejtën e myslimanëve për të jetuar në fenë e tyre dhe për ta praktikuar atë.[39]

HAPËSIRA KIBERNETIKE

Hapësira kibernetike në gjuhën maqedonase është një vend ku gjuha e urrejtjes dhe paragjykimet shfaqen shpesh, dhe ku ka abuzim të lirisë së shprehjes.  Në gamën e gjerë të gjuhës diskriminuese, mund të gjenden komente dhe deklarata islamofobike. Në forumet e internetit, ka shpesh diskutime në lidhje me Islamin; ka disa praktika të mira në të cilat moderatorët përkujdesen që diskutimi nuk zhvendoset në fyerje të hapura dhe nxitje për dhunë dhe urrejtje.

Islamofobia dhe Shqiptarofobia janë të pleksura me njëra tjetrën, Shpesh, etiketime specifike përdoren kundër myslimanëve, si ‘seçen’ (të rrethprerë, të bërë synet) apo ‘zabulena’ (që veshin hixhab ose burka), të cilat përdoren për t’iu referuar shqiptarëve/myslimanëve.

Për shkak të disponibilitetit dhe përhapjes së tyre, është e rëndësishme që të mbajmë shënim faqet në Facebook që kanë një përmbajtje haptazi islamofobe. Pegida Macedonia, një degë e organizatës gjermane, u shfaq si grup në Facebook. Ky është një grup anti-islam neonazist i ekstremit të djathtë me postime haptazi anti-myslimane dhe anti-imigrante.   Në këtë faqe Facebook-u ka një qëllim të qartë për të përhapur paragjykim dhe gjuhë të urrejtjes mbi baza fetare, etnike dhe të tjera. Më vonë, Nemrazi.mk raportoi se ky grup në Facebook u hoq për shkak të gjuhës së urrejtjes, dhe ky është rasti i parë i këtij lloji.[40] Kjo faqe u hoq për shkak të gjuhës së urrejtjes që përmbante ajo, apo ‘shkelje të Standardeve të Komunitetit’ për të përdorur formulimin e përdorur nga Facebook, megjithatë, vetëm mbasi është raportuar në mënyrë të përsëritur nga përdoruesit. Megjithatë, nuk dihet se kush qëndron pas faqes në Facebook të Pegida Macedonia.

Një tjetër faqe në Facebook që duhet mbajtur shënim është  Да ја спречиме исламизацијата во Македонија (Le të ndalojmë islamizimin në Maqedoni), ndonëse nuk ka patur asnjë postim në këtë faqe që nga viti 2012.

Në arenën politike u vërejt se Islamofobia u përdor si një mjet për të mundësuar që kundërshtarët politikë të shfaqen negativisht në sytë e publikut.

Shoqëria civile e vëzhguar dhe vlerësimi e nismat politike e ndërmarra për t’iu kundërvënë Islamofobisë

Organizatat e shoqërisë civile janë aktive në fushën e luftës ndaj gjuhës së urrejtjes, si edhe në monitorimin e krimit të urrejtjes, diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes, përfshirë incidentet e drejtuara kundër myslimanëve.

Disa prej nismave që ia vlen të përmendet janë Platforma kundër Gjuhës së Urrejtjes, e krijuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Fondacioni Metamorfoza, Instituti Maqedonas për Mediat, Paktis, dhe Civil MK.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të përkrahen nismat pozitive si ajo e përmendur në uebsitin nemrazi.mk. prindi i një studenti raportoi grafiti (shkrime murale) ofenduese të cilat u shfaqën në një ndërtesë shkolle. Ky grafiti shumë shpejt u fshi.[41] Ia vlen të përmendet se në uebsitin nemrazi.mk jepen udhëzime për raportimin e gjuhës së urrejtjes në platforma të ndryshme, duke variuar nga rrjetet sociale e deri te institucionet. Fondacioni Metamorfoza, i cili administron projektin nemrazi.mk, mban konferenca, apo punëtori, me mediat në lidhje me gjuhën e urrejtjes. Një tjetër burim në zonën e gjuhës së urrejtjes është bezomrazno.mk, krijuar nga Instituti Maqedonas për Mediat.

Komiteti i Helsinkit i Maqedonisë administron dy uebsite për monitorimin dhe raportimin e gjuhës së urrejtjes dhe krimit të urrejtjes (www.govornaomraza.mk dhe www.zlostorstvaodomraza.mk).

PËRFUNDIMI

Rekomandime për politikën dhe OJQ-të

Islamofobia shpesh shfaqet në Maqedoni e ndërlidhur apo madje edhe e përzier me forma të tjera të diskriminimit dhe paragjykimeve. Ndonëse kjo shpie në neglizhimin e Islamofobisë apo lënien e saj pa u vënë re, është e rëndësishme që Islamofobia të adresohet si pjesë e tensioneve të fuqishme etnike dhe politike për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Është mjaft e rëndësishme që politikanët të vetëpërmbahen nga gjuha e urrejtjes islamofobe dhe të mos e përdorin atë gjatë fushatave elektorale; por është njëlloj apo amdje edhe më e rëndësishme që të dënohet çdo ligjërim i tillë publik. Gjithashtu është e rëndësishme që të diskutohen ngjarjet dhe çështjet që mund të prekin Islamofobinë, si refugjatët, terrorizmi apo siguria. Është jetike që një diskutim i tillë të jetë i informuar dhe i moderuar.

Ngjashëm, si me dispozitat e miratuara për të garantuar përfaqësim të barabartë në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe të tjera zgjidhje të ngjashme legjislative, miratimi i ligjeve nuk është i mjaftueshëm për të adresuar tensionet dhe diskriminimin. Gjithashtu rekomandohet që ndjesitë apo shqetësimet e mundshme islamofobe të adresohen, përndryshe ato janë “të hapura për shfrytëzim sipas kapriçove të politikanëve oportunistë”.[42]

Raportimi i mediave sensacionaliste duhet shkurajuar dhe kundërshtuar me dënim, informacion dhe diskutim.

OJQ-të që janë të shqetësuara me antidiskriminimin dhe të drejtat e njeriut duhet të marrin në konsideratë rritjen e mundshme të Islamofobisë dhe ta adresojnë atë.

Në fund, rritja e kapaciteteve demokratike dhe sendërtimi i besimit ndërmjet të gjithë aktorëve të ndryshëm, duke filluar nga institucionet, politikanët, shoqëria civile dhe përfaqësuesit e feve të ndryshme duhet të jetë një mjet kyç në luftën ndaj Islamofobisë.

*Mitre Georgiev është një mbrojtës i të drejtave të njeriut, jurist dhe hulumtues i lindur në Bitola (Manastir) të Maqedonisë. I diplomuar për drejtësi në Fakultetin e Ligjit “Iustiniana Prima” në Shkup të Maqedonisë, ai ka mbaruar një Master të Avancuar për Studime Evropiane në Universitetin e Zagrebit në Kroaci. Ai ka punuar për disa Organizata të Shoqërisë Civile në Maqedoni, Kroaci dhe jashtë vendit. Interesat e tij kërkimore janë diskriminimi, të drejtat e njeriut, migrimi, azili, ekstradimi, ligji i BE-së, nënshtetësia, et [email protected]

LEAVE A REPLY