A kanë nevojë për shpëtim gratë muslimane?

0

Ne jetojmë në një epokë në të cilën ideja e të drejtave universale të njeriut është pranuar gjerësisht. Vetë suksesi i institucionalizimit të këtij koncepti në një miriadë organizatash dhe monopoli i saj i njëmendët mbi viset e larta të moralit global i shtyu feministet, duke filluar nga vitet 1980, që të lidhnin luftën për të drejtat dhe mirëqenien e grave me të drejtat e njeriut.[9] Aktivistët që punonin në arenën ndërkombëtare ndërmorën një fushatë të suksesshme për të shpallur të drejtat e grave si të drejta të njeriut. Ata e bënë këtë nëpërmjet hartimit të konventave, duke u instaluar në institucione burokratike pafund, dhe duke krijuar mekanizma të llogaridhënies. Në qoftë se të këqijat e diskriminimit gjinor tani duken kaq qartë, dhe gjuha e të drejtave të grave ka një autoritet kaq të madh, ne duhet të falenderojmë pikërisht këto konventa dhe fushata.

Por, në qoftë se bonsensi i ri për emergjencën e të luftuarit për të drejtat e grave fiton autoritet nëpërmjet asocimit të tij me këtë konsensus ndërkombëtar mbi viset morale të larta utopike të të drejtave “universale”, me vlerën e tij qendrore që është “të zgjedhurit lirisht”, unë do të argumentoja se ai mbështetet vjedhurazi mbi një diskurs tjetër për joshjen e tij emocionale. Një zhanër tronditës i të shkruarit mbi gratë dhe vajzat e abuzuara – kryesisht myslimane – shpërtheu në këtë skenë në vitet 1990 dhe pati një ngjitje të hatashme mbas 11 shtatorit. Këto libra lexohen në klube librash, u bëhen konspekte kudo, dhe shiten me entuziazëm. Temat e përsëritura dhe përkufizuese të këtij zhanri janë forca dhe vartësia e plotë prej skllaveje. Në njërin skaj janë memoaret, apo kujtimet, e këndshme si libri i Azar Nafisi Reading Lolita in Tehran (Të lexosh Lolitën në Teheran), dhe polemika si ajo e Ayaan Hirsi Ali, The Caged Virgin (Virgjëreshë në kafaz), dhe pjesët e tjera vijuese. Në skajin tjetër gjejmë librat që studiuesi i letërsisë Dohra Ahmad i ka quajtur pulp nonfiction (jofiksion tul). Këtu, ne jemi të zhytur në botët distopike të abuzimit të dhunshëm, ku udhërrëfyeset tona janë vajzat myslimane që kanë vuajtur dhe kanë marrë arratinë.

Sikundër e dimë të gjithë, ka një traditë të gjatë të pasqyrimit të grave myslimane në Perëndim. Studiuesit e quajnë atë orientalizëm të gjinizuar, duke ndjekur kësodore udhën e Edwuard Said-it. Piktoreske, por edhe letrare, ajo që del në pah pareshtur është se gratë myslimane portretizohen si kulturalisht të dallueshme, të kundërtat pasqyrë të grave perëndimore. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, këto përshkrime morën dy trajta: gratë e orientit ose portretizoheshin si viktima të nëpërkëmbura të cilat ishin të burgosura, të izoluara, të mbështjella me çarçaf, dhe të trajtuara si kafshë barre, ose, përndryshe, ato shfaqeshin në një botë sensuale të seksualitetit të shfrenuar. Gratë misionare të krishtera bënin thirrje për përkrahje, duke denoncuar publikisht shtypjen e simotrave të tyre myslimane që në fjalët e para. Artistë dhe shkrimtarë, madje edhe fotografë të kartolinave koloniale të fillimit të shekullit të njëzet, preferonin sensualen dhe seksualen.

Librat e xhepit të fundit të shekullit të njëzet dhe të fillimit të shekullit të njëzet e një, të tregtuar masivisht, u bëjnë jehojnë këtyre temave, por kanë stilin dhe karakterin e tyre të dallueshëm. Protagonistet e tyre janë, siç vëren Dohra Ahmad, “individe guximtare” me ideale feministe, të cilat nuk dëshirojnë të mbesin të zëna në grackë në botët e tyre të çuditshme dhe të ndyra. Ato duan liri, si njerëzit e shquar “informatorë autoktonë” denoncimet e të cilëve ndaj Islamit se gjoja ky shkakton shtypjen e grave janë mirëpritur kaq ngrohtësisht dhe karrierat e të cilëve janë përkrahur nga institucione të fuqishme të së Djathtës, njerëz të shquar historitë personale të të cilëve janë gjithnjë të rrëfyera, siç ka vërejtur Saba Mahmood, në termat e emancipimit.

A duhet t’i trajtojmë këto “memoare”, apo “kujtime”, si jofiksion? Kjo është ajo se si ato etiketohen. Disa janë të pabesueshme për shkak se ato bazohen mbi kujtime të shtypura. Shumë prej protagonisteve njihen vetëm prej emrit. Disa libra janë bazuar mbi “njohje të fshehtë”. Disa, si libri i Norma Khouri-t, Honor Lost (Nder i humbur), janë ekspozuar si sajesa. Pothuajse të gjithë librat janë të shkruar bashkarisht me gazetarë ose shkrimtarë profesionistë fantazma. Për rrjedhojë, ata janë, në më të paktën, të ndërmjetësuar në mënyra të ndryshme. Deri në masën që ato mund të pasqyrojnë përvoja apo ndodhi të vërteta, ato janë po aq trazuese sa çdo incident abuzimi që ne lexojmë në gazetat tona, në rastet ligjore, apo në rastet studimore psikologjike të sjelljes patologjike.  

Por librat bëjnë çmos që të mos na lejojnë ne të bëjmë krahasime të tilla. Ndonëse ato rrëfehen në vetën e parë të grave individuale, traumat dhe abuzimet që ato katalogojnë nuk u paraqiten lexuesve si unike për këta individë. Ato kontekstualizohen gjithnjë nga kultura – detajet autentifikuese të të shtyrit me vështirësi të jetës në një majë të zhveshur mali në Jemen; ngjyrat ekzotike të dasmave dhe ekzorcizmat ekzotike marokene; bollëku i izoluar i pallateve të Arabisë Saudite; qelat e lagështa të komuniteteve imigrante pakistaneze në veri të Anglisë; fushat e Palestinës rurale. Vendosja e këtyre vendodhjeve i shënon abuzimet si kulturore ose kolektive. Pa ofruar një tablo të përgjithshme të komuniteteve në të cilat jetojnë heroinat tona, meqenëse ato janë “thjesht” histori personale, këto memoare, apo kujtime, nuk mund t’iu japin lexuesve ndonjë shenjë se abuzime të tilla mund të jenë përjashtime, apo se ato mund të gjykohen po aq të tmerrshme në këto komunitete sa ç’do të ishin në komunitetet tona. Pa këtë informacion kontekstual, ne shtrëngohemi që t’ia mveshim këto abuzime të gjithë kulturës në procesin selektiv që Leti Volpp, teoricieni ligjor, e ka quajtur “të fajësuarit e kulturës për sjelljen e keqe.”

Përkundër mesazhit të uniformitetit që përçojnë kopertinat e tyre të imituara fije për pe nga njëra tjetra dhe që nënkupton ky kornizim kulturor, për dikë si unë që ka njohuri të thella mbi llojet e komuniteteve apo vendeve në të cilat ato janë vendosur, këto histori duken rrënjësisht specifike. Kur i bën një lexim përkundër asaj që autori kërkon të përçojë, ka madje edhe një mori shenjash se ato janë të pavenda dhe përjashtuese, madje edhe në qoftë se bazohen në të vërtetën. Merrni trilogjinë e memoareve, apo kujtimeve, që fillon me Sold (E shitur) e cila tregon rrëfenjën e tmerrshme të dy vajzave “të shitura” për martesë në Jemen. Këto janë bijat e një nëne britanike nga gjiri i klasës punëtore dhe i një babai të dhunshëm kumarxhi, një emigrant jemenas ky. Ndonëse batakçiu në fjalë është burri i pashpirt arab (kjo ishte para 11 shtatorit, kështu që myslimanët nuk ishin bërë akoma detyrimisht armiku, dhe ky ishte momenti i Luftës së Gjirit), memoaret, apo kujtimet, përmendin se familjet të cilat “blenë” nuset në moshë minore ishin nga një grup i përçmuar. Kalimthi shënohet se ky është një vend i varfër ku tre të katërtat e burrave dalin nga shtëpia thjesht për të kërkuar punë. Sigurisht, kjo duhet të prodhojë detyrimisht një situatë të pazakontë për gratë, pa përmendur pakicën e meshkujve që kanë mbetur pas.

Pra, këto histori përdorin të gjitha një situatë të veçantë pa e nxjerrë në pah specificitetin rrënjësor të saj apo mungesën e përfaqësimit, dhe pa dhënë asnjë kontekst. Rezultati është se këto libra best-seller që spekulojnë me imazhet e varësisë së plotë prej skllaveje – Sold (E shitur) e Zana; seria vijuese A Promise to Nadia (Një premtim për Nadian); dhe mëma e tyre Without Mercy: A Mother’s Struggle against Modern Slavery (Pa mëshirë: Lufta e një nëne kundër skllavërisë moderne) – bëjnë që lexuesi të pandehë se martesa e detyruar është normale në këto komunitete, dhe se gratë lipsen shpëtuar medomeos nga të huaj që vijnë nga jashtë këtij konteksti.

Ky zhanër është i karakterizuar nga po të njëjtat tema: shtrëngimi dhe mungesa e miratimit, apo pëlqimit, mungesa e zgjedhjes, dhe joliria.

Përdhunimi martesor mishëron mungesën e miratimit, apo pëlqimit, pikërisht siç bën edhe martesa e shtrënguar, praktika që ka rrokur imagjinatën dhe ka mobilizuar përpjekjet e grupeve të grave dhe të zyrtarëve qeveritarë aneskaj Europës. Një nga trajtimet më të plota të kësaj dukurie në pulp nonfiction vjen nga Franca.

Married by Force (E martuar me detyrim) nga Leila (pa mbiemër) është me një përmbajtje madje edhe më erotike në dhunën e saj se sa rrëfimi i Miriam-it. Historia e një vajze të trazuar franceze me prindër marokenë, libri rrëfen incidentet e dhunës dhe mizorisë së tmerrshme në familjen në të cilën rritet Leila. I ati i saj është një ithtar i disiplinës; vëllezërit e saj janë abuzivë. Ajo dëshiron të jetë si vajzat franceze, por ata nuk ia lejojnë.  Prindërit e saj e detyrojnë të martohet me një burrë nga Maroku, një bashkëshort që ajo e urren. Ajo ka një ballafaqim të frikshëm me një imam manjak seksi, i pajtuar në punë për ta ekzorcizuar atë për shkak se ajo kundërshton. Njëlloj si Zana, heroina e Sold (E shitur), Leila më në fund arratiset nga martesa e saj e detyruar dhe gjen lirinë. Pikërisht atëherë ajo na tregon historinë e saj.

Duhet të fillojmë të mendojmë në lidhje me gramatikën përçarëse që ligjërimi i të drejtave dhe pulp nonfiction-i pornografik imponojnë. Këtu gjejmë disa koncepte universale që nuk janë normative dhe nuk pretendojnë të jenë abstrakte, duke fshehur me kujdes mendjengushtësinë dhe politikën. Unë jam e interesuar në këto lloje koncepetesh universale që nuk na ndajnë ne artificialisht në ata që zgjedhin lirisht dhe ata që nuk zgjedhin lirisht, ata që gëzojnë liri dhe autonomitë, dhe ata që nuk i gëzojnë ato. Ky është bonsens, në qoftë se ne ndalemi të mendojmë. Por ky bonsens na vë në alarm për rolin e rrezikshëm politik që pulp noniction-i luan në botën tonë teksa ai nënshkruan një pasion për të shkuar në luftë për të drejtat globale të grave, duke dislokuar të drejtat e njeriut për të siguruar autoritet.

Të invokosh lidhjet universale të dashurisë, obligimit, familjes, dhe pasigurisë do të thotë të fillosh t’i japësh trajtë premisës se ne të gjithë kemi diçka të përbashkët si njerëz. Këto koncepte universale na lidhin tok së bashku në vend se të na ndajnë artificialisht në kultura në të cilat gratë zgjedhin lirisht dhe në ato në të cilat ato nuk zgjedhin lirisht, në shoqëri që mbrojnë me forcë të drejtat dhe ato nuk i mbrojnë. Është ky lloj humanizmi për të cilin kaq shumë prej nesh admirojnë Edward Said-in: Ai arriti të ishte si kritik i palëkundur i mënyrës se si pushteti dhe dija mpleksen, ashtu edhe fund e krye i bindur se ne duhet të aspirojmë për diçka më të mirë, për një botë jo të ndarë në Perëndim dhe Lindje. Nisur nga kjo, kam thënë unë,  një botë e ndarë në vende ku gratë janë të lira dhe vende të tjera ku ato duhet të çlirohen, madje edhe me dhunë. Dhe të shtrojmë pyetjen se përse po na kërkohet që të shkojmë në luftë për gra që janë larg.

kjo pjesë është shkëputur nga shkrimi “A kanë nevojë për shpëtim gratë muslimane?”përkthyer nga Ariol Guni publikuar nga Erasmusi.org. linku i shkrimit :http://erasmusi.org/a-kane-nevoje-per-shpetim-grate-myslimane/

LEAVE A REPLY