Ajo është e lindur në një familje maqedonase të krishterë. Katerina Zaova, 23 vjeçe, nga Prilepi, ka përqafuar fenë islame, gjë që nuk ka qenë aq e lehtë, po të kihet parasysh se ndër maqedonas, Islami është besim i shqiptarëve dhe, ekziston mentaliteti që po u bërë mysliman ke ndërruar dhe kombësi(!), ndërkohë që Katerina mbetet një maqedonase në nacionalitet, pavarsisht besimit.

Thotë se drejt Islamit nuk e ka shtyrë asgjë veç asaj më të brendshmes ndjenjë në kërkim të thelbit, në kërkim të një besimi të pastër dhe pa dilema rraskapitëse. Nuk vjen nga mosbesimi, por nga një jetë prej besimtareje që shkonte rregullisht në kishë duke ndjekur ritet përkatëse. Por që kjo nuk ka mjaftuar për të. Derisa është gjendur para portave të Islamit, diçka që nuk e kish çuar ndërmend.

Dokument myftinie që dëshmon konvertimin e Katerina Zahovës
Dokument myftinie që dëshmon konvertimin e Katerina Zahovës

Dhe tre vjet më parë, ajo merr kurajon që të shkelë në oborrin e një xhamie, në Manastir, qytetin ku kish jetuar më parë,  duke marrë më pas një vendim që do i ndryshonte jo vetëm pamjen, por dhe jetën, atë të dukshmen dhe atë intimen, shpirtëroren, në bindje dhe botëkuptime, në vizione dhe praktika jetësore….

Intervistoi: Mensur Krasniqi

Je rritur në një familje tipike të krishterë, pa llogaritur dhe nacionalitetin maqedonas në këtë rast. Ç`patë që u arratise drejt një tjetër identiteti fetar?

Mendoj që është hapi im më i guximshëm e kurajoz që e kam bërë në jetën time dhe që asnjëherë nuk do të pendohem për këtë kthesë, për këtë zgjedhje. E kam bërë me vetëdije të plotë duke qenë e bindur se po zgjedh rrugën e duhur. Ajo që ka ndodhur është sa e zakonshme aq dhe e jashtëzkonshme: në Islam gjeta atë që më ka munguar në fakt, edhe pse kam qenë besimtare: Zotin, atë të vërtetin.

Dhe si ishte reagimi i prindërve të tu pas kalimit tënd në fenë islame?

Reagimi gjithsesi ishte i keq nga të gjithë, nga prindërit, farefisi, shoqëria. Dhe kjo është e kuptueshme po të kihet parasysh mentaliteti ynë nacional, padija rreth besimit në përgjithësi dhe Islamit në veçanti, paragjykimet e shumta që ekzistojnë. Disa nga familjarët edhe më kanë sulmuar fizikisht, mirëpo kjo mua më ka bërë më të fortë, më të bindur në rrugën time se ajo është e drejtë, duke ndjerë padyshim dhimbje të madhe, më shumë se për veten për ata.

Presione për besimin apo thjesht për shaminë, pra mbulesën?

Edhe për besimin edhe për mbulesën. Nuk i kanë parë të veçuara.  Janë munduar shumë herë të më kthejnë mbrapa, ta heqi shaminë, duke më ofenduar me fjalë të rënda e duke më akuzuar për gjëra që nuk ekzistojnë, madje edhe duke më kërcënuar se do më nxjerrin nga shtëpia.

Dhe siç e cekët, ndodhi dhe me shoqërinë e njëjta gjë, apo jo?

Po, edhe në shoqëri zgjedhja ime pati efektin e vet. Ajo u largua nga unë. Eshtë keqardhëse po të nisesh nga mentaliteti që i ka nxitur të bëjnë këtë zgjedhje. Pra, kam humbur shokë dhe shoqe, por ama kam fituar vëllezër e motra besimi, gjë që për mua vlen më shumë. Mirë do ishte që dhe ata mos i humbja, pasi besimi më dikton të kundërtën, dhe në emër të tij unë nuk i kam braktisur.

Dhe në gjithë këtë ambient armiqësor, a ka patur ndokush që të ka përkrahur në zgjedhjen tënde të re.

Po, një njeri i vetëm, motra ime. Vetëm ajo arriti të më kuptonte në zgjedhjen time.

Ju thoni se gjetët ngushëllim për përvuajtjet e brendshme tek Kur’ani, aty fashitët dhe dilemat tuaja….

Po, është tërësisht e vërtetë. Ngushëllimin e gjeta duke lexuar Kur’anin, sepse nuk ekziston asgjë në botë më e pastër dhe më të drejtë se ky libër i Zotit. Aty gjeta dhe atë çka kërkoja si dilemë torturuese mbi besimin.  Pastaj ishin dhe ritet e besimit shumë kuptimplota.  Vetëm njëherë kur ta lëshosh kokën në sexhde, është ndjenjë që asnjëherë nuk do të lëshon.

Përveç jush, keni dijeni për maqedonas tjerë të konvertuar?

Po, nuk jam e vetme. Ka shumë maqedonas si unë që janë bërë myslimanë, meshkuj apo femra. Ka prej atyre që e kanë bërë publike këtë gjë, por ka dhe prej atyre që frikësohen nga presioni familjar e shoqëror dhe që e ushtrojnë fshehurazi besimin. Ndërkohë, janë shumë bashkëpatriotë të mij që më kanë shkruar që t’ u dërgojë ndonjë Kur`an ose libër mbi Islamin për ta njohur më tepër.

Në fund, për çka do i kishe këshilluar bashkëkombasit e tu?

Të gjithëve dëshiroj t’iu përcjellë një këshillë: Në çdo moment të dëshpërimit dhe dhimbjes të mendojnë thellë për Krijuesin, t`i dorëzohen dhe t`i mbështeten Atij me sinqeritet. Kështu zemrat do t`u qetësohen, por do t`u hapen dhe shtegdalje që kurrë më parë s`i kanë menduar, siç me ndodhi dhe mua. /tesheshi.com/

LEAVE A REPLY