Leximi kërkon një disiplinë të rreptë dhe vendosmëri, sidomos ditëve të sotme, që është thuajse e pamundur të përqëndrohesh, me rrjetet sociale nga njëra anë dhe grupet e whatsapp-it nga ana tjetër. Tashmë, është kthyer në një aftësi e cila duhet kultivuar me durim dhe angazhim të vazhdueshëm. Eshtë e vërtetë se disa libra ta lehtësojnë punën sepse rrëshqasin aq kollaj nëpër duar sa papritur e pakuptuar ke arritur tek faqja e fundit. Më ka ndodhur një herë të mbaroj një libër prej 300 e ca faqesh, për një muaj, vetëm në rrugën me metro duke shkuar dhe kthyer nga puna. Një herë tjetër, kam përfunduar një libër prej 700 faqesh, të Frederico Moccia (që konsidorohet si një ndër autorët më lakonik të letërsisë bashkëkohore italiane) në vetëm dy javë. Duke qenë se libri ishte voluminoz nuk ishte fort i lehtë për t’u marrë me vete, ndaj dhe e kam lexuar në kënd-meditimin të preferuar të shtëpisë. Edhe pse shtëpia nuk është ndër vendet më të përshtatshme për të lexuar, për shkak të shpërqëndrimit që ofron…sepse ato të uruara enë për të larë dhe rroba për të hekurosur nuk mbarojnë kurrë dhe ndonjëherë kanë dhe superfuqinë për t’u kthyer në specie vetëgjeneruese.

Disa libra të tjerë ta vështirësojnë jetën por megjithatë nuk janë të pamundur për t’u lexuar. Janë ato lloj librash që kërkojnë përqëndrim dhe mosshkëputje. Në këtë rast të duhet me patjetër të gjesh një streh sepse leximi në shtëpi është një mision i pamundur: “Lëre shtëpinë sa më parë! E përsëris: “braktise shtëpinë sa më parë, marrje!”. Disa mund të përqendrohen nëpër biblioteka, të frymëzuar nga leximi i të tjerëve edhe pse në disa raste mund të jetë një thikë me dy presa: papritur të shfaqet një mikeshë që s’e ke takuar prej kohësh, që ka kaluar orë të tërë aty para teje. Kështu ti shndërrohesh në shpresën e saj të vetme për t’ia mbathur dhe të tundon me një kafe për të cilën kishe gjithë mëngjesin që e mendoje por nuk po bëheshe mbarë.

Disa frymëzohen nëpër parqe. Thash “parqe”? A ka ende të tillë në Tiranë? Eshtë parku Rinia, por mund të rrezikosh të shpërqendrohesh nga zhurmat e fëmijëve apo zhurma e trafikut. Praktikisht, edhe Liqeni mund të konsiderohet park. Dikur lexoja dhe atje, por duhet të gjesh një vend të mirë nga ana e fillimit kur merr si pikë referimi rrugën e Elbasanit. Edhe aty mund të rrezikosh të shqetësohesh nga klithma pornografike njerëzore ose kafshërore (që pak a shumë e njëjta gjë është).

Vendi im i preferuar janë kafe libraritë ku dhe nuk tundohesh nga ftesat për kafe sepse tashmë je mu aty por je e rrethuar në të njëjtën kohë nga rafte frymëzuese përplot me libra, tek tuk edhe ndonjë nerd që lexon. E mira është të përfitohet nga oraret e para të mëngjesit, kur lokali sapo është hapur: do të gjesh një qetësi mahnitëse dhe tunduese. Lejoji vetes ndonjë pushim të vjedhur duke parë se kush hyn e kush del, ndonjëherë duke parë se si banakjeri bën ato çudirat pas banakut me lloj lloj makinerish magjike, apo të përshëndesësh pastruesen e cila do të mrekullohet për një moment nga “mirëmëngjesi” i një lexueseje “që në pikë të sabahut”. Edhe baret e thjeshta dhe pak të errëta të llojit Starbucks janë një mrekulli. Por dhe aty duhet të përfitosh nga oraret kur nuk ka shumë njerëz. Pyet për oraret e hapjes dhe mbylljes dhe planifiko të shkosh aty qoftë dhe kur vëren se s’ka shumë njerëz. Mos shko në vende ku ka wireless dhe mundohu telefonin ta mbash në xhep ose në çantë. Ideja është pikërisht aty: të largohesh nga shpërqendrimet. As mos shko shumë larg nga shtëpia në mënyrë që të jesh në gatishmëri për çdo urgjencë si dhe të arrish ta kthesh në një rutinë sepse largësia ndonjë herë të frikëson dhe është një arsye e mirë për ta shtyrë edhe këtë herë leximin. Sigurohu që kudo që të shkosh, sa herë të dalësh nga shtëpia të kesh një libër nga të dyja llojet: një të vogël praktik për t’u mbartur edhe gjatë përpjekjeve akrobatike për t’u kapur fort në autobusat e linjës e njëkohësisht i lehtë për t’u lexuar edhe në pritjet në banka apo zyra shërbimi; si dhe një tjetër, nga ato më të vështirët për t’u përqendruar, i cili qënë momentin e parë kërkon qetësi dhe relaks, një bibliotekë, park apo lokal ku mund ta hapësh pa frikë dhe ta shijosh në çdo moment të ditës.

LEAVE A REPLY