Nga Besard Jacaj

Po bëhet një mot që drejt Shkodrës nuk udhëtojnë më gazetarë kulture për të bërë reportazhe për biçikletat, por kolegë kronike që shkojnë për të parë provat në qytetin e kthyer tashmë shpesh në vendngjarje. Në “Scutarin” e ahengut (të dy terma që vërtetojnë lashtësinë e saj) krismat e armëve po dëgjohen më shpesh jaret e pazëvendësueshme të shpirtit qytetar.

Një vit po bëhet edhe që “tuj shetit në mal e në kodër”, lulebora nuk është më në kopshtin më të bukur në Shkodër, sepse u vyshk duke parë se ç’po ndodh në lagjet e vjetra me banesa karakteristike e me njerëzit që nga mungesa e qetësisë nuk flejnë më në zheg.

Në gjithë këtë situatë, gjëja me e parëndësishme është çorba e institucioneve me gishtin e ngritur të përgjegjësisë (zakon shqiptari) që drejtohet nga kushdo që del përpara, duke harruar se secili kur akuzon, katër të tjerët i ka nga vetja.

Në një vend ku rrisim fëmijët me shprehjet: “i forti ka gjithmonë të drejtë”, “s’të vret kush kot”, “plumbi del me plumb”, e ku adoleshentët njohin çdo lloj modeli arme, por s’të thonë dot një titull libri, shpresa e vetme mbetet ai lart, (jo kryeministri), Zoti!

O Zot, ti e di më mirë se ne ku ka mirë bëjmë keq, e ku ka keq e bëjmë më keq prandaj vër dorë.
Ndërroji edhe ti “drejtuesit e tu të policisë” që të rikthejnë sigurinë jo vetëm tek shkodranët, por tek të gjitha qytetet ku krimi rritet më shpejt se lulet.

 

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.