Atmosfera e Ramazanit ndihet kudo në ajër tashmë dhe të gjithë përreth nesh e shfaqin entuziazmin dhe dashurinë për të. Ata shprehen të kënaqur për faktin se gjatë këtij muaji mund të përqendrohen më shumë tek adhurimet dhe janë të gëzuar për lidhjen e djajve përgjatë kësaj kohe. Nga çfarë sheh e dëgjon, të gjithë të duken të lumtur, e ty s’të mbetet gjë tjetër veçse të dëshirosh me zemër përjetimin e ndjesive të njëjta.  

Ndoshta Ramazani yt mund të mos ketë nisur ashtu siç e kishe planifikuar. Ndonëse ky muaj ka vërtet në qendër përqendrimin në adhurime, sërish jeta jonë nuk ndalet gjatë tij. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të përmbushim përgjegjësitë tona jetësore. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se s’ka hapësira apo mundësi për përfitime të shumta.

Ndonjëherë jeta bëhet e ngarkuar dhe gjërat s’është se mund të vihen në vijë ashtu krejt papritmas, me të nisur Ramazani. Është e vërtetë se në këtë periudhë lidhen djajtë, por ne duhet të punojmë fort edhe me egon tonë.

Dikur mendoja se sapo të vinte Ramazani, do të ndihesha për mrekulli. E bëja me plan që përpara ardhjes së tij, që të pendohesha për të gjitha gjynahet dhe t’ia nisja nga e para, duke i bërë gjërat në mënyrën e duhur. Përcaktoja gjithashtu edhe gjërat që mendoja të arrija përgjatë atij muaji. Por pavarësisht se i bëja të gjitha këto, sërish kishte diçka që mungonte.  

Më në fund e kuptova se Ramazani nuk nënkuptonte thjesht e vetëm ndryshimet e jashtme. Ti mund të lexosh Kuran e hadithe, mund të dëgjosh të gjitha ligjëratat e mundshme, apo të lexosh pa fund artikuj që flasin për Ramazanin, por prapëseprapë mund të mos ndikohesh së brendshmi prej tyre. Kur ndodh një gjë e tillë, atëherë është momenti që të kontrollojmë gjendjen e zemrës tonë, sepse ne e dimë mirë se s’mund të hedhim ujë në një gotë të palarë.

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut (p.q.m.t.) ka thënë: “Kur besimtari bën një gjynah, në zemrën e tij bëhet një pikë e zezë. Nëse pendohet, tërhiqet dhe kërkon falje, atëherë zemra e tij pastrohet. Por nëse i rikthehet atij gjynahu, atëherë ajo pikë zmadhohet, derisa t’ia mbulojë tërë zemrën. Kjo është ajo mbulesa (rane – e keqe) e zemrës, të cilën e ka përmendur Allahu në Librin e Tij. ‘Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan, ua mbuluan zemrat e tyre.” (Tirmidhiu)

Pra, ne duhet t’i pastrojmë e t’i zbusim zemrat.

Allahu thotë në Kur’an: Edhe pas (fakteve të qarta) zemrat tuaja u bënë të forta si guri. Madje edhe më të forta, sepse ka nga gurët prej të cilëve gufojnë lumenj, e ka disa prej tyre që çahen dhe prej tyre buron ujë. Madje ka prej tyre që nga frika ndaj Zotit, rrokullisen tatëpjetë (nga maja e kodrës). Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju.” (2:74)

Ndoshta ti ke hequr dorë tashmë, duke menduar se s’ka vlerë as agjërimi e as namazi nëse s’mund të bëhesh dot një njeri më i mirë.

Ose ndoshta në këtë periudhë po përjeton ndonjë lloj gjendjeje, me të cilën s’ke forcë të përballesh. Ndoshta ti e di se ku duhet të punosh me veten, por thjesht nuk dëshirosh ta bësh një gjë të tillë. Ose ndoshta nuk ke marrëdhënie të mira me ndonjë musliman tjetër.

I Dërguari i Allahut (p.q.m.t.) ka thënë: “Dyert e Parajsës hapen të hënave e të enjteve, dhe gjatë kësaj kohe i garantohet falja çdo robi të Allahut, që nuk i bën shok Atij në adhurim. Por nëse ndonjëri ka në zemër mllef ndaj vëllait të tij musliman, atëherë ai nuk do të falet. Për ta do të thuhet: “Mos i lëshoni ata të dy derisa të pajtohen!” (Muslimi).

Ndoshta ti e ke mbingarkuar veten me përgatitjet e Ramazanit, je trullosur ndërkohë dhe e ke lëshuar veten qysh pa nisur ai.

Cilado që të jetë arsyeja, fillo ta ndryshosh gjendjen tënde menjëherë! Nise nga fillimi! Përcaktoji qëllimet nga e para dhe kujtoja vetes se ç’përfaqëson në vetvete Ramazani. Vendosi vetes disa qëllime të vogla, të arritshme, dhe mos u trishto nëse të duket se i ke marrë gjërat me ngadalë!  

Ramazani është koha e përsosur për gjithçka. Është koha e përsosur për t’i kërkuar falje Allahut, për të marrë energji dhe për të nxitur veten për më shumë vepra të mira.

Njëherë pata dëgjuar në një ligjëratë, se në fillim të Ramazanit bëhen vetëm 5 rreshta me njerëz që falin teravitë në xhami. Nga mesi i Ramazanit, ato 5 rreshta reduktohen në 2 të tillë, dhe nga fundi këta 2 rreshta bëhen katër. Nga ky shembull ilustrues mund të kuptohet qartazi se kur arrijmë nga mesi i Ramazanit, ne e humbasim ritmin dhe vazhdimësinë e adhurimeve.

Por pse na ndodh një gjë e tillë? Gjasat janë që ne kemi bërë shumë gjëra para nisjes së Ramazanit dhe pastaj, aty nga mesi i tij, ndihemi të lodhur e të mpakur.

Si mund të jemi të qëndrueshëm në kryerjen e veprave të mira gjatë Ramazanit?

Në mënyrë që gjërat të shkojnë ashtu siç do të dëshiroje, lutju Allahut të të bëjë të qëndrueshëm dhe të të japë mundësinë për të vazhduar veprat e mira edhe jashtë këtij muaji, deri në fund të jetës.

Ruaj ekuilibrat!

Pa ardhur ende Ramazani, ne bëjmë një listë të gjatë të gjërave që duam të bëjmë, por nga mesi i tij, ajo listë nis e bëhet e vështirë për t’u përmbushur. Kësaj radhe, si për të ndryshuar diçka nga Ramazani i vjetshëm, listo më pak gjëra për t’u bërë dhe përpiqu të jesh i qëndrueshëm në kryerjen e tyre. Do ta shohësh vetë ndryshimin! Kujto faktin se vepër e mirë mund të jetë  edhe një lutje e vogël që ti bën për bashkësinë e besimtarëve, apo zbatimi i çdonjërës prej veprave të mira që i Dërguari i Allahut na i ka lënë si porosi.

Duke folur pikërisht për vazhdimësinë e veprave, i dashuri ynë, Muhammedi (p.q.m.t.) ka thënë:

“Veprat më të dashura tek Allahu janë ato që kryhen në vazhdimësi, ndonëse mund të jenë të pakta.” (Buhariu)

Fillimi i një pune të mirë nuk është ndonjë gjë e madhe, por vazhdimësia e saj ka vërtet rëndësi tek Allahu. Mua kështu më pati ndodhur. Nuk isha aspak gati për të agjëruar, për shkak se as nuk i isha lutur Allahut për këtë gjë, e as nuk e kisha planifikuar. Kjo është edhe arsyeja se pse andej nga fundi i Ramazanit, unë u ndjeva e lodhur.

Ramazani është koha më e përshtatshme për të filluar një vepër të mirë dhe për të qenë i qëndrueshëm në të! Prandaj, mos humb kohë!

Ramazani është muaji kur erërat fryjnë lehtazi, kur nxehtësia e diellit e ul intensitetin e saj, e kur shiu freskon më shumë se kurrë.

Ramazani është muaji kur retë lëvizin ngadalë e lehtësisht në qiell dhe marrin ngjyrën e paqtë të bardhësisë. Është muaji kur shushurimat e pemëve bëhen melodi e preferuar, e kur pëshpërimat e lutjeve e pushtojnë tokën. Është muaji kur malet e palëvizshme i bëjnë jehonë lavdërimit të Zotit, kur një ninullë e ëmbël përhapet në ajër dhe kur mëshira e Zotit e mbulon krejt tokën.

Ramazani është muaji i ndryshimit.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.