Nga Klodi Smajlaj 

Të shtrenjta bashkëbesimtare, që së fundmi ma paskeni pasuruar listën bashkëshoqëruese të emrit tim me etiketimin ‘feministe’,

Para se t’ju them në mënyrë të sinqertë, siç përherë e bëj, atë që kam për t’ju përçuar, do të doja t’ju rendisja si fillim disa pyetje, për të cilat kam mëdyshjet e mia nëse ua keni përgjigjet:

Të dashura,
A jeni të sigurta se e dini me saktësi se çfarë është feminizmi?
Sa literaturë keni lexuar për këtë lëvizje politiko-ideologjiko-sociale?
A e dini se KU, SI dhe PSE nisi si lëvizje?
A e dini se kush kanë qenë themeluesit e saj?
A e dini se çfarë mbron dhe proklamon kjo lëvizje?
Meqë tregoheni shumë bujare në etiketimet që i vendosni çdo gruaje të lirë, e cila ngre zërin kur sheh se ka gjëra që nuk shkojnë, atëherë dyshoj se i keni përgjigjet e duhura për pyetjet e mësipërme.
Të nderuara,
Nëse ‘feminizmi’ nënkupton përpjekjen për ta rinderuar gruan me vendin që Zoti i madh i ka dhënë në familje e shoqëri, vend të cilin ia kanë marrë e vazhdojnë t’ia marrin përdhunshëm edhe sot, atëherë unë jam krenare me qenë feministe.
Nëse ‘feminizmi’ nënkupton thirrjen për të rikthyer të drejtat që i janë cenuar dhe vazhdojnë t’i cenohen vazhdimisht gruas, atëherë unë jam krenare me qenë feministe.
Nëse ‘feminizëm’ do të thotë ngritje e zërit kundër interpretimeve maskiliste të fesë, kundër stigmës dhe gjuhës përçmuese që përdoret nga klerikët në ligjërimet e tyre reale dhe virtuale, sa herë që flitet për gruan, atëherë unë jam krenare me qenë feministe.
Nëse ‘feminizëm’ do të thotë që të shprehësh mendimin tënd, si grua, si qenie e lirë, të cilës Zoti i ka falur aftësinë për të pasur qasje kritike, atëherë unë jam krenare me qenë feministe.
Ju kërkoj ndjesë që u vonova kaq shumë për ta kuptuar se qenkam ‘feministe’. Tani që e mësova, e që ma bëtë ju ta kuptoja, besoj se do të kem më shumë suksese në jetë.
Duke ju uruar një natë të paqtë, ju dërgoj të gjithave një përqafim të ngrohtë ‘feminist’!

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.