Nga Hoxhë Omer Dauti

Ramazani na mëson ndër të tjera që të kalisim dhe cilësi të ndryshme përveç durimit dhe vetëpërmbajtjes. Na mëson të heqim dorë prej gjërave që janë më themelore për mbijetësën tonë: ngrënia dhe pirja. Më pas nga kënaqësitë tona si dhe nga ajo çka ne mendojmë se është më e shtrejntë për ne në këtë dunja: pasuria jonë. Andaj, kur më mirë se sa gjatë këtij muaji duhet të ushtrohemi duke praktikojmë të dhënurit.

Të dhënurit për hir të Allahut dhe në rrugën e Tij.

Allahu xh.sh në Kuran ka përmendur një terminologji të ndryshme për të nxitur njerëzit të japin lëmoshë. Kjo për shkak se njerëz të ndryshëm përshkak të diversitetit në karakter, motivohen në forma të ndryshme.

Kështu, Allahu xh.sh ka përmendur term si: “jepni nga ajo me çka Ne u furnizuam juve”

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَنْفِقُوا مِمَّا رَزَقْنَاكُمْ مِنْ قَبْلِ أَنْ يَأْتِيَ يَوْمٌ لَا بَيْعٌ فِيهِ وَلَا خُلَّةٌ وَلَا شَفَاعَةٌ ۗ وَالْكَافِرُونَ هُمُ الظَّالِمُونَ

“O ju që keni besuar, para se të vijë një ditë kur nuk do të ketë as shitblerje, as miqësi, e as ndërmjetësim, jepni nga ajo me çka Ne u furnizuam juve. Pabesimtarët janë mizorë.”

 

Duke ia kujtuar insanit që ajo çka po dhuron, në esencë nuk e ka nga vetja por nga furnizimi që Zoti ka dashur që t’i shkojë atij. Në këtë ajet gjithashtu vërejmë se fill pas urdhërit për të dhuruar është vendosur dhe një krahasim me pabesimtarët “Pabesimtarët janë mizorë” duke sygjeruar kështu se nëse nuk japim ne do të tregohemi mizor karshi atyre që s’kanë, dhe të qenurit mizor është cilësi e pabesimtarëve që nuk u shkon përshtat muslimanëve. Një tjetër term i përdorur është të shpenzuarit në rrugë të Allahut:

وَمَا تُنْفِقُوا مِنْ شَيْءٍ فِي سَبِيلِ اللَّهِ يُوَفَّ إِلَيْكُمْ وَأَنْتُمْ لَا تُظْلَمُونَ …

“…Çkado që shpenzoni për rrugë të All-llahut, ajo do t’ju konpensohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtë. “  (Enfal, 60)

…وَجَاهِدُوا بِأَمْوَالِكُمْ وَأَنْفُسِكُمْ فِي سَبِيلِ اللَّهِ ۚ ذَٰلِكُمْ خَيْرٌ لَكُمْ إِنْ كُنْتُمْ تَعْلَمُونَ

“Luftoni (përpiquni) për hir të All-llahut me pasurinë tuaj dhe me veten tuaj; kjo është gjëja më e dobishme për ju, nëse e kuptoni. “ (Teube 41)

Mirëpo sot, dua të ndalem në një tjetër shprehje interesante dhe unike që thekson të dhnurit për hir të Zotit dhe ajo është “huazimi”. Nuk bëhet fjalë për të dhënurit borxh por bëhet fjalë për një huazim, një lloj marrveshje mes robit dhe Zotit në bazë të së cilës nëse ne japim për hir të Tij, çdo gjë që do të japim do na kthehet e shumëfishuar.

Ky lloj termi përdoret në Kuran në dy sure të ndryshme:

:مَنْ ذَا الَّذِي يُقْرِضُ اللَّهَ قَرْضًا حَسَنًا فَيُضَاعِفَهُ لَهُ وَلَهُ أَجْرٌ كَرِيمٌ

 

“Kush është ai që i huazon All-llahut një hua të mirë e që Ai t’ia shumëfishojë atë dhe ai ka një shpërblim të mirë. Hadid (ajeti 11)”

“مَنْ ذَا الَّذِي يُقْرِضُ اللَّهَ قَرْضًا حَسَنًا فَيُضَاعِفَهُ لَهُ أَضْعَافًا كَثِيرَةً ۚ وَاللَّهُ يَقْبِضُ وَيَبْسُطُ وَإِلَيْهِ تُرْجَعُونَ”

“Kush është ai që i huazon All-llahut një hua të mirë, e Ai t’ia shtojë atij shumëfish atë? All-llahu shtrëngon (varfëron) dhe çliron (begaton) dhe kthimi juaj është vetëm tek Ai.” (Bekare 245)

Nga arabishtja fjala “Kard-Kurada” huazimi- nënkupton të dhënurit atëherë kur ai që po lyp për ndihmë po kërkon një gjë shumë të vogël dhe shumë pak porse është dëshpërimisht nevojtar për atë çka po kërkon ndërsa ai i cili ka mundësi të japë ka mjaftueshëm dhe nuk është ndonjë humbje e madhe për të nëse jep atë çka po i kërkohet.

Si mund ta kuptojmë ne këtë thirrje të Zotit për t’i huazuar Atij, kur Ai posedon gjithçka dhe është Krijuesi i gjithçkaje? Ndërsa ne nuk posedojmë asgjë (sepse nëse don Ai na e jep, dhe ashtu siç na e ka dhënë mundet të na e marrë përsëri) madje ne nuk kemi as nën kontroll zemrën tonë, pasiqë dhe për të e lusim Zotin vazhdimisht me lutjen:

““O lëvizës i zemrave, përforcoje zemrën time tërësisht në fenë Tënde.”

Së pari duhet të kuptojmë gjuhën e Kuranit e cila është një gjuhë e mbushur me metaforika dhe element letrarë për të trajtuar fenomene të ndryshme.

Shpeshherë kur njerëzit na huazojnë ne kemi shumë siklet karshi tyre: mundohemi t’u shamngemi sepse sa herë që na dalin përpara na duket sikur do na e përkujtojnë borxhin, ndihemi gjithashtu dhe ne borxhlinj ndaj tyre për shkak të nderit që na kanë bërë etj.

Ndërsa Zoti na fton në Kuran që të kemi besim tek Ai, t’ja huazojmë Atij këtë borxh duke iu dhënë të varfërve prej pasurisë që Ai na ka furnizuar dhe Zoti këtë huazim do na e kthej shumëfish. Huazimi në rrugë të Zotit është i vetmi rast kur lejohet e ashtuquajtur “kamata”. Ne e dijmë shumë mirë se kamata mes njerëzve është e ndaluar. Por Zoti e ka bërë të lejuar, madje ka premtuar për të kur bëhet fjalë mes Allahut dhe robit të Vetë.

Mirëpo duhet të sqaojmë dhe diçka në këtë kontekst: njerëzit kur japin sadaka, në disa raste, fillojnë të presin për shpërblimin e saj menjëherë në këtë botë. E duan kthimin mbrapsht të huazimit menjëherë dhe duan t’i shohin frytet e saj në çast. Mund të ketë njerëz që mendojnë: Ja unë dhash kaq para për të vobektit dhe nuk mu shumfishua pasuria, as ato para nuk erdhën përsëri tek unë! Ku është premtimi Allahut?! Allahu nuk ka specifikuar dy gjëra në këtë ajet:

  1. se kur do ta kthejë tek ty këtë huazim dhe
  2. në çfarë forme

Kjo lloj mungese specifikimi është bërë qëllimisht për lënë hapësira kur bëhet fjalë për shpërblimin. Nga kjo kuptojmë se shpagimi mund të jetë në këtë botë DHE në botën tjetër dhe mund të jetë VETëM në botën tjetër. Disa japin lëmoshë dhe e mbajnë mendjen aty dhe fillojnë numërojnë ditët, javët, muajt duke shpresuar në rikthimin e kësaj lëmoshe. Mirëpo ne jemi të këshilluar që kur të japë dora e djathtë mos ta shohë e majta, kjo nuk nënkupton vetëm që të ruhemi nga syfajsia dhe mburrja por kjo nënkupton gjithashtu që atë që e dhe ta harrosh. Mos ta kthesh më kokën pas e ta mbash mendjen aty se kur do të rikthehet shpërblimi asaj që dhe.

Ndërsa përsa i përket formës: shpagimi nga ana Zotit për sadakanë që ne kemi dhënë mund të jetë në forma të ndryshme. Nuk është e thënë që të japim para dhe të na vijnë pare, psh. të japim sadaka dhe të na jepet zekat. Mund të japim lëmoshë por kjo lëmoshë mund të bëhet shkak që të na hapen shumë dyer të tjera, ose të na largohen shumë fatkeqësi që ishin nisur për tek ne. Mundet që ne të japim lëmoshë por Zoti na jep shëndet. Mund të japim lëmoshë por Zoti na dhuron harmoni në familje, bereqet në shtëpi, rrizk në pasuri, bashkëshortë dhe fëmijë të rrespektueshëm dhe të bindshëm. Allahu e di se për çfarë kemi nevoj për ne dhe na jep atë që na duhet dhe jo atë çka duam.

Dikush mund të japë sadaka që t’i pranohet duaja për rrizk në pasuri por Allahu e di më së miri gjëndjen e tij dhe se ai mund të mjaftohet me aq porse ka nevojë për shëndet pasi është kryefamiljar dhe mbart përgjegjësinë e gjithë familjes. Dikush mund të japë lëmoshë dhe lutet për shëndet ndërsa Zoti i jep shumë fëmijë që të jenë krah për të, etj. Dikush mund të ketë dhënë një sasi parash mirëpo Zoti mund t’i japë diçka që nuk blihet, diçka që mund të jetë lutur prej shumë kohësh, diçka që e ka dashur gjithmonë por nuk ka pasur mundësië ta arrijë.

Ne të gjitha pak a shumë kemi njohuri themelore në biznes dhe mund të ketë prej shikuesëve që janë dhe ekspert të fushës, mirëpo gjëja më bazike që duhet ditur është se në biznes si fillim duhet të investosh,pra të harxhosh para që të fitosh para. Në këtë rast biznesi sjell këto rezultate:

  • Ose do të dalësh me zero fitim dhe zero humbje
  • Ose do të fitosh më shumë nga se ke investuar
  • Ose do të dalësh i falimentuar

Në “biznesin” mes robit dhe Zotit ka vetëm një opsion të vetëm dhe është alternativa e mesme: gjithmonë do të dalim të fituar sepse Zoti në Kuran na e ka garantuar këtë dhe nuk ka gjë që e thyen ligjin e Tij në tokë vetëm nëse Ai don.  

Shumë mendojnë se ky “Infak” huazim mund të jetë vetëm në para. Dikush mund të ankohet dhe të thotë: unë nuk kam as për vetë si të japë? çka të japë? Thotë Allahu në Kuran:

“وَأَقْرِضُوا اللَّهَ قَرْضًا حَسَنًا ۚ وَمَا تُقَدِّمُوا لِأَنْفُسِكُمْ مِنْ خَيْرٍ تَجِدُوهُ عِنْدَ اللَّهِ هُوَ خَيْرًا وَأَعْظَمَ أَجْرًا ۚ وَاسْتَغْفِرُوا اللَّهَ ۖ إِنَّ اللَّهَ غَفُورٌ رَحِيمٌ”

“..Huazoni (jepni sadaka) për hir të All-llahut hua të mirë, se çka të përgatitni për veten tuaj prej të mirave, atë do ta gjeni te All-llahu edhe më të mirë, dhe shpërblim më të madh, e kërkoni falje prej All-llahut, se All-llahu është mëkatfalës, mëshirues!” (Muzemil 20)

“prej të mirave,” pra prej begative, mirësive dhe nimeteve që Zoti na ka falë. Këto mundësi mund të jenë në forma dhe mënyra të ndryshme: duke dhuruar kohën dhe shpenzuar atë në ndihmë të njerëzve, fuqi punëtore, krah pune, dukë dhuruar gjak, duke dhënë një mjet trasnporti në dispozicion për punë të hajrit, duke ndihmuar komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi me aftësitë që na janë dhënë dhe kemi kultivuar gjatë gjithë jetës tonë. Pra, çdo kush mund të jetë i dobishëm brenda mundësive të veta.

Lusim Zotin të na përmiresojë dhe udhëzojë për çdo gabim tonin me dhe pa vetëdije, gjithashtu të pranojë nijetin tonë, që është për Hir të kënaqësisë së Tij.

  • Kjo ligjerate eshte e shkeputur nga programi humanitar Jeta e Re

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.