Kush vrapoi në Safa dhe Merua?

0

Haxhi është një ndër adhurimet që padyshim përfshin simbolika dhe urtësi të ndryshme parë nga disa lloje këndvështrimesh që për t’i prekur të gjitha do duhej një libër i tërë.
Saji quhet ecja mes Safas dhe Meruas dhe është një rrugëtim që kryehet 7 herë dhe simbolizon endjen e një nëne për të kërkuar ujë për foshnjen e saj.
Pasi Ibrahimi (a.s.) zbriti nga krahët Ismailin dhe e vuri mbi rërën e nxehtë, e rraskapitur nga lodhja, Haxheri u tremb kur pa se burri i saj i la aty vetëm e po largohej. Me siguri që në mendje i kanë kaluar me qindra pyetje duke vënë në dyshim arsyen e kësaj braktisjeje, duke menduar për mbijetesën në atë vend pa ujë dhe ushqim dhe të rrezikshëm për nje femër vetëm dhe fosnjen e sajë. Kur ai ja ktheu shpinën, Haxheri nisi ta pyeste, ta përgjëronte. derisa zëri i saj humbi nëpër zbrazëtinë e shkretëtirës. I dërguari i Zotit ecte pa kthyer as kokën, ndërsa përbrenda po shuhej pak nga pak.
Pastaj ajo heshti papritur. Më në fund arriti t’i kuptonte të gjitha. Ndër të tjera ajo ishte edhe grua, edhe nënë profeti. Harroi gjendjen e saj dhe filloi të ndiente zemrën e tij të coptuar si rënkonte nga dhembja e pashprehur. E kështu nuk e la të largohej i shqetësuar por e vendosur në mbështetje ndaj Dhuruesit të Mirësive të Mëdha e mirëkuptoi dhe e përkrahu në vendimin e tij:”Patjetër që Zoti të ka urdhëruar për këtë dhe Ai do të na gjejë një rrugëzgjidhje.”
Imagjinoni një shkretëtirë ku prezenca ujit kthehet në një burim mbijetese. Për pak kohë uji që kishin me vete mbaroi. Vogëlushi nisi të qante prej etjes. Instikti mbrojtës prej nëne e bëri që mos ulej e të priste duar kryq vdekjen apo të priste të binte ujë prej qielli, por u ngrit dhe filloi të kërkonte për ujë. Kështu ja nisi vrapit drejt kodrës Safa. Kërkoi me sy horizontet se mos gjente ndonjë pemë, një pus apo dikë. Nga Safa vrapoi në kodrën Merua që ishte përballë. Shtatë herë shkoi dhe erdhi nga maja në majë, nga Safa në Merua.
Pikërisht atëherë kur e lodhur dhe e rraskapitur po kthehej duke u zvarritur pranë të birit vuri re se ai ishte duke luajtur e duke u freskuar me ujin që rridhte pa pushim. Kishte çelur një oaz në mes të asaj shkretëtire. Burimi që më pas u quajt Zemzem. Me të zbuluar oazin shumë njerëz filluan të migronin në atë vend dhe të ndërtonin duke e shndërruar atë në një vendbanim të vogël. Kështu Haxheri, u shndërrua jo vetëm në simbolin e besimtares së devotshme, bashkëshortes mirënjohëse, nënës së përkushtua por dhe themeluesja e një qytetit të tërë.


Haxhi dhe feminizmi
Rituali i endjes shtatë herë nga njëra kodër në tjetrën u kthye në një nga fazat më të rëndësishme të Haxhit. Madje dhe pirja nga burimi Zemzemit, të cilin vetë ajo e ka emëruar duke brohoritur “grumbullohu, grumbullohu!”. Këto janë detaje nga historia islame dhe nga rregulloret e adhurimeve që ditëve të sotme shpesh harrohen apo nuk merren fare në konsideratë. Haxhi në tërësi, sidomos nga shoqëri paragjykuese që nga islami nuk njohin as konceptet më themelore, shihet si një ritual i privatizuar nga meshkujt si personat e vetme legjitime për ta kryer atë. Shumë prej këtyre paragjykimeve nisen nga ndalesa e femrës për të udhëtuar vetëm për në Haxh, duke u ndalur në një detaj, i cili padyshim mbart në vetevete një urtësi për të cilën duhet një shkrim i tërë, dhe duke anashkaluar kështu elementët femëror të këtij rituali.
Një mikeshë një herë më tregoi e indinjuar se si në një rast, teksa e zhytyr në adhurim dhe përkushtim të thellë, po vraponte midis hapësirës së dy kodrave e dëshpëruar (duke dashur kështu të përjetonte praktikisht situatën e vetë Haxherit) një burrë i moshuar e urdhëroi të ndalojë. Kjo me pretekstin se sipas një rregulli në fikh femra duhet të ecë me hapa të shpejta dhe jo të vrapojë. Me qetësi dhe durim ajo i përgjigjet: “O haxhi i nderuar, a e din ti se kush vrapoi këtu?
– “Ibrahimi a.s ! ” i përgjigjet ai.
– “Ndërmjet dy kodrave vrapoi gruaja e profetit Ibrahim, e dëshpëruar duke ju lutur Zotit për shpëtim. Unë jam një Haxher e kohëve të sotme, e dëshpëruar për shpëtim nga ana Zotit, pra lërmë në adhurimin dhe përkushtimin tim, përderisa me mbulesën time jam në rregull.”
Në një trasmetim nga Ibn Abasi tregohet se teksa Profeti a.s ishte i shoqëruar ditën e Nahl-it (Dhul Hixhe) me El-Fadl ibn Abasi, një grua e bukur nga fisi El Khatham për ta pyetur për një çështje. El Fadl nuk mundi mos ta vinte re bukurinë e saj dhe padashur nisi ta fiksonte i mahnitur. Profeti a.s që e vuri re këtë e kapi prej faqe dhe ja ktheu kokën mënjanë. Pra Profeti i Zotit nuk i urdhëroi gruas të largohej, as të hidhte perçe, as të shkonte të vishte diçka më të përshtatshme dhe pastaj të kthehej për pyetjen, të kthente kurrizin, të ulte kokën apo ndonjë veprim tjeter që mund ta fajësonte atë. Ai, i Dërguari i Zotit, ja ktheu kokën mikut të tij duke treguar kështu se kush ka probleme me vetëpërmbajtjen është faji i tij dhe ai duhet të përmisohet. Nëse vrapimi i femrave në Haxh, pavarsisht se i kryer me modestinë më të madhe dhe me një veshje modeste të përshtatshme, mund të konsiderohet për dikë veprim tërheqës apo jashtë normave, atëherë këto persona kanë probelem serjoze. Në vend që t’u themi grave se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjmë, t’i këshillojmë ato se si ta bëjnë në mënyrën e duhur në përputhje me parimet islame.

Ky shkrim eshte botuar per here te pare ne revisten Familja Gusht-Shtator 2017

LEAVE A REPLY