Askush nuk mendon se të transferohesh në një vënd të huaj është e lehtë, ndoshta askush përveç meje. Gjithmonë më kanë pëlqyer aventurat, udhëtimet në vënde të huaja, ndjenjat që të krijohen nga ndërtesat, kalldrëmet, mënyra se si dielli bie në atë vënd me kënd ndryshe, se si koha leviz ngadalë dhe entuziazmin e bllokon në fyt frika e së pa njohurës. Diku duhet të jetë qendra, pa dyshim ai vend do të ketë një lulishte, biblioteka mund të jetë e populluar apo e zymtë dhe e errët. Të shohim!

Sapo hap sytë në mëngjes, shoh tre palma të larta, asgjë tjetër përveç tyre dhe qiellit, mbyll sërish sytë dhe imagjinoj veten të jem në breg të detit e rrethuar nga palma e flladin e freskët detar. Fundja, ky vend s’duhet të jetë aq i keq kur të jep mundësinë të transportohesh me imagjinatë në vënde ekzotike. Tashmë çdo gjë ka mbaruar, qëllimi i jetës sime deri tanimë është arritur, nuk di më se çfarë të aspiroj në jetë pas diplomës.

E përplasur në një nga vëndet më rraciste në Itali, aty ku çdokush është një legist-rracist e ti shëtit rrugëve me shami. Legisti bie në sy më shumë seç mund të biesh në sy ti me shami mbuluar: dallohet nga arroganca e vetpëlqimi. Të ndal në rrugë e të bërtet me të madhe “Vai al tuo paeseeeee”, “Mussulmana di m….”, “Se vuoi stare qua te lo togli quel velo, se non ti piace vai al tuo paese”(“Kthehu në vendin tënd!”, “Muslimane m….”, “Nëse do të rrish këtu, ke për ta heq atë shami, po s’te pëlqeu kthehu në vendin tënd!”). “Ç’pres unë nga këta,” them me vete- “këtu janë të tillë, o Zot më mbro!”. Legist racist, po nga dolën këta të gjithë të bashkuar nën flamurin e partisë Lega Nord, kur sheh festat e tyre partiake me burra të dehur që han qull me miell misri (polenta) e salçice derri, e sa her lideri i tyre i bërtet “Veneto Shtet! Poshtë Italia” ato ngrenë duart me në duar pirunin me salçiçe derri e bërtasin “Viva!Viva!”(Rroftë! Rroftë!”). Më kap një e qeshur tek sa imagjinoj skenën.

Pa ta shoh një herë si është kjo biblioteka, ndoshta i vetmi vend këtu në këtë katund të përhumbur të Italisë, për mua çdo vend përveç Durrësit më duket katund, por sikur të ishte Durrsi i rregullt dhe me një urbanizim kaq perfekt si ky katundi ku jam do të ishte mrekulli. Ah, deti i Durrësit, dua të kthehem!” Me duhet një biçikletë, si kjo e këtij burrit që po vjen përballë meje, çfarë ka që sheh me kaq inat?!?! Eh, ja të presim ç’do të bërtas ky i rradhës. Kësaj here ndalet, zbret nga bicikleta e i vendosur përballë meje me ton të egërsuar nis e bërtet: “Toglilo quel velo! Non ti sei ancora accorta che sei in Italia!! Se vuoi stare qui te lo devi togliere hai capito?!!!”(“Hiqe atë shami! Akoma se ke kuptuar që këtu je në Itali!! Po deshe të rrish këtu duhet ta heqesh e more vesh?!!!”) Nuk durova më, unë nuk jam pa gojë, pa kurajo dhe frikacake, frikën nuk ja kam askujt dhe kurrë s’ja kam pasur e s’më detyron kush të rri e heshtur viktimë e dhunes verbale të të panjohurve sado në një vënd të huaj. Pak dinjitet të lutem! Fol! Ndaj e lash vehten të lirë kësaj rradhe të përgjigjem e të shfryj ndoshta të gjithë atë heshtjen e rradhëve të tjera, boll më!: “Senta, se lei ha voglia di imporre a qualcuno il modo in cui vestire, vada a imporlo a sua figlia, a sua moglie o a sua madre, lei non mi conosce e non ha nessun diritto di aprir’ bocca su estranei, se non mi lascia in pace adesso chiamo la polizzia!”(“Dëgjo këtu zotëri! Po deshe të detyrosh dikënd që të vishet si do ti, këtë bëje me gocën tënde, me gruan apo dhe me maman tënde! Ti as që më njeh dhe as që ke të drejtë të hapësh gojë mbi të huajt. Nëse s’më le rehat, do thërras policinë!”) Burri ngeli pa mend e pa gojë, se di ç’u perpoq të më thoshte por hipi në biçikletë dhe u largua. Atë biçikletë s’do ta harroj kurrë, dridhesha nga ajo ç’ka sapo thash, nuk i besoja vehtes. Vendosa ta zbuloj herë tjetër çfarë forme kish biblioteka e katundit, më mirë të kthehem në shtëpi. U shtriva e nën batanije pyesja vehten a do isha në gjëndje ta përballoja edhe këtë vënd, gjithmonë kështu do të jetë? Vonë nga pasditja, pash të njëjtën biçikletë poshtë rrugës sime, një drithërimë më përshkoi kurrizin, po fliste me komshiun tjetër italian mesoburrë si ai, u shtanga. Ç’të bëj? Nesër kthehem në kampus, e vendosa, ndoshta kur të më marrë malli do të vi sërish.

Në dhomën time të mrekullueshme, moderne dhe komode. Çfarë bëjn keta italianët, sa fonde duhet të kënë për shkollimin që i bëjnë kampuset kaq të mrekullueshme? Apo ndoshta isha unë që doja të rrija aty edhe për disa kohë, në kasollen time 2.0 prej studenti ndaj dhe më dukej aq e mrekullueshme. Gjithça e kisha harruar. Pas dy javësh kthehem në shtëpi, e vjehrra më thotë që komshiu i derës përballë i kishte rënë trombozë të nesërmen kur ika unë e ishte duke vdekur ne spital. Sa keq, nuk pata kohë të prezantohesha me komshinjtë përballë, ishin burrë e grua në pension, ishin për t’u admiruar sa punetorë e të kujdeshshëm që ishin, gjithmonë punonin në bahçe, gjithmonë e ndihmonin tim shoq në çdo punë dhe ishin shume bujarë. Mah, zbres në garazhdin e përbashkët të ndërtesës dy katëshe e shoh biçikletën, çfarë bënte aty? Ishte e komshiut tim përballë i cili vdiq pas disa kohësh, ta ket ditur vallë legisti që më bertiti në rrugë që paskëshim qënë komshinjë kaq të afert?

LEAVE A REPLY