Nga Enes Neza

Në Kosovë është duke u përgatitur terreni për kufizimin e lirive fetare. Fillimisht po përgatitet opinioni publik me anë të mediave duke marrë deklarata nga muslimanë të cilët në rastin më të mirë nuk janë kompetentë të flasin në emër të fesë, e në rastin më të keq janë figura të njohura për bashkëpunim me Islamofobet.

Mos lejoni që Islami të rrëmbehet nga bashkëpunëtorët e islamofobeve dhe injorantët.

Gruaja muslimane është e lirë të zgjedhë të mbajë shami, hixhab apo edhe burka nëse dëshiron. Dhe askush nuk ka të drejtë t’ia kufizojë asaj këtë zgjedhje mbi bazën e interpretimeve të caktuara fetare. Për më tepër, në një shoqëri si e jona, ku liria fetare është e gantuar me Kushtetutë, askush nuk ka të drejtë që t’i diktojë askujt se çfarë është apo nuk është Islame. Sidomos kur këto vijnë në vazhdën e përpjekjeve për të normalizuar një lloj frike të pajustifikuar ndaj femrave muslimane që mbartin një mbulesë pak më konservative.
Më vjen keq që edhe në një shoqëri me shumicë muslimane si e jona, aq më tepër në Kosovë, diskutimet rreth mbulesës së femrës akoma sillen rreth argumenteve injorante dhe keqinformimit.

Të jeni të bindur se nëse Kosova do të miratojë një ligj që ndalon mbulimin e fytyrës në publik, kjo do të bëhet për të goditur në mënyrë direkte atë pakicë të vogël grash muslimane që kanë zgjedhur të mbulojnë fytyrën.

Një vendim i tillë do të kishte një efekt negativ të ato gra, pasi do t’u hiqte atyre aksesin nga shërbimet publike dhe do t’i margjinalizonte.

Dua t’ju kujtoj këtu se vetëm para pak muajsh Komiteti për të Drejtat e Njeriut në OKB doli me një vendim që e konsideronte shkelje të të drejtave të njeriut ndalimin e mbulimit të fytyrës në publik.

Nëse vende si Franca, Belgjika dhe Gjermania nuk kanë qenë në gjendje ta argumentojnë si duhet ndalimin e tyre absurd, pse mendoni se një vend si Kosova do të jetë në gjendje ta bëjë një gjë të tillë pa shkelur të drejtën kushtetuese për praktikimin e lirisë fetare në vend? Mendoni!

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.