Aktivistët dhe ekspertët kanë dënuar ligjin e hyrë në fuqi të dielën  në Austri me të cilin ndalohet velloja e fytyrës, si “kundërproduktiv” dhe si një “sulm ndaj lirisë fetare”.

Ligji, i njohur ndryshe si “ndalimi i burkas”, hyri në fuqi para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme më 15 tetor, nga i cili mund të përfitojë Partia e Lirisë e cila njihet tradicionalisht si ksenofobike.

Prej përafërsisht nëntë milionë austriakëve, midis 100 deri 150 gra muslimane, ose 0.002 për qind vendosin mbulesën e fytyrës. Në vend ka rreth 700,000 muslimanë.

Veshja mbulon tërë trupin dhe fytyrën përveç syve, por shkelësit(et) e ligjit tani mund të përballen me një gjobë deri në 150 euro. Qeveria austriake thotë se ligji mbron vlerat austriake dhe konceptin e një shoqërie të lirë.

Zyrtarët kanë emërtuar me kujdes ligjin, të quajtur “Ndalimi i Mbulimit të Fytyrës”, që të duket fetarisht neutral, duke kufizuar gjithashtu përdorimin e maskave mjekësore, maskave të skitarëve dhe shamive në publik. Por aktivistët dhe ekspertët kanë denoncuar natyrën e ligjit si “kundërproduktive” dhe “islamofobike”.

Carla Amina Baghajati, një aktiviste e të drejtave dhe zëdhënëse e Autoritetit Fetar Islam Austriak, një institucion publik që përfaqëson muslimanët, thotë se ligji kërcënon konceptin e një shoqërie të hapur.

“Ata besojnë se po ‘lirojnë këto gra’ dhe se po ndërmarrin veprime për të siguruar identitetin e Austrisë, por kjo është hipokrite pasi ideja e një shoqërie të hapur është se të gjithë kanë liri të veprojnë dhe të vishen ashtu siç pëlqejnë për aq kohë sa nuk është dëmtuar askush tjetër”, tha Baghajati për Al Jazeera.

“Këto gra janë duke u kriminalizuar. Të gjithë mendojnë se ato janë viktima, por ju nuk mund t’i nënshtroni ato. Ato thonë se nuk duan të çlirohen sepse janë tashmë të lira dhe kanë zgjedhur vetë të mbajnë velon e fytyrës”, tha Baghajati.

Legjislacioni u miratua në maj si pjesë e një pakoje më të gjerë propozimesh që synonin kundërshtimin e rritjes së Partisë së Lirisë, e cila ishte afër fitores në zgjedhjet presidenciale të Austrisë në janar.

Në kuadër të atyre masave, Austria gjithashtu e ndaloi shpërndarjen e Kur’anit dhe kërkoi që të gjithë refugjatët dhe emigrantët të marrin pjesë në një program “integrimi” për të mësuar gjuhën gjermane dhe “etikën austriake”.

Baghajati quajti ndalimin e vellos së fytyrës, si një përpjekje nga politikanët që “të dërgojnë një mesazh për publikun se ata kanë në kontroll” situatën e sigurisë.

Frika për “ekstremizmi” është nxitur nga ardhja e refugjatëve. Por Austria ka marrë një qëndrim të ashpër kundër hyrjes së tyre. Më parë këtë vit, qeveria i tha Bashkimit Evropian se nuk do të pranonte asnjë refugjat, shumica prej të cilëve janë sirianë që kërkojnë strehim nga lufta gjashtëvjeçare që ka shkatërruar vendin e tyre.

Në shkurt, ministri i jashtëm Sebastian Kurz bëri thirrje për ngritjen e kampeve masive në Afrikën e Veriut për refugjatët që ikën në Evropë.

Islamofobia 

Farid Hafez, hulumtues i lartë në Universitetin Georgetown, thotë se nocioni i ndalimit të velos së fytyrës reflekton “imagjinatën islamofobike të asaj që është interpretuar si” problemi musliman” në disa vende anembanë Evropës.

“Islamofobia është një problem në Austri, pasi ai është një problem dhe një sfidë për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe lirinë fetare në shumë vende evropiane sot”, tha Hafez, i cili është gjithashtu profesor në Universitetin e Salzburgut, duke paralajmëruar se ndalimi mund të ketë “pasoja të rënda”.

“Njerëzit e zakonshëm në rrugë do të ndihen të lirë të veprojnë pa respekt ndaj grave muslimane, t’i fyejnë ato haptazi në rrugë”, tha Hafez, duke shtuar se gratë myslimane të reja do të ndihen të “penguara”.

Austria është vendi më i fundit evropian që ka vënë në zbatim një ndalim të tillë. Në vitin 2011, Franca dhe Belgjika implentuan ligje të tilla. Në vitin 2015, Holanda miratoi një ndalim të pjesshëm të vellos, ndërsa Bullgaria zbatoi një ndalim të plotë në vitin 2016.

Ndalimet kanë nxitur një debat rreth multikulturalizmit në të gjithë kontinentin.

Përkrahësit thonë se velloja e fytyrës kërcënon sigurinë dhe pengon ndërveprimin, ndërsa ata që janë kundër, thonë se ky ndalim shkel të drejtat fetare nën sfondin e islamofobisë.

“Për momentin ne jemi shumë të shqetësuar për diskursin politik kundër Islamit, i cili ka hyrë në politikën mainstream”,tha Baghajati i Autoritetit Fetar Islamik të Austrisë, duke shprehur frikën e saj rreth ngritjes së Partisë së Lirisë, e cila, si grupe të ngjashme në të gjithë Evropën, promovojnë anti-emigracionin, linjën anti-islame për përfitime politike.

Javën e kaluar, partia nacionaliste Alternative për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë fitoi ulëse në Bundestagun e Gjermanisë, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke nxitur frikën e valëve të ngjashme në Austri. “Ne jemi të shqetësuar se kjo do të ketë një ndikim edhe në Austri”, tha Baghajati.

“Akuzat kundër myslimanëve, paragjykimet dhe të gjitha llojet e të menduarit negativ tani kanë hyrë në atë që njihet si mainstream”. “Ekziston një ndjenjë sikur është një kërcënim i përgjithshëm ndaj shoqërisë nëse je musliman”. 

Përgatiti: Jeton Zenuni 

LEAVE A REPLY