Mbi Hixhabin …!

0

nga  Jonida Vishkurti (Hoxha)
Referuar statistikave të fundit islami është feja që po përhapet me shpejtësi në shumë vende të botës. Megjithëkëtë hixhabi (mbulesa islame) i femrës muslimane mbetet një problem, shqetësim me të cilin duhen të përballen çdo ditë shumë motra, nëna e gra muslimane në vede të ndryshme të botës. Disa e shohin atë si një simbol fetar që lirisht mund të hiqet dhe mbahet sipas kushteve dhe rrethanave, të tjerë e shohin si një pengesë të integrimit dhe emancipimit të femrës në shoqëri, e cfarë është më e frikshmja femrën muslimane të mbuluar e konsiderojnë si të shtypur dhe viktimë e kontrollit dhe dominimit nga mashkulli. Arsyet fillojnë dhe mbarojnë nga më të palogjikshmet, arsye që janë rezultat vetëm i mendjevengushtëve, njerëzve injorantë dhe me horizont të cekët. Zoti i Lartësuar e ka krijuar dhe nderuar femrën muslimane si vajzë, grua dhe nënë, duke urdhëruar në mbrojtjen dhe respektimin e saj në familje e shoqëri. Ajo është një qenie e çmuar, e dëlirë, diamant i shoqërisë. Si e tillë, Ai e nderoi atë duke e urdhëruar të mbulojë trupin e saj, të veshë hixhabin. Allahu thotë në Kuran:
O pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve, le t’i vënë shamitë e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është Mëshirues.” (El Ahzabë, 59)
Hixhabi (mbulesa islame) nuk është një simbol fetar, porse një obligim për femrën muslimane, akt i bindjes së saj ndaj Zotit të Gjithësisë, adhurim dhe afrim drejt Atij që na krijoi prej hiçit. Qëllimi i hixhabit, ndër të tjera, është të ruajë integritetin e femrës muslimane, dlirësinë, çiltërsinë, modestinë dhe ndershmërinë e saj. Ai është siguri dhe vetëbesim, mbrojtje, moral dhe bindje që pasqyron forcën dhe besimin e muslimanes i cili është i ndërtuar mbi dashurinë për Zotin dhe jo për dashurinë e kësaj dunjaje.
Hixhabi im është një kurorë që e mbaj mbi kokë si pjesë e pandashme e besimit tim dhe ndihem plotësisht e lirë me atë që mbron modestinë time. Hixhabi im nuk më pengon të studioj, të punoj, të integrohem në shoqëri e më gjërë, sikurse nuk më pengon të shpreh idetë dhe bindjet e mia, të hedh hapa të suksesshëm e të sigurtë drejt karrierës.
Hixhabi është përulje dhe nënshtrim ndaj Zotit të Gjithësisë, bindje dhe dëgjueshmëri ndaj Atij që e solli këtë urdhëresë. Një musliman dhe muslimane e mirë duhet ta organizojë jetën e tij/saj të përditshme duhet iu përmbajtur me përpikmëri dispozitave të Allahut, atyre që Ai i ka bërë të lejueshme për njeriun dhe ndalesave padyshim.
Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij të vendosin diçka, të zgjedhin diç tjetër përveç asaj (që ka zgjedhur dhe caktuar Allahu për ta). Ai që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij ka humbur në lajthitje të qartë.” (Ahzab, 36)
Hixhabi i femrës muslimane është prej urdhëresave të Zotit dhe praktikimi i tij dëshmon respekt maksimal ndaj Zotit, nënshtrim dhe bindje ndaj Atij. Ndjen pafundësisht qetësi dhe paqe me vetveten, mbrojtje dhe siguri të vazhdueshme. Në fakt nëse do t’i referohemi historisë do të mund të pohojmë me bindje të plotë se hixhabi I femrës muslimane nuk është risi apo dukuri e re që e ka zanafillën prej Kuranit dhe sunnetit të Profetit Muhamed a.s porse është një parim të cilën e kanë mbështetur edhe qytetërimet që kanë jetuar më herët.

Në Perandorinë Romake gruaja e lirë, e fisme dhe elitare vishej e mbuluar dhe vetëm skllavja nuk mbulohej, sepse në fakt nuk e kishte të mundur të mbulohej. Argumenti i grave të respektuara e të fisme ishte pikërisht mbulimi i kokës, i cili bëhej me ferexhe ose me shami koke. Hixhabi ka qenë traditë e hershme parimore e besimit hebre që nga koha e Ibrahimit a.s dhe vijoi të jetë gjatë gjithë historisë së profetëve të tyre. Kjo mbulesë mbeti një prej bazave dhe obligimeve fetare hebraike edhe pas shfaqjes së Krishterimit. Obligimi i veshjes me hixhab (mbulesë fetare) të gruas së krishterë është një dispozitë kishtare që gëzon konsensusin e etërve dhe shenjtorëve të kishës, gjë të cilën e theksojnë një sërë historianësh të shquar të Krishterizmit.
Edhe pse e vërteta është një argument tej e i pakontestueshëm, femrës muslimane i duhet të përballet sot me shume vështirësi nisur prej bërthamës më të vogël, familjes deri tek një shoqëri e tërë. Megjithëse edhe vetë Kushtetuta i mbron të drejtat e saj themelore përsëri hasin gra e motra të shtypura në shoqëri. Arsyet variojnë nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet. Një copë pëlhurë nuk mund të bëjë femrën të prapambetur mendërisht, të paditur dhe të paintegruar sikurse nuk mund të kufizojë shumë të drejta të saj që vetë i Madhi Zoi ia ka dhuruar. Tek e fundit njeriu gjithmonë mbetet i paragjykuar, i veshur apo i zhveshur. Nëse ju i frikësoheni mbulesës sime, unë i frikësohem mendjeve tuaja të mbuluara e tërësihst aq të mbyllura. Jo rrallë herë në përditshmërinë tonë na ndodh të jemi në kërkim të gjërave e sendeve të mbuluara me idenë dhe bindjen e plotë se ato janë më të mirat dhe të ruajtura më me kujdes. Kur gjendemi përballë një shitësi frutash mundohemi të marrim frutat më të mira fizikisht duke lënë mënjanë ato gjysmë të qëruara, librave shkollorë mundohemi t´i vendosim mbulesë në mënyrë që ti mbrojmë nga dëmtimi gjatë vitit, e papastërtitë. Nëse ndalemi vetëm një moment dhe meditojmë…
Andaj, mendo çfarë vlere të vecante Zoti i ka dhuruar femrës muslimane kur atë e urdhëroi të ruajë bukurinë e saj me shami.
Motër e nderuar! Mbaje kokën lart! Ec me bindje, vendosshmëri dhe siguri pasi Zoti të ka zbukuar me petkun e devotshmërisë, me veshjen më të bukur dhe më të çmuar, me kurorën e bukurisë! Andaj krenohu për veten, për virtytet dhe vlerat më të larta që ti mbart, për kurorën më të bukur që mban mbi kokë, hixhabin tënd!

LEAVE A REPLY