Nëse dikur (vite më parë) sfida më e madhe e një femre ishte të mundej të vendoste mbi kokë urdhërin Hyjnor, sot sfidë akoma më e madhe është ta mbash atë me korrektesë, brenda kornizës së modestisë sic edhe urdhërohet nga Zoti i Madhërishëm. Jemi dëshmitar se kohëve të fundit, tregu i veshjeve perëndimore të frymëzuara nga mbulesa Islame (hijabi) po rritet dita ditës. Modelet që serviren fokusohen kryesisht si të bëjmë Mbulesën Islame(hijabin) më atraktive, cfarë stili, cfarë ngjyre, c’kombinim duhet me qëllim që të përqafohet lehtësisht në shoqërinë tonë moderne e cila deri dje(dhe vazhdon akoma) e konsideronte mbulesën islame të dalë mode, prapambetje dhe për më tëpër shtypje të lirisë femërore. Ky trend i përfshirjes së hijabit në tregun e industrisë së veshjes pikënisjen e ka nga blogje të thjeshta të ideuara nga vetë besimtaret që praktikonin këtë veshje. Dalëngadalë femrat muslimane(nga cdo cep i globit) filluan të krijojnë bisneset e tyre privatë të stilimit të veshjeve islame; stil i cili po përhapet dita ditës dhe nga firma të njohura përëndimore si Dolce Gabana, etj. Dashje padashje të gjithë kemi rënë në grackën e medias së sotme e cila të fton të kesh një pamje perfekte, një mënyrë jetese të përcaktuar nga ata vetë se cila duhet të jetë dhe ne duhet me patjetër ta përshtatim vetveten në atë model të servirur. Në këtë mënyrë,hijabi i paraqitur si një fashion i ri në modë s’bën gjë tjetër vecse zbeh arsyen e vërtëtë dhe hyjnore që fshihet pas asaj veshjeje. Qëllimi i shumë motrave fashionista në vetvete është absolutisht për të promovuar hijabin si dicka normale, një veshje e cila nuk e shëmton femrën, përkundrazi nëse ke pak shije mund të dukesh po aq këndëshëm dhe me stil si një e pambuluar, ose për të ftuar sa më shumë jomusimanë ta pranojnë këtë vendim të femrave, pse jo ti bashkangjiten atyre, ose të dëshmojnë se femra muslimane është kreative dhe mjaft e zonja Pa dyshim, ne duhet të vlerësojmë cdo përpjekje që cdo njëra prej nesh bën cdo ditë. Të gjitha jemi në një udhëtim drejt Zotit dhe gjatë këtij udhëtimi përballemi me sfida dhe luftëra nga më të ndryshmet. Jo rrallë herë ndodh të bëjmë kompromise të cilat s’duhet ti lejojmë, ndaj cdo hap i marrë duhet të shoqërohet me përgjegjësinë se c’impakt do këtë në marrëdhënien tonë me Zotin dhe influencën në shoqëri. A është hijabi thjesht mbulimi i flokëve? Apo është shumë më tepër. Mbulesa më shumë se një pëlhurë është akt bindjeje, dashurie, përgjigjeje ndaj ftesës që Zoti na drejtoi për të mbrojtur vetveten. “O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. All-llahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.”El Ahzab, 59. Allahu xh.sh i Cili na do më shumë se vetë prindërit tanë, nderoi dhe lartësoi figurën tonë në këtë botë me hixhab që të jemi në gjendje të përjetojmë erën e fresket të Xhennetit teksa na pushpurit flokët në botën e përtejme. Ajo që është shumë e qartë është ne nuk e zgjedhim atë veshje për të tërhequr admirimin e njërëzve të tjerë nëpërmjet pamjes sonë, por për të mbuluar disa hire dhe bukuri që Zoti na i dhuroi vetëm ne,për më tëpër për të përmbushur Urdhërin Hyjnor. Ndaj, ndonëse në një kohë ku përfaqësimi përballë një opinioni të gjërë ka më shumë rëndësi se cdo gjë tjetër, ne si besimtarë jemi vigjilent, që këtë përfaqësim ta bëjmë nëpërmjet rolit tonë si intelektuale,si familjare të zellshme, si kontribuese në ndërtimin moral shoqëror. Kjo, për një arsye shumë të thjeshtë; Përfaqësimi visual bazohet mbi realitivizmin, dhe si besimtar misioni ynë nuk është të synojmë të pranohemi atje ku na kërkohet të dalim jashtë vetvetes apo parimeve fetare. Nuk mund të promovosh vlera në një ambjent ku virtyti është veshur me antivlerën(rasti kur një motër pranon të pozojë për një revistë playboy). Si mbartëse të mesazhit Absolut, duhet të përpiqemi të jemi kreativ dhe inovativ për të rivendosur ne piedestal statusin që ne si muslimane përfaqësojmë. Është e domosdoshmë të rishohim vetveten, të kuptojmë rolin që kemi, të analizojmë sjelljen e ndryshimit që ne duam të arrijmë. Le të përdorim në maksimum dhuratën e intelektit që Zoti na dhuroi, për të shprehur vlerat universale që secila besimtare mban në vetvete, duke mos rënë pre e propagandës mediatike, dhe përpjekjeve të pafundta për të na larguar virtytet shpirtërore që feja të cilën e kemi rrënjosur në qënien tonë na kërkon t’i ruajmë me fanatizëm.

Brunilda Basha

Brunilda Basha

Autorja është Arkitekte dhe studion doktoraturë në Stamboll, Turqi. Është e specializuar në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore.
Brunilda Basha

LEAVE A REPLY