Mbulesa e femrës myslimane, si pasqyrim i një identiteti të mohuar

0

Nga Driton Arifi

Të prehura nën strehën dhe hijen e begative hyjnore, dhe të lumtura me puhinë e lehtë e ledhatuese të mirësive të një muaji të madhërishëm për to, femrat myslimane shqiptare, së fundi, dëgjuan një “ftesë serioze” nga protagonisti shqiptar i një emisioni, të cilin në formë krejt ” të padjallëzuar” ka zgjedhur ta emërtojë me emër serbo-sllav “Provokacija”. Ato, ftohen që në fillim të emisionit, pa dorëza fare e krejt troç:” hej gra, hiqeni hixhabin, lërini flokët tuaja t’i ledhatojë era”. Protagonisti i kësaj ftese, ani pse në opinone na del se është agnostik, megjithatë kërkesën për heqje të mbulesës së flokëve e ka bërë ekskluzive vetëm për femrat myslimane, e jo edhe për murgëreshat, që në fakt, as flokët e tyre nuk i ledhaton era. Nuk e di nëse për agnostikët ka ndonjë dallim në mes të asaj apo tjetrës mbulesë?!.
Patriotët dhe sakrifikuesit e vërtetë për lirinë në Kosovë, ndoshta mund të na shohin për të madhe veç pse ne kemi ndarë kohë e ia kemi lëshuar sytë një emisioni me këtë emër, meqë ai, pashmangshëm lëndon ndjenjat tona. Ai dhe na rikthen në memorien tonë, të kaluarën e hidhur që e kishim me ata që e kanë në fjalorin e tyre “provokacija-n”. Të paaftë për t’u arsyetuar më bukur për kohën e ndarë, u themi që e kemi shikuar atë, edhe ne këtu, ngaqë protagonisti i saj, megjithatë është shqiptar, dhe se ai ka zgjedhur që të na japë leksione për një çështje fetare islame-mbulesën, e që dorën n’zemër ndihemi mirë që ajo po rihapet sërish për diskutim.
Ai, pos që jep leksione për femrën e mbuluar myslimane, mëton t’i japë kritikë edhe gazetarës ultraliberale, që ai e merr si idol të tij, e cila është me origjinë iraniane, Masih Alinejad. Ajo tashmë jeton jashtë vendit të saj, dhe pasi që ka heqë dorë nga hixhabi i saj, ka shkruar edhe një libër me titull “The Wind in My Hair”, që në shqip i bie “Flokët m’i merr era”. M. Nano, nga tryeza e “Provokacija-s”, në rolin e dishepullit të feminizmit, dhe si një ultraliberal në ideologji, por i ngjizur me tharmin e averzionit ndaj Islamit dhe shamisë më konkretisht, e shehë të prapembetur edhe M. Alinejad kur thotë:” Sipas saj, gratë që duan ta mbajnë, le ta mbajnë. Sepse kështu janë ato vetë që zgjedhin ta mbajnë. Mirëpo, sipas meje në këtë pikë e ka gabim…ngase, nuk ka gra që vendosin me kokë të tyre të mbulohen. Nuk janë gratë pra që vendosin. Është një kulturë e tërë patriarkale që iu imponohet, e që nuk u lë zgjedhje tjetër, veçse të veshin hijabin. Në këtë kuptim, hijabin nuk e zgjedhin gratë, por burrat e tyre….”
I ekzaltuar nga një iniciativë e tillë , dhe të njejtën kohë i pikëlluar pse në Shqipëri s’ka femra aq të “guximshme” që do ta heqin hixhabin e tyre, dhe që marrin iniciativa e i ftojnë edhe të tjerat për një gjest të tillë, ai shpërthen në këso paragjykimesh për gjithë ato miliona femra që së paku, do të duhej të pajtohej që gjërat i mendojnë dhe i shohin pak më ndryshe nga ai.
M. Nano! Me këto fjalë të tilla, sigurisht se do të ndiheshin të fyera të gjitha ato gra myslimane, aktiviste të të drejtave të njeriut, e të cilat, pa ua kujtuar ti fare, dhe para së gjithash, do të ankoheshin për vetveten e tyre që të fitonin një herë e përgjithmonë të drejtën që të vendosnin për veshjen e tyre, dhe të cilat mezi pritkan që të çlirohehen një herë e mirë nga ky “diktat maskilist” siç dëshiron ti ta quash vendimin për shaminë. Këtë hap të “guximshëm”, pa pritur ftesën tënde të “sinqertë” për to, do ta bënin edhe të gjitha ato femra myslimane me hixhab, që i gjejmë se janë ligjëruese gjithandej nepër univesitetet më prestigjioze në Evropë e Amerikë. Këtë do ta bënte edhe ish këshilltarja e ish presidentit Obama, Daliya Mugahed, që me mbulesën e saj veproi në Shtëpinë e Bardhë, ku diktatin mashkullor, apo të rrethit të saj shoqëror nuk do të mund ta shihte as në ëndërr. Ajo, dhe të tjerat si ajo, as nuk e hoqën hixhabin, e as nuk u lumturuan që “flokët e tyre t’ua ledhatojë era”!!. Ato u lumturuan pse shaminë e tyre ua ledhatonte era!
Dilemat se vendimi për vënie të shamisë është simbol i shtypjes së femrës dhe i cungimit të lirisë së saj, do t’i flakë edhe Dr. Katherine Bullock. Si një australiane në origjinë, e cila në vitin 1999 doktoroi në shkenca politike, në Universitetin e Torontos, dhe vazhdoi për disa vite si ligjëruese aty, kur flet për këtë çështje deklaron:” Vërtetë cili do diskutim që e shtron idenë se mbulesa është simbol i shtypjes ndaj femrës, mbështetet në formë të kulluar ose edhe fshehurazi në pikëpamjet orientaliste e kolonialiste rreth mbulesës… dhe se shumica e atyre femrave që unë kam intervistuar për arsyen e vënies së hixhabit, kam parë se ato e mendojnë atë si mjet për të ruajtur moralin dhe etikën e shoqërisë, si dhe e mendojnë që është një mjet që ato të trajtohen nga gjinia tjetër si “njeri”, e jo thjesht si “lodër epshi e relaksi”.
Alma Lĕvy, një myslimane franceze e shehë se ” heqja e shamisë e zbulimi i flokëve i shkakton një ndjenjë parehatie të brendshme, dhe e mendon se mbulesa tashmë është pjesë e vetës së saj”.
Pra një femër e mbuluar e përcepton vënien e shamisë si një mënyrë për të konkretizuar besimin e saj, dhe përtej kësaj e sheh atë si gadishmëri për të shfaqur identitetin e saj të mohuar mu nga ata që kanë gojën plotë me sllogane tolerance e mirëkuptimi. Ajo me këtë vendim para së gjithash do të duhej të çmohej për guximin e saj për të marrë një hap të tillë, duke e vënë vetën në thumb të një shoqërie që është aq shumë e ngarkuar nga stereotipet dhe paragjykimet karshi bindjeve dhe përfytyrimeve të saj.
Një aktiviste tjetër franceze, Saida Kada thotë:” Nuk mund ta kuptoshë shaminë, pa marrë në konsideratë të gjithë progresin shpirtëror që shoqërohet me të”.
Për më tepër, nobelistja për paqe, Tawakkol Karman, të cilën revista prestigjioze amerikane “Time”, e kishte përzgjedhur si një ndër gratë më revolucionare në histori, kur i është thënë pas një ligjerate të saj të mbajtur në një universitet perëndimor, se dituria, kultura dhe emancipimi i saj nuk përkon me shaminë që mbanë mbi kokë, ajo është përgjigjur:” Njeriu në epokën e primitivizmit jetonte dhe ecte gjysmëzhveshur, por me kalimin e kohërave ai filloi të civilizohet e të emancipohet, dhe kështu fillojë që të veshë rroba, andaj unë sot përderisa mbajë këtë mbulesë e llogarisë vetën që kam arritur kulmin e ngritjes, civilizimit e të emancipimit”.
I nderuar Nano! Studiuesit objektivë dhe përcjellësit e emisioneve tuaja, do të dëshironin që konstatimet tuaja lidhur me motivet e vënies së mbulesës mbi kokë të një femre myslimane të vinin vetëm si rrezultat i ndonjë ankete, apo një sërë intervistimesh me ato femra të mbuluara që po duket se ke aq shumë “dhembshuri” për to. Keni mundësi dhe merrni oponionin e tyre. Ato i keni afër në univeristet, në organizata, në shkollë e kudo. Femrat që kë folur në emër të bindjeve të tyre, do ta mirëpresin anketimin e tyre, dhe pastaj duhet ta keshë guximin që të na tregosh nëse kishe të drejtë kur paragjykove.
Të presim me padurim!

LEAVE A REPLY