Nga “Bisedimet e Këshillit Kombëtar” të vitit 1923, ku më konkretisht është kërkuar nga deputeti Ali Këlcyra heqja e Mbulesës Muslimane për gratë. Në një seancë të posaçme është diskutuar gjerë e gjatë mbi këtë propozim të deputetit Këlcyra dhe në fund nuk është miratuar ky propozim për ligj apo rekomandim për Qeverinë e asaj kohe. Deputetët kanë shfaqur kundërshtimet e tyre ndaj këtij propozimi, i cili edhe sot tingëllon i habitshëm e jo më për kohën kur u paraqit. Në vijim do të gjeni pjesë nga fjalimet e mbajtura nga deputetët të kësaj legjislature, Mehdi Frashëri, Visarion Xhuvani Peshkop Ortodoks, Shefqet Dajiu, Fan Noli, Haxhi Jusuf Banka, Bedri Pejani etj.
Dr. Syrja Pojani thotë se Këlcyra dëshiron të fluturojë me aeroplan e të bëhen gjërat menjëherë, e propozon që ai ta sjellë vetë zonjën e tij në parlament i pari. (Fq. 49)

H. J. Banka thotë, se Këlcyra është mësuar me liri të plota në Evropë, por se populli është pa bukë e rrugë. Nëse nuk merremi me gjëra që do t’ia rregullojnë jetën atij, por merremi me të tilla, ai do të çuditet prej nesh. Turqia është shtet tash prej 600 vjet e mezi arriti ta bëjë këtë hap e jo më ne, që si shtet i ri nuk mund të merremi me kësi sendesh të kota, po me nevojat kryesore që i përkasin atij. Osman Haxhiu, thotë se Këlcyra ka deklaruar se është armiku më i madh i Turqisë e se populli shqiptar s’ka asnjë lidhje me të kurse sot na bjen shembull Mustafa Qemalin. Ajo që ai bëri në Turqi nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë, kjo është gjë personale e tij, lirija e kujtdo në Shqipëri është e garantume me Statutin e Shtetit. Koço Tasi thotë, se nuk është puna e parlamentit të merret me rekomandime, e se kur propozimet nuk kanë lidhje me sanksione juridike parlamenti nuk ka punë me to. Detyra e parlamentit është të forcojë ligjet për shtetin dhe ekonominë e kur ky rregullim të bëhet “do të futen ato zakone dhe do të transformohen zakonet e liga në të mira shumë më shpejt se sa nga fjalët akademike. (Fq 47.)

Visarion Xhuvani thotë se që parlamenti t’i rekomandojë sende gjyqit të lartë të sheriatit dhe kongresit fetar, kjo i duket si përrallë plakash. Parlamenti nuk është vend ku mbahen fjalime të tilla. Të ndjekësh shembullin e M. Qemalit do të thotë të majmunizosh Turqinë e kjo është politikë e dëmshme për Shqipëri. Nëse kemi mbetë mbrapa e duhet me marrë shembuj kjo nuk duhet bërë me anë të Turqisë, se populli shqiptar ka historinë e vet dhe zakonet më të vjetra (ku mund të gjejë edhe modelet që i duhen) e nuk ka nevojë me majmunizu turqit me asgjë. Shefqet Dajiu thotë, se mbulesa nuk është vetëm e muslimanëve por edhe e kristjanëve, e se ka fshatra muslimane ku gratë dalin të pambulume e anasjelltas. Ky zakon nuk hiqet me proponime e propaganda, por me kohë, e këto zakone nuk i ka feja. Ali Këlcyra thotë se e habit indiferenca e parlamentit për një çështje kaq vitale. Bankën dhe Haxhiun i quan se e kanë mentalitet këtë, por jo Tasi, që njihet për liberal. Tasin e quan tepër formalist. (Fq 51.)
Ai nuk kërkon që parlamenti t’i imponojë popullit të nxjerrin gratë në shesh, por t’i bëjë rekomandim qeverisë që të studiojë sesi të përmirësojë gjendjen e gruas muhamedane e si mund të largohen nga zakonet e liga që nuk kanë të bëjnë aspak me fe, pasi feja muhamedane është një fe e lirë. Kjo është edhe një masë higjenike, pasi në Gjirokastër 50% e grave janë me tuberkuloz për shkak se janë të mbulume e bëjnë një jetë të vështirë. (Fq. 52)

Një shembull i mirë edhe kur vjen nga armiku më i madh mbetet gjithnjë i mirë e nuk është majmunizim. “Prandaj i rekomandoj qeveris të marrë masat e duhura tue këshillue fetarët, ta çveshin nga marrësit fen muhamedane e ta binë në shkallë të lumtërisë e ta bëjn të lirë ashtu sikurse ësht në të vërtet… jashtë… nga të metat më të mëdha që i njohin fes muhamedane, janë pse i kundërshtojn evolucionit e liris së grave. Bedri Pejani. Parlamenti duhet të marrë parasysh edhe çështje që i përkasin zhvillimit të këtij populli, e nuk mund të disinteresohet për zhvillimin e çështjeve shoqërore. «Sikur e dini, popujt qi nuk janë në nji shkallë kulturale, duhet me anë të institucioneve të ngrehuna prej Qeveris ashtu edhe prej parlamentit, të drejtohen në rrugën qi duhet ndjekun. Nuk ka zhvillim pa zhvillim shoqëror. Pra nëse duam që në të ardhmen populli shqiptar të mbahet si komb i qytetëruar e i zoti t’i dalë zot të drejtave e lirisë së vet, duhet që të kujdesemi që ai të zgjohet e dlirësohet prej të metave që i kanë mbet prej kohëve. Kërkund nuk është parë që zhvillimi shoqëror të jetë bërë me ligj, e kjo nuk mund t’i imponohet popullit si ligj, por qeveria e parlamenti kanë mjete e mund të përpiqen për zgjimin e kombit, duke krijuar apo shtuar disa institucione, për t’i dhënë zhvillimin e nevojshëm disa çështjeve me rëndësi si është ajo e liris së gruas. (Fq. 53)

Deputeti Fan Noli: Nuk është parë kërkund që një gjë e tillë të jetë shkaktuar nga qeveria, parlamenti apo kongresi. Mbulesën e kanë pas edhe popujt e krishterë e kjo thuhet edhe në Bibël, se është mëkat i madh mos me u mbulu. Atë e ka pas e gjithë Evropa. Por zbulimi nuk ka ardh me asnjë urdhër e asnjë sinodë, por vetvetiu, e evolucioni social ka sjell ndërrimin gradual të zakoneve të shoqënis, e ato shndërrime që kanë ndodh gjetkë do të ndodhin edhe këtu. Çështja e higjienës është shumë e rëndësishme. Problemi nuk duhet shtruar se a duhet zbuluar gruaja apo jo, por që të përmirësohet gjendja e mjeruar e gruas shqiptare, e në gjendje të mjeruar janë edhe gratë e zbuluara. Nga Vlora në Tiranë kam parë gra të zbuluara që punojshin si shtazë që të vjen për të qarë, ndërsa burrat e tyne rrinin pa punë e për çdo gjë prisnin të ngriheshin ato të mjera,- vazhdon në fletore. (Fq. 54)
Haxhi Jusuf Banka: “Nuk jam fanatik. Ky zakon që e kan pas edhe kombet e tjera do të zhduket sikurse ka ndodhur nëpër ta kur populli të mbërrij në shkallën e duhun të qytetënimit.” Osman Haxhiu: “Lirija e grave që të dalin açik nuk është e ndalume nga feja muhamedane, por këto zakone kanë ardh nga mosdija. Le të propozojë zotënija që populli të ketë arsim, se kur populli të arrijë një shkallë qytetënimi të mjaftueshme, kjo dëshirë do të përmbushet.” Fazlli Frashëri: “Pro Këlcyrës, dhe jo vetëm por propozon që parlamenti të bëjë një ligjë për martesën më një grua që ta tregojë veten shumë më nalt e shumë modern.” (Fq. 55)

Mehdi Frashëri: “Nga ana juridike zotërinjtë kanë të drejtë, se propaganda s’i përket as qeverisë e as parlamentit. Por nga ana tjetër ne mund të ndryshojmë ligjin e Turqisë që gruaja nuk është barazim me burrin në gjyq, që meshkujt marrin një hise kurse femrat gjysëm, një burrë mund ta ndajë gruan por jo gruaja burrin. Këto e përmirësojnë praktikisht shumë gjendjen sociale të grues.” Shefqet Dajiu: “Xhemijeti Islamije do të nxjerrë nji të përkohshme ku do të përcaktojë se cilat zakone që janë adaptu prej popullit shqiptar janë fetare e kush jo, ndaj ky propozim duket i kotë.” Xh. Bushati: “Edhe sikur të pranohet propozimi, ç‘mund të bëjë qeveria, pasi me statut asaj nuk i lejohet të përzihet në punë feje.” Propozimi u hodh poshtë. (Fq. 56.)

Këto pra ishin pak a shumë ato që u diskutuan në këtë seancë plenare, ku një pjesë e madhe e vërejtjeve të bëra qëndronin, porse zgjidhja më parë duhet të jetë sociale e nëpërmjet institucioneve shoqërore, e jo thjesht ligjore, e cila ka vështirësitë e veta gjatë aplikimit. Zgjidhje që vijnë me kalimin e kohës dhe pa dëmtuar njeri, në një kohë që problemi i femrës myslimane paraqitet kompleks jo vetëm në ato vite, por edhe në vijim e deri më sot. Këto diskutime janë nxjerrë nga një botim i posaçëm i Parlamentit të asaj kohe “Bisedimet e Këshillit Kombëtar-1923”, dhe me të vërtetë që paraqesin interes të madh, për vetë faktin se periudha 1920-1939 është një nga periudhat e përpjekjeve më të mëdha të elitës politike e intelektuale shqiptare në dobi të reformave të ndryshme në administratë e në jetën shoqërore.

Mblodhi dhe përgatiti: Roald A. HYSA

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.