Mos e gjyko vetveten në bazë të pozicionimit që ke ndaj njerëzve dhe pozitës tënde tek ata. Nëse e ndjen se nuk të vlerësojnë, e të stërmundojnë me gojët e tyre apo me veprat e tyre, ço salavate mbi Profetin (paqja qoftë mbi të)! Përse? Sepse dashuria që do të dërgosh tek Profeti (paqja qoftë mbi të) do të kujtojë mundimet dhe stërmundimet e njerëzve për 10 vite pa ndalur ndaj tij (paqja qoftë mbi të).

Para shpalljes së profecisë, ishte një nga njerëzit më të nderuar të të gjithë arabëve, vinte nga ajka e familjes më të fisme të gadishullit arabik, nga paria e vendit më të shenjtë të të gjithë globit. Ishte i martuar me një grua gjithashtu të fisme dhe shumë të pasur dhe emri i tij nderohej me nofken El Emin (Besniku!). Figura e tij e mrekullueshme shkelqente nga morali i larte dhe edukata e paster, por, kur  i erdhi Revelata Hynore, preku interesin fetar, ekonomik e politik te njerezve qe e rrethonin, duke i kthyer ato ne armiq per vdekje te tij. Torturat fizike, psikologjike dhe publike vazhduan per 10 vite me rradhë duke e kthyer njeriun më të nderuar të gadishullit arabik në njeriun më të urryer, më të përfolur e më të përndjekur të asaj kohe.

E quanin armik sepse thërriste në një Zot të Vetëm ata që adhuronin shumë zota e kishin perfitime ekonomike prej kësaj, e quanin të çmendur, të marrosur, të humbur nga mendtë, të prishur, magjistar e sharlatan përse thërriste në moral dhe vetë ishte shembull i mrekullueshëm i moralit  më të lartë human gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Ishte mbrojtës i të drejtave të fëmijeve të vrarë që në bark (abortit) dhe i të drejtave të grave që në vegjëli (kur dikush lajmërohej se do të bëhej me vajzë vendoste ta mbyste), i jetimëve të dhunuar i prindërve të keqtrajtuar, i të varfërve të poshtëruar.

Jetimi i rritur me edukate dhe moral nga Zoti i Shtatë Qiejve dhe çka ka midis tyre, shahej e ofendohej. Më i miri i të gjithë njerëzimit, i dashuri i Allahut duronte. Duronte sepse vizioni i tij (paqja qoftë mbi të) ishte i tejbotshëm. Besimi dhe bindja e tij ishte në nivelet me të larta të kapaciteti njerezor, shikimi i tij e kalonte kohën e tashme në të cilën ndodhej, nuk kthejej kurrë në përjetimin e dhimbjeve të pësuara deh plagëve të së shkuarës por shihte me largëpamësi përtej botës një botë tjetër, duke zvogëluar dynjanë në mendjen e zemrën e tij dhe të gjithe ummetit për të zmadhuar ahiretin në zemrën e tij dhe të gjithë ummetit. Projektimi i tij në të ardhmen ishte përtej perceptimit normal në kohën në të cilën ndodhej, ndaj dhe keqkuptohej e përndiqej.

Vizioni i tij ishte tepër madhështor dhe larg nivelit të tyre, çka e bënte që mundimet kalimtare të atyre që nuk e kuptonin dhe nuk i bashkangjiteshin projektimit të tij, të ishin të pa vlera dhe të pa pesha në mendjen e tij pa kurrfarë mendjemadhësie por i mbushur përplot mëshirë dhe dashuri. U torturua fizikisht dhe shpirtërisht në Tajf, derdhi lotët e tij të shtrenjta e prap, vizioni i tij i jashtëzakonshëm për të ardhmen e zemra e tij e mbushur plot me dashuri e meshirë bëri ta luste Allahun që t’i falte ata njerëz.

Kuptimi i misionit të tij si Profet, si përçues të mesazhit më të rëndësishëm dërguar njerëzimit që nga krijimi i tij, e bënte ta asgjësonte egon dhe perkujdesin për veten duke ja lënë në dorë Allahut, duke ju dorëzuar Atij totalisht. E ç’rëndësi kanë mundimet e njerëzve, projektimet e tyre negative ndaj teje kur ti ke në dorë dhe në zemër Islamin e përsosur nga Allahu dhe të mishëruar nga Profeti (paqja qoftë mbi të)? Ti ke në dorë të ndjekësh shembullin e Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të) i cili shihte me largpamësi, shihte tek Ahireti, tek Dita e Gjykimit, tek Ura e Siratit e tek shikimi i Fytyrës së Ndritur të Allahut, e çka janë mundimet e njerëzve e hallet e dynjasë përpara këtyre ngjarjeve kaq madhështore?

Ngrije veten tënde në lartesitë që pretendohen prej teje si besimtar, ngrije veten përmbi mundimet e njerëzve duke u mbeshtetur në udhëzimin me Nurin e Allahut. Ec përpara në rrugën e drejtë të mësuar nga Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) e mos iu dorëzo dynjasë, sepse kështu ke për të fituar Xhennetin e dynjaja do të të ndjeki pas.

©Muslimania.al
Vajada Keçi Manjani

Vajada Keçi Manjani

Autorja prej vitesh jeton në Itali. Është diplomuar në Universitetin e Brescias për Ekonomi dhe Biznes dhe ka një master në "International Commerce" pranë Universitetit të Padovas.
Vajada Keçi Manjani

LEAVE A REPLY