Nga RAFIA ZAKARIAOCT

Me 100 dollarë mund të fuqizosh një femër në Indi. Sipas një organizate të njohur indiane kjo lloj shume do të hynte në punë për të siguruar një makinë qepëse për një grua, që do t’i siguronte kështu një hap drejt fuqizimit.

Ose mund të blesh disa pula që sipas Melinda Gates mund të krijohet një fermë e vogël e cila u mundëson femrave të fuqizohen edhe në një vend të zhvilluar.

Dhe nëse pulat nuk janë preferenca juaj, Heifer International me një shumë prej 390 dollarësh shpërndan për gratë në Afrikë “pakon e sipërmarrjes” ku përfshihet disa lepuj, një peshk i vogël dhe krimba mëndafshi.  

Ajo çka fshihet pas gjithë këtyre donacioneve apo pakove është ideja se fuqizimi i grave bazohet tek çështja ekonomike. Dhe pason me faktin se nëpërmet donacioneve nga ndërkombëtarët përmes një makine qepjeje apo një kokë bagëtie të dhuruar këtyre femrave në Indi, Afrikë apo vende të pazhvilluara, do të arrihet pavarsia ekonomike dhe si rrjedhojë do të fuqizohen.

Fuqizimi nuk fillon gjithmonë me sipërmarrje. Fjala fuqizim (empowerment) është futur në përdorim në mes të viteve ‘80 nga feministe të Jugut Global. Këta gra e kanë kuptuar “fuqizimin”  si detyrë e “transformimit të nënshtrimit gjinor” dhe shkatërrimit të “strukturave të tjera shtypëse” dhe “mobilizimit politik” kolektiv.

Që prej asaj kohe, fjala “fuqizim” është shndërruar në një sllogan për profesionistët e zhvillimit Perëndimor, por pjesa kryesore e “mobilizimit politik” është lënë në harresë. Në radhë të parë, kjo shprehje nënkupton një shteg drejt kërkimit të programeve apo strategjive teknike për të përmisuar sistemin edukues dhe shëndetësor. Zakonisht mund të vëresh në konferenca ku flitet për barazinë gjinore, fuqizimin e femrave etj, se matësit kryesor të suksesit të këtyre perëndimorëve janë “shpërndarjet” dhe sasia e tyre duke i shitur ato si histori suksesi.

Në këtë mënyrë femrave jo perëndimore u është mbyllur goja dhe nuk u lejohet të shprehen se për çka vërtetë mund të kenë nevojë. Ato janë shndërruar kështu në një qenie pasive, e gatshme dhe nevojtare për t’u shpëtuar.

Po të marrim si shembull fermat e pulave për të cilat Bill Gates ngul këmbë se, meqenëse janë të vogla dhe mund të mbahen edhe në shtëpi, janë të përshtatshme për fuqizimin e femrave, studime të ndryshme tregojnë se nuk ka ndonjë lidhje mes rritjes së pulave dhe rritjes ekonomike apo fitimi të qendrueshëm (pra rriten, shiten, fiton lekët dhe kaq, që do të thotë se nuk janë investim). Aq më pak të ndonjë lidhje me rritjen e pulave dhe emancipimin e gruas.

Për të ruajtur një fond të vazhdueshëm, Industria e Zhvillimit ka mësuar të krijojë metrika që sugjerojnë përmirësime dhe sukses. Përshembull USAID-i në Afganistan fokusohet më së shumti tek numri i vajzave të regjistruara nëpër shkolla dhe sa prej tyre vërtetë e frekuentojnë shkollën dhe sa  diplomohen në fund.

Ideja e makinës qepëse dhe fermave të pulave është një zgjidhje afat-shkurtër që mund të sjellë disa të ardhura të përkohshme në shtëpi, dhe jo ndryshime afatgjata në mendësinë kulturore. Kështu, mund të themi se pa ndryshime të ideve diskriminuese që një shoqëri ushtron ndaj grave, çfarëdo lloj përpjekje individuale për t’u rritur ekonomikisht apo për të fituar pavarësi ekonomike do të jetë e paqëndrueshme. Është koha për të fuqizuar dialogun dhe bashkëpunimin për të krijuar një “vëllazëri” e cila do të shërbejë që çdo gruaje t’i dëgjohet zëri dhe të jetë aktive dhe mundësitë e tyre mos të limitohen tek makinat qepëse dhe pula fshati.

 

LEAVE A REPLY