Mbaj mend që në fillimet e mia në Islam, teksa shfletoja literaturë që fliste për femrën muslimane, sidomos ato që kishin të bënin me mbulesën, ishte pothuajse e pashmangshme të mos hasja pjesë që përmbanin metafora e krahasime nga më të çuditshmet për femrën e mbuluar dhe veçantinë e saj. Një nga metaforat që e hasja më rëndom ishte krahasimi me perlën në fund të oqeanit; e mbuluar në guackën e saj, e fshehur, në pritje për t’u zbuluar. Që atëherë nuk më tingëllonte në rregull si krahasim, por mendoja se ndoshta arsyeja ime ishte të qënit pa mbulesë në fillimet e mija. E mbase e shihja si diçka që më cënonte. Kam hasur edhe raste ku dallimi ndërmjet grave të mbuluara dhe atyre ta pambuluara krahasohej me dy lëpirëse; njëra e ambalazhuar dhe e paprekur, ndërsa tjetra e pa ambalazhuar. Mendoja me vete, kjo nuk mund të jetë në rregull, pasi krahasime të tilla burojnë nga vlerësime sipërfaqësore të individëve, të cilët i shohin femrat si objekte që duhen vlerësuar mbi të gjitha për aspektin e tyre të jashtëm. Jo vetëm kaq, por krahasime të tilla besoj se duhet ta bëjnë çdo mashkull që të ndihet i ofenduar, pasi i paraqesin ata si të paaftë për të bërë vlerësime që shkojnë përtej asaj që duket, dhe më keq akoma: analogjia me insektet (nënkupto: qënie të neveritshme të prirur vetëm ndaj epsheve dhe instikteve të tyre shtazarake).

Në fakt, po të analizojmë shkaqet dhe rrethanat që çojnë në ngacmimet seksuale të femrave, do të shohim se pjesa më e madhe kanë të bëjnë me gjendjen e rënduar psikologjike, emocionet dhe frustrimet e brendshme të dhunuesit, se sa me sjelljen apo paraqitjen e jashtme të femrave.

Islami i nxit njerëzit të ulin shikimin, të mos i afrohen imoralitetit, të mos mendojnë keq etj. Pra të marrin përsipër të gjitha format parandaluese për një vepër të shëmtuar. Atëherë përse nuk fokusohemi të krijojmë metafora me në qendër të tilla aspekte dhe që nxisin vlera?

Ashtu sikurse përqendrohemi tek përçimi i mesazheve mbi vlerat e hixhabit duhet të përqendrohemi dhe tek përçimi i mesazhit mbi respektimin e gruas, “e mbështjellur” apo “jo e mbështjellur”.

Pra duhet të jemi sa më të kujdesshëm në përdorimin e këtyre analogjive. Krahasime të tilla i përkufizojnë femrat vetëm nga aspekti i tyre i jashtëm, por njëkohësisht, neglizhojnë rolin e meshkujve për të praktikuar modestinë dhe për t’u vetëkontrolluar.

Njerëzimi dhe historia ka gjetur me mijëra mënyra për t’i kategorizuar dhe stereotipizuar femrat, mos t’ia shtojmë dhe ne si muslimanë hixhabin kësaj liste. Aq më tepër kur metafora të ndryshme, sidomos ajo me lëpirëse, i stereotipizon të dyja gjinitë: femrat si objekte kënaqësie dhe meshkujt si grabitqarë, me tru mize, që mezi presin të shfrytëzojnë rastin si dhe qenie të papërgjegjshme për veprimet e tyre.

E nëse do të ndaleshim në aspektin shpirtëror dhe ta çonim këtë lloj metafore në një nivel më të përgjithshëm do të kishim përsëri një tjetër lloj kategorizimi brenda për brenda komunitetit tonë që nga ana tjetër do të sillte dhe një lloj hierarkie të tipit: muslimanet me shami janë më superiore dhe më të devotshme (madje dhe më të moralshme) ndërsa ato pa shami janë (as)pak të devetoshme dhe të pamoralshme. Dhe ky lloj kategorizimi është i gabuar nëse marrim si të mirëqenë se cilado femër që ka pranuar të gjitha shtyllat dhe kushtet e fesë islame dhe të gjithat përgjegjësitë që sjellë, kjo nënkupton bindjen e saj ndaj të gjitha rregullave që islami parashtron. Kështu nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të pajtohemi me faktin se vendimi për vendosje ose mos vendosje të hixhabit ka të bëjë me shumë kushte të brendshme apo të jashtme, me karakterin dhe personalitetin si dhe me luftrat me veten me të cilën përballemi të gjithë, kush më shumë e kush më pak, kush në disa aspekte e kush në të tjera.

Për t’ju rikthyer dhe një herë metaforave të mësipërme vërejmë se elementët që i karakterizojnë ato është në përgjithësi guri i çmura, xhevahiret apo kurora që gjithsesi përbëhet prej tyre. Të treja në fakt janë objekte, objekte të pa ekspozuar, të vështira për t’u arrirë, të vlefshme, por gjithsesi mbeten objekte. Objekte në pritje që të zbulohen. Që më pas të ruhen si trofe (kurora) dhe me të cilat mund të mburresh. Pra në tërësi kjo lloj simbolike e zhvesh femrën nga karakteri dhe personaliteti dhe e përkufizon me një objekt prone. Akuza të cilat shpeshherë na i drejtojnë ne si komunitet.

Në fakt, po ta mendosh mirë, asnjë lloj analogjie apo metafore nuk do të ishte e përshtatshme për femrat dhe meshkujt. Cilado metaforë do të çonte në objektifikim dhe përkufizimin e femrës si një qenie e brishtë, që ka nevojë të mbrohet, që duhet të heshtë dhe të mos ekspozohet.

Dhe në fund të fundit cilido krahasim apo përkufizim do ishte i padrejtë dhe në kundërshtim me vetë parimet e fesë.

  • Ky shkrim eshte publikuar per here te pare ne Revisten Familja, Shkurt 2019

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.