Nga Arijana Ibrahimi

Të flasësh për muajin e bekuar, për mbretin e 12 muajve nuk të duhet shumë njohuri dhe dije, mjafton që këtë ‘’mirësi”, këtë “ndjesi” ta përjetosh në veten tënde me gjithë qënjen tënde dhe shumë qartë mundesh të përshkruash se çfarë është agjerimi apo çfarë është Ramazani!

Të agjeruarit është një ndjenjë, një përjetim kur çdo gjë duket ndryshe nga se si duken apo se si i shohim po të njejtat gjëra në muajt e tjerë. Sepse, në Ramazan nuk ka mërzitje, nuk ka brengosje nuk ka hidhërim; në fakt, këto vazhdojnë të ndodhin, janë pjesë e jetës sonë të përditshme por, në Ramazan nuk kanë atë peshën si do e kishin në muajt e tjerë, këto përjetime sikur nuk na ligështojnë, nuk na dobësojnë ndoshta për faktin që Ramazani është një muaj që vjen një herë në vit dhe si një mysafir i çmuar nuk meriton që të pritet dhe kalohet duke i kushtuar vëmendje gjërave që do të ndikonin negativisht në qënjen tonë.

Mbi të gjitha Ramazani vjen si një mysafir që nuk jemi të sigurtë nëse do na jepet rasti që dhe vitin e ardhshëm ta përjetojmë dhe jetojmë, ngase jetës nuk i dihet. Poashtu ndoshta në Ramazanin tjetër s’do të jemi në këto vende, pozita dhe situata të njejta. Ndaj të shijojmë çdo moment, çdo sekondë të këtij muaji të begatë sikur të ishtë i fundit.

Gjithmonë duhet t’i zgjedhim fjalët kur flisim me njerëzit e dashur, sepse asnjëherë nuk i dihet se cila mund të jetë biseda e fundit me to. Meqë as frymarrjen që japim nuk e dimë në do e marrim prap! Sidomos në këtë muaj, sepse Ramazani është muaji i fjalëve të bukura dhe përshëndetjeve të përzemërta!

Gjithmonë duhet të kujdesemi që ta përmirësojmë unin tonë, por këtë shumë më mirë e bëjmë në Ramazan, sepse ky është mbi të gjitha Muaji i Devotshmërisë.

Gjithmonë duhet të ndihmojmë ata që janë në nevojë dhe që kanë nevojë, por këtë shumë më mirë mund ta bëjmë në Ramazan, sepse pikërisht në këtë muaj tek ne ngjallet shpirti human dhe solidar sepse në këtë muaj përgjatë abstenimit nga ushqimi dhe pija, ne e jetojmë atë që skamnorët e jetojnë gati çdo ditë pra, mungesën e mundësive themelore.

Ne gjithmonë duhet të kujdesemi për shëndetin, sipas këshillave profetike:

‘’…shfrytëzo shëndetin përpara sëmundjes”.

Por sikur në këtë muaj e shijojmë më shumë shëndetin tonë për faktin që i njohim dobitë, të mirat dhe përparësitë që sjell agjerimi në prizmin shëndetësorë, mbi shëndetin, psikologjinë dhe organizmin tonë.

Ne gjithmonë duhet të jemi shkak për mirësi, por sikur në këtë muaj më tepër motivohemi që të veprojmë vepra të mira, sepse urtësia e këtij muaji qendron në atë se shpërblimi i veprave të mira shumëfishohet.

Sa e sa përfitime të tjera dalin si mesazh, porosi dhe sa e sa fshehtësi dhe urtësi fshihen pas agjerimit të muajit te Ramazanit, por ato mund t’i përjetoj vetëm ai që e ndjenë në vete agjerimin.

Zot, të falenderojmë që na mundëson dhe këtë Ramazan ta agjerojmë, ta ndjejmë dhe përjetojmë. Faleminderit që na mundëson që t’i bashkohemi gjithë myslimanëve nga i gjithë rruzulli, në një qëllim të vetëm, t’i bashkohemi ritualit të agjerimit vetëm për hir të Fuqiplotit, e të na bashkoj po Ky Zot nën bajrakun e Kur’anit në Ditën kur çdo popull do të identifikohet me Librin e vetë hyjnor!

Me lutjen që ky Muaji i Mëshirës të mos gjej asnjë familje të mjeruar, asnjë sofër të varfëruar, asnjë nënë të përlotur, e asnjë fëmijë të uritur!
Me shpresën për agjerim të lehtë dhe lutje e du’a të pranuara!

Muaji i Ramazanit, Muaji i Solidaritetit, Devotshmërisë, Mëshirës dhe Unitetit!

Paqë e dashuri!

 

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.