Nga Merjem Gashi

Kur flasim për rolin e gruas muslimane shqiptare, fillimisht duhet zhbërë një rrjet i gjerë i paragjykimeve mbi rolin e gruas në përgjithësi, dhe asaj me mbulesë në veçanti, për të depërtuar aty ku duam, dhe ku na takon të jemi.

Viteve të fundit shohim një aktivitet më të madh të gruas muslimane shqiptare në sferën publike. Sot kemi gra shqiptare të ngritura intelektualisht dhe të përgatitura profesionalisht, të cilat janë duke e dhënë kontributin e tyre në sfera të ndryshme. Megjithatë, nuk konsideroj që ajo përfaqësohet kënaqshëm dhe sa duhet në sferën publike, jo për faktin se mungon vullneti, dëshira dhe puna për studim dhe angazhim nga ana e gruas me mbulesë, por për arsye se ajo është ende e paragjykuar dhe e privuar nga përfshirja e saj në jetën publike. Refuzoj të pranojë se duhet ta luajmë rolin e viktimës dhe t’ua adresojmë fajin të tjerëve, prandaj edhe ne si komunitet duhet të jemi më të hapur, më kërkues, më argumentues dhe më insistues. Nuk kemi nevojë të ndihemi të huaja në shtëpinë tonë.

Nëse grave, pa dallime fetare, kombëtare dhe racore, u mohohen të drejtat të cilat ua garanton edhe Krijuesi i saj, por edhe Ligji, atëherë duhet ngritur zërin. Ky është kuptimi im mbi feminizmin. Të drejta dhe mundësi të barabarta për gruan dhe burrin. Por feminizëm nuk është të mbështeturit e një kategorie të veçantë grash dhe të bërit sikur nuk ia ke haberin për një kategori tjetër, për të vetmen arsye që ti nuk pajtohesh me idetë dhe mënyrën e jetesës së tyre. Kur është privuar një vajzë me shami nga shkolla, apo një grua shqiptare me mbulesë nga punësimi, duke mbetur pa asnjë alternativë, nuk kemi pasur reagime dhe mbështetje nga feministet. Kjo, sepse për shumicën prej tyre mbulesa është nënshtrim ndaj burrit, diçka që sipas nesh, nuk qëndron! Ky është feminizëm me standarde të dyfishta pra feminizëm selektiv.

Duhet bërë dallimi esencial: feminizmi si lëvizje që ka lindur në Evropë është eurocentrik dhe pretendon ta mbajë flamurin e çlirimit të gruas bazuar në standardet e gruas perëndimore. Sistemi kulturor dhe vleror i tyre është matës i çlirimit të grave tjera. Në këtë pikë feministet islame (dhe jo vetëm), ndahen nga ato perëndimore. Andaj feminizmi islam është kritik ndaj interpretimeve seksiste mbi Islamin dhe patriarkalitetin në komunitetet e tyre religjioze. Por gjithashtu kritik edhe ndaj diskurseve feministe neo-koloniale.

Interpretimet patriarkale mbi gruan, feministet i shohin si rezultat i themelimit të Islamit institucional në mënyrë ekskluzive nga meshkujt. Ndërsa feministet islame kërkojnë barazi të plotë gjinore në sferën publike dhe private, gjithnjë duke u bazuar në argumentet Islame. /Gazetaere.com/

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.