nga Shejnur Suma
Dhuna ndaj femrave nëpër botë ka përmasa pandemie! Kjo pandemi nuk njeh kufij gjeografik, socio-ekonomik apo kulturor! ! 1 në çdo 3 femra përjeton dhunë psikike, fizike apo seksuale me pasoja serioze për shëndetin mendor dhe trupor. Raportohet se gjysma e femrave të vrara në vitin 2012,ekzekutues kishin partnerin apo një familjarë të afërm (kjo në vendet ‘e zhvilluara’ dhe ‘të përparuara ‘si SHBA-të, Australia, Kanadaja, Izraeli, Afrika Jugore). Nëpër botë afër 60 milion femra i martuan ne moshën e mitur (nën 18 vjeçe) e 25 milion nën moshën 15 vjeçare. 2 në 5 femra qenë të përdhunuara. (Në disa vende një femër ka më shumë gjasa të përdhunohet sesa të mësojë të lexojë).

Gati 64 milion femra u trafikuan dhe tash eksploatohen seksualisht. Prej gjithë këtyre femrave, të cilat në një mënyrë apo tjetër, përjetuan dhunë, vetëm 14% kishin guximin të ngrisin zërin e të raportojnë dhunuesit te organet kompetente. Tjerat? 86 %? Heshtën! Miliona e miliona femra duruan dhe mbuluan krimet makabre të kryera mbi to! Frika nga familja, shoqëria, gjyqësia, shteti i bëri ata të heshtin! Çfarë faji kishin? Faji i  vetëm i tyre- s’kishin fatin që në lotarinë gjenetike të marrin kombinimin ‘fitues’. Në vend se kombinimin kromozomik, që sipas shoqërisë është superior-XY, u kishte dhënë atë ‘inferiorin’ XX. Heshtja e ‘humbëseve’ është shurdhuese. Kjo heshtje pret tela zëri nga unë dhe ti. Në momentin që shkruaj humbi kohë. Ndoshta një foshnje femër po abortohet sepse babai deshi djalë! (Nje femër po vdesë akoma pa u lindur- i mohohet e drejta për jetë!)

Derisa unë shkruaj, një vajzë 6 vjeçe nuk vijon mësimet me bashkëmoshataret e saja sepse I vëllai ka vendosur që ajo është ‘mbrojtësja e nderit familjar’! (Një femër nuk shkon në shkollë-i mohohet e drejta për shkollim!)

Derisa unë thurr fjalë për dhunën, ndoshta një femër kalon kufirin, te trafikantët e qenieve njerëzore e dorëzon djaloshi qe deri dje e konsideronte ‘dashurinë e jetës’. (Një femër u shit sikur mall-iu mohua e drejta për liri!) Kush e di sa e sa femrave për momentin, u thyhen ëndrrat e vajzërisë me çdo goditje që u japin bashkëshortët e u thyhet zemra me çdo lot e rënkim që lëshojnë fëmijët! (Një femër goditet nga ‘njeriu i jetës’-iu mohua e drejta për mirëqenie!) S’mund e mos të mendoj edhe për femrën e cila është në çmendinë (me mendime suicidale) pas përdhunimit qe përjetoi në luftën që kaploi vendin e saj. (Një femër u përdhunua-iu mohua e drejta e vetëvendosjes!)

Nëse këto shembuj nuk prekën thellësitë e zemrës tënde, nuk të bënë të mllefosur dhe nuk të dhanë shtytje që të adresosh diskriminimin ndaj femrës, të promovosh barazinë gjinore, të mbështesësh femrat dhe të ndihmosh lëvizjen drejtë normave të reja kulturore, atëherë je bashkëpunëtor i heshtur I krimit. Bota nuk vuan nga ligësitë e njerëzve të këqij por nga heshtja dhe indiferenca e njerëzve të mirë! Mjaftë e pamë femrën si shporet elektrik, si lavatriçe, si enë-larëse dhe si fabrikë për prodhimin e fëmijëve. AJO ËSHTË QENIE NJEREZORE dhe si e tillë duhet trajtuar.

Dhuna ndaj saj është e papranueshme pafalshme dhe e patolerueshme; andaj mos prano, mos tolero dhunën ndaj femrës e në rast se veçmë është ushtruar dhunë ndëshko pa pikë mëshire! Për fund, Për të gjithë dhunën e ushtruar mbi të; Për të gjitha fyerjet që keni derdhur mbi të; Për inteligjencën e saj të shkelur; Për trupin e saj që keni shfrytëzuar; Për lirinë që i keni mohuar; Për gojën që i keni mbyllur; Për injorancën me të cilën e braktisët; Për krahët e saj të prerë; Për të gjitha këto: Në këmbë zotërinj, përpara një FEMRE!

LEAVE A REPLY