Lisiana F. Demiraj

Paramendime

Nisemi për në Sarajevë, ku secili nga ne ka qenë edhe më parë, këtë herë për ta jetuar nga brenda në ditë të gjata.

Rrugës në territorin shqiptar shohim makina të huaja po aq sa edhe shqiptare. Na ngrohet zemra, sigurisht, duke pranuar a priori që ai lumë me qytetarë bote ka zgjedhur të pushojë në Shqipëri e jo të jetë thjesht i detyruar të kalojë tranzit.

Të takosh edhe të tjerë bashkëvendas diku jashtë është natyrshëm shumë bukur. Ne do të qëndrojmë tetë ditë. Dikush mendon se ç’mund të bëje tetë ditë aty, veç të vrisje veten.

Si koment për mua i pritshëm nga një shqiptar, më solli në mendje një tjetër koment, në kujtime të para disa viteve:

Nisem për në Sarajevë, atë kohë, me një grup të formuar përmes asgjensisë turistike. Duke qenë që vizita fundjavore përfshinte edhe destinacion tjetër, Sarajevës i takoi vetëm një ditë dritëshkurtër dimri. Ata na çuan në Vrelo Bosne, një park që më pëkujtoi Drilonin në Pogradec, në Tunelin e Sarajevës, i cili i kërkon ca rreshta përshkrim më poshtë, dhe në qendrën e Sarajvës, ku gratë që ishin pjesë e grupit turistik dhe që përbënin përqindjen më të madhe të turisteve, hynë në qendrën tregtare. Por agjensia nuk planifikonte vajtjen në Bashçarshi, qytetin e vjetër. Atëherë u përvodha nga gratë shqiptare të dyqaneve dhe ia dola të shkoja vetë atje.

Kur u ktheva pas disa orësh në pikën e takimit për nisjen e autobusit, sy të medhenj e të tensionuar po më prisnin. Po më shihnin të gjithë njësoj dhe po: pati pyetje. ‘Humbe?’ ‘U trembe?’ ‘Qave?’

Nuk mund t’u shpjegoja as turistëve atëherë dhe as atij të 2015-ës se një vend mund ta shohësh, por mund dhe ta jetosh. 

Ndërkohë në Bashçarshi

Dyqanet me kanate druri fillojnë të hapen.

Dy nëna ulur në një rrasë guri bisedojnë.

Ka turistë. Ka shumë.

Ai pi ujë tek çezma në qendër.

Ajo është boshnjake, ka një shami të bukur lidhur flokëve dhe qafën e ka zbuluar. Shoh shumë gra kështu.

Dyqanxhiu po punon një xhezve në kudhër. ‘Ejani brenda, – na thotë. – Ku ka njerëz, ka bereqet.’ Është doktor shkencash në punën artizanale dhe shok lufte ka pasur Kadriun, shqiptar.

Po thirret ezani.

Ajo ka një kafene të vogël në pronën e vet, me tavolinat mbi kalldrëm. Tavolina që s’jane asnjë ditë të vendosura në të njëjtin vend e madje nuk janë as të njëjta mes tyre. ‘Këtë e kam nga shtëpia e babait, është mbi 100 vjeçare’, ‘Në dimër që s’ka turistë…u shes kafe komshinjve’.

Në oborrin e xhamisë po rrijnë macet e Selmës. Njëra është barsë.

Njëfarësoj merrem vesh me një burrë boshnjak që më shpjegon se për xhuma gratë nuk falen në xhami. Kujtoj faljen e Bajramit në Prizren, ku gratë nuk e falin.

Ulem tek kafeneja ngjitur me oborrin, dëgjoj me ëndje hytben në një gjuhë që nuk e kuptoj aspak.

Ata pijnë nargjile dhe bëjnë muhabet. Duken të kamur.

Ai shet misra pranë çezmës Sebilj dhe një djalë i vogël i blen dhe ushqen pëllumbat.

Pyes një boshnjake për gratë me shami qafëjashta. Më shpjegon se një pjesë e tyre janë në rrugën drejt vënies së plotë të mbulesës e këtë e bëjnë gradualisht, e një pjesë e mirë për hir të traditës. ‘Pati një ndikim turk pas luftës dhe prania e shamisë është si diçka tradicionale, ndërkohë që ato mund të mos kenë një prirje fetare’. Shpjegimi përkon me atë që kam marrë dhe nga shoqja ime që jeton në Turqi. ‘I përket traditës, të mos dalët me flokët zbuluar paçka pjesës fetare’. E mendoj fort që kjo mënyrë përbën një burim keqkuptimi mbi nocionin e shamisë, kjo është e sigurtë, por gjithsesi janë poetike.

Ai kënaqet aq shumë që ne jemi shqiptarë dhe unë jam me shami, sa na lejon të futemi pa biletë.

Ajo çuditet aq shumë që ne jemi shqiptarë dhe unë jam me shami, sa pyet disa herë për konfirmim. Kënaqet. ‘Është e jashtëzakonshme që ka besimtarë, ju keni qenë nën atë…si ta them…dushmanin.’

Ata po hanë diçka që u vjen me sahan tek Hani i Moricës, ndërtuar në 1551-shin.

Ai shet tek dyqani i Isfahanit. Aromë temjani dhe qilima persianë. Është sufi i tarikatit nakshibandi.

Ato kanë dalë të veshura për në night club.

Ata po hyjnë në një club dhe një roje tek dera i kontrollon për armë.

Ai do të mbyllë dyqanin dhe po fut brenda tezgat nga jashtë. I thyhen nga levizjet disa filxhanë. Na përgjigjet me buzëqeshje ndaj empatisë: ‘Pa merak, më ndodh çdo natë’.

Ata mbajnë qetësi kur janë në xhami. Vetëm kaq fare pak është ndryshe dhe ne falim namazet më të qeta ndonjëherë.

Alija Izetbegoviç është i varrosur me çetën e vet, sikurse e kishte lënë amanet.

Ata janë të rënë lufte me datë vdekjeje kryesisht ’92-93.

Qyeti natën fle. Dikush qan, dikush lutet, dikush bën dashuri. Disa punojnë. Ndërsa disa vjedhin.

Tuneli i shpresës

Viti 1993. Emri i koduar ‘Objekti BD’. Ndërtimi i tunelit u bë nga ushtria boshnjake, në një mision të fshehtë për të lidhur Sarajevën e rrethuar nga trupat sërbe, pa asnjë mundësi furnizimi me ushqime dhe armë, me pjesën tjetër të Bosnjes. Tuneli kalonte në nëntokën e aeroportit të Sarajevës, i cili kontrollohej nga forcat e Kombeve të Bashkuara.

Ndërtimi, nga mungesa e veglave të duhura, u bë me duar, lopata e çekanë, 24 orë në ditë, me turne 8-orëshe, duke gërmuar nga të dyja anët. Filloi në 1 mars 1993 dhe përfundoi në 30 qershor 1993, kur dy tunelet u bashkuan në mes. Përdorimi i tij nisi që të nesërmen dhe u mundësua sigurimi i ushqimeve, mjeteve të luftës, mjeteve të ndihmës shëndetësore, kabllove telefonike dhe levizjet e njerëzve.

Prania e tij nuk u mësua asnjëherë (përgjatë luftës) nga sërbët.

Kur Sarajeva lëndon

Të ardhurit keq për dicka apo dikë, pashmangshmërisht të vendos në një pozicion superior kundrejt. Mendoj se boshnjakët nuk duan keqardhjen, por thjesht ‘të mos harruarit’. Të harruarit në këtë rast, si një mekanizëm mbrojtës, do të ishte veçse një gënjeshtër.

E pavarësisht të shkuarës, qyteti gdhihet nga e para. Me të zgjohemi dhe ne. Gjatë natës na kanë thyer xhamin e makinës dhe na kanë hapur bagazhin. Hutohemi, po aq sa ndjehemi me fat që nuk kemi pasur gjë me vlerë aty. Mes mungesës së empatisë e preokupimit nga pronari i apartamentit dhe sharjeve në shqip që lëshon një shqiptar që kalon rastësisht, ne patjetër që ndjehemi më mirë nga ky i dyti. Nisim të qetësojmë veten. Tek e fundit, situata të pakëndëshme me makinën na kanë ndodhur edhe në Shqipëri. Po ashtu kujtojmë çiftin çek në Shqipëri, i cili pati fatin tragjik, por në bazë të historisë qëndronte vjedhja e turistit. ‘Ballkan!’ mendojmë dhe fatkeqësisht kjo na justifikon disi brenda vetes ndodhinë. S’mund ta fsheh as mendimin se ata mund të kenë qenë një bandë sërbe.

Një çift fytyrëvarur që po kalon, banon një rrugicë më tej. U kanë thyer edhe atyre të njëjtin xham. ‘Ishim dy makina.’ Shoku i tyre, me gjasa ai i makinës tjetër, vjen mbrapa. Përpiqet ta mbajë pak më shumë veten. ‘Na morën çdo gjë. Valixhet dhe aparatet fotografike, i kishim të gjitha në bagazh.’

Po ata, joshqiptarë, si do ta kuptonin dot vjedhjen e turistit vallë?

Dhe gjithçka kthehet tek Ai

E kjo mungesë e përkryerjes s’bën gjë tjetër vetëm se më dëshmon Krijuesin, të vetmin e përkryer. Andaj, përpos gjithçkaje të këtij udhëtimi, paqtohemi për të vazhduar të dashurit e Sarajevës po njësoj

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.