E gjitha nisi me një biletë autobusi dhe peripecitë për ta marrë atë nga Turqia. Agjencia shqiptare e autobusave nuk ka një faqe në internet dhe as nuk ofron mënyra për ta blerë atë online. “O Zot në çfarë shekulli jetojmë?” – pyes veten e stresuar pas gjithë atyre përpjekjeve për të blerë thjeshtë një biletë, jo më shumë.
Në autobus…
Ndër vite udhëtimesh me autobus të linjës Durrës-Shkup kam koleksionuar kujtime të ndryshme (nën sfondin e “Medës”, “Bertanit”, “Kasapit”, “Gaxhës” “Fejzullahu i vogël dhe i madh “dhe … (e kush i mban mend të gjitha) Por mbaj mend vetëm që doja s’doja i mësova tekstet e këngëve përmendësh. Kujtoj sa herë kam fshehur pashaportën time të kuqe në një këllëf tjetër vetëm e vetëm nga turpi se mos identifikohesha si “ajo e Shqip’ris’ ” një stereotip ky që përcaktonte vajzat shqiptare të cilat udhëtonin kryesisht drejt Tetovës si “studente” por që përfundonin klubeve të natës. Si to kam takuar plot:
“Po jo mi, ça shkolle mi goc? Pse mi do thartoj trut’ un’ duke msu’ dhe harxhu’ lek’ kur në nji nat’ “tune belin” fitoj sa mund t’kisha harxhu’ për nji simestër?”. Po ça t’i them atyre të shpisë un’? “Shkolla, shkolla” thonë ata.” – më tregon një vajzë, ndërkohë që unë përpiqem të tregohem se nuk po e paragjykoj për zgjedhjet e veta edhe pse brenda vetes e skandalizuar nga ato që dëgjoj.
Një herë kur u nisa për një “shkëmbim rinor” për kursin e gjuhës dhe kulturës më pyet polici i kufirit në sy të gjithë pasagjerëve të tjerë: “Për ku kështu?”
-“Për në Universitetin e Kirilij i Metodij” pëgjigjem unë me gjysëm zëri e trembur pak nga fakti se ai kishte përzgjedhur të marrë në pyetje vetëm ne gocat me pashaportë të kuqe.
“Po si pra, hec o goc m’thuj ku do shkosh e sa do rrish?” Atherë i tregoj formularin e regjistrimit dhe ftesen nga Universiteti edhe si për “t’ia përplasur në fytyrë” duke dashur të thyeja stereotipin e pashaportës së kuqe.
Kam takuar plot gra që ishin të martuara me shqiptarë të Maqedonisë dhe gjithmonë u kërkoja të më rrëfenin për probemet me përshtatjen me kulturën dhe traditat e vendit si dhe krahasimin me vendin tonë. Mirëpo herën e kaluar, për herë të parë takova një durrsake të lidhur me një maqedonas. “Unë shkoj çdo fundjavë ta takoj,” më thotë. E ndërsa bëhem gati ta pyes “çne me maqedonas?” ma kthen paraprakisht: “Po shqiptarët janë shumë tradicionalë dhe konservatorë, nuk përshtatem dot unë ashtu”.
Këtë herë, përsëri për herë të parë, takova një kumanovare që shkonte në Shqipëri për të takuar të fejuarin e vet. Më kishte rastisur vetëm të takoja femra që udhëtonin nga Shqipëria drejt dashurisë së tyre por jo e kundërta. Kurioziteti dhe pak instikti prej gazetareje për të zbuluar më shumë rreth këtij vendimi më shtyu ta pyesja për arsyen:” E kaluara ime është tepër e rëndë për t’u përballuar nga një i vendit tim, ndërsa ju të Shqipërisë jeni më mendje hapur dhe për dashuri bëni gjithçka.”


Xhumaja

Si gjithmonë shkoj për të falur xhumanë tek e shtrejnta Mustafa Pasha Cami, mirëpo nuk paska vend për femrat këtë herë. Me që jam, mendoj të bëj foto e të fiksoj në aparat ato skutat pas xhamisë.

 

 

Jashtë, një burrë po falet me dy vajzat e veta, njëra foshnjë në karrocë. “Kushedi si e ka pasur hallin që është detyruar të marrë beben në xhami për xhuma. Duhet të jetë i huaj, ndoshta torbesh, se me siguri shqiptar dhe turk nuk është!” E mendoj plot bindje duke rënë me këmbët e mia në grackën e paragjykimit kulturor. Foshnja fillon të qajë dhe i afrohem vendfaljes për ta qetësuar. Si për habinë time motra e saj 6 vjeccare fliste me një shqipe të kulluar. E pasi ata janë larguar e unë e përshendes me dorë vogëlushen mbetem me ndjenjën e fajit se e paragjykova më kot.


E si për të më kujtuar fotot qe doja të bëja aty dalloj dhe Mesut Kurtishin dhe nxjerr me nxitim aparatin për t’i rrëmbyer një foto. E nderkohë kujtoj një ilahi në arabisht për hixhabin që ai këndon e që e dua shumë:
Ti, jetë e kulluar!
Që je si një shpresë pranvere
Ti, Moj Dritë
Me të gjitha cilësitë e tua
Dije se shikimi në ty
e mbush zemrën me modesti;
Tregomë kush tjetër përveç teje
e mbush dynjanë me dritë,
e na mbush me jetë.

 

Një tjetër këndvështrim

E lodhur nga vizita e vendeve të bukura plot drita dhe shkëlqim të Shkupit vendosa që këtë herë të zbuloja një anë të re që s’e kisha parë ose s’kam dashur ta shoh ndoshta më përpara. Një vend është gjithmonë i bukur i parë nga sytë e turistit, por ç’thonë vetë ata që jetojnë këtu?
Kështu duke ju drejtuar qendrës së qytetit me disa miq të mi ‘‘turqeli’’ kalojmë në një nënkalim të rrënuar, me një ajër të mbytur nga lloj lloj erërash të ndryshme mbetjesh organike dhe jo vetëm. Ndoshta e kam parë dhe herë të tjera këtë nënkalim por s’kam guxuar të kaloj aty.
Një mikeshë e vjetër shkupjane më premton se do më çojë të vizitoj lagjet shqiptare për të kuptuar më mirë “se si jetojmë ne viktimat e këtij sistemi” sic shprehet ajo me atë mllefin që i karakterizon shqiptarët e Maqedonisë kur bie fjala për politikë dhe ekonomi. Lagjet e markuara shqiptare nuk janë dhe aq ndryshe nga lagjet periferike në Shqipëri apo Turqi. Madje pak më mirë nga pritshmëritë e mia.


Një shoqia ime boshnjake, teksa ecim kalldrëmeve të çarshisë më prezanton me një itaiane të martuar me … “I’m Albanian from Macedonia and not Macedonian, please ladies!”, thotë bashkëshorti i saj me pak ironi siç reagojnë shumica e shqiptarëve të Maqedonisë kur i prezanton me termin maqedonas. (Mashallah) Mariangela kishte mësuar edhe shqip edhe maqedonisht, përveç guhës mëmë. E nuk ka se si mos t’ia bëja pyetjen e gjithmonshme: “Si është të jesh nuse në Maqedoni?” Me një buzëqeshje të ëmbël më përgjigjet se duke qenë nga Bari, pra me kultura dhe tradita jo shumë të ndryshme nuk ka hasur probleme në përshtatje. Dhe duke psherëtirë thellë dhe plot zhgënjim më tregon për krizat politike dhe financiare që vendi po kalon, vështirësitë që hasin ata edhe pse të dy punojnë. Madje ajo punonte si lektore në dy universitete që prej muajsh, te cilat për shkak të gjendjes politike të kohëve të fundit, nuk kishin arritur të paguanin punonjësit e tyre. “Ne po mendojmë të zhvendosemi në Itali”, më drejtohet burri i saj, “Nuk rrihet më këtu”.
“E ku mbeti ajo qasja se “nuk i lë unë të gjitha për të shkuar tek mëmëdheu gruas”?” e pyes unë si “eksperte” e këtyre debateve të dëgjuara prej rrëfenjave gjatë 8 orë rrugëtimi të linjës Durrës-Shkup. “Ehh, ikën ato kohëra, sot të gjithë po ikin nga këtu. E ku ta dish ti se çfarë heqim ne këndej, ti si turiste vjen. Të gjithë po kërkojnë për ndonjë të njohur diku jashtë që t’i tërheqë jo më unë që e kam gruan italiane”.
Pasi ndahemi më këtë çift që më la goxha mbresa mendoj se sa fantastik është mutikulturalizmi këtu në Maqedoni. Të shkathtësohet edhe instikti për të ndërruar gjuhën e komunikimit me personin që ke përpara. Njësoj sikurse na ndodhi ne, teksa me Mariangelan flisja italisht e me burrin e saj shqip, ato të dy flisnin maqedonisht me shoqet e mia boshnjake, derisa e kthyem të gjithë në anglisht që mos bëheshim lëmsh.
Xhemati Boshnjak


Komuniteti i preferuar dhe më i dashur tek unë janë boshnjakët e Maqedonisë. E kam përmendur dhe më herët se ajo cilësi që e dua fort tek ky komunitet është pikërisht vëllazëria, ose më saktë “sisterhood/motëria” në fe. Kur e krahasoj këtë komunitet me xhemate të tjera si më shqiptarët apo turqelitë vërej se tek këta të fundit duhet shumë mund që t’u fitosh zemrën, apo të bëhesh pjesë e tyre. Ndërsa me xhematin boshnjak, mbaj mend kur për herë të parë kam marrë pjesë në një takim të tyre më kanë mbuluar në përqafime sikur njiheshim prej vitesh e si për “koiçidencë” edhe tema e tyre e rradhës kishte qenë “Motëria në islam”. Kuptova shumë shumë pak nga ajo ligjëratë sepse njohuritë e mia në gjuhë ishin shumë të limituara por megjithatë më është dukur ligjërata më e këndshme që kam dëgjuar ndonjëherë, sikurse thonë “fjalë që dalin nga zemra prekin zemra”.
“Femrat boshnjake janë burrnesha, janë të vujtuna e të sprovuara, nuk ka se si mos t’i duash”, më thotë Mersiha që më ka lexuar në mendje teksa i flas për këtë dashurinë time ndaj xhematit boshnjak .

Irma, kjo studente fakulteti, plot shpresa dhe ambicie më shoqëron për orët e fundit para kthimit. “Irma është hera e 13 që e vizitoj Shkupin, nëse dëshiron thjeshtë ulemi në çarshi dhe bisedojmë pak e qajmë hallet e xhematit,” i them unë e lodhur paraprakisht nga tetë-orarshi i famshëm që më pret. Ndërsa Irma më kap prej dore dhe plot vetëbesim se do më tregojë një këndvështrim ndryshe të Shkupit më çon në Bit Pazar. Asgjë s’paska ndryshuar aty fatkeqsisht. Është po i njëjti pisllëk dhe shkatërrim, e shto këtu katrahuren e pas orës 4 ku thuajse të gjitha dyqanet janë të mbyllura. Kur ulemi të flasim, Irma më tregon për peripecitë e saj si një muslimane me shami nëpër institucione dhe auditore. Më thote se pavarësisht kësaj urrejtjes ndaj islamit në përgjithësi nëse duam që njerëzit të na pranojnë duhet të punojmë shumë për këtë dhe më të arrirë ky stad njerëzit të vlerësojnë për atë që je dhe shamia nuk përbën një barrierë. “Nuk e kuptoj përse vajzat me shami ankohen se diskriminohen këtu në Maqedoni….?” më pyet ajo pak e irrituar. “Irmë e dashur duhet të kuptosh se përqindja më e madhe e femrave muslimane në Maqedoni përbëhet nga turket, shqiptaret dhe shumë pak nga boshnjaket e maqedonaset. Këta të fundit shihen si “tradhëtare”, ju boshjaket si disi më afër me kulturën dhe gjuhën e tyre, ndërsa shqiptarët dhe turqit si armiq të përbetuar. Islamofobia në këtë rast është e përzier me diskriminim për shkak të etnisë. Ndoshta është kjo arsyeja përse ti si boshnjake nuk e ndjen aq shumë sa mund ta ndjejë një shqiptare apo turke “, mundohem t’i jap një tjetër këndvështrim me aq njohuri sa kam mbi realitetin e atyshëm kësaj vajzë plot aspirata që më kujton veten në kohën time.

LEAVE A REPLY