Nga Entela Hidri

Panairi i 21 i librit që po mbahet në në Tiranë, si çdo vit po merr një vëmendje mjaft të madhe. Është ndoshta ndër ato aktivitete kulturore që nuk po njeh zbehje. Përkundrazi. Në raport me një përfolje mbi uljen e interesit për librin, numri i shtëpive të shumta botuese, botimet në masë dhe me një larmi të pasur autorësh e gjinish, shtoju këtyre gumëzhitjen e masës së madhe njerëzore panair pas panairi, tregon se libri ende “mbahet në këmbë”.

U takon botuesve dhe organizatorëve që të bëjnë të mundur jo vetëm ruajtjen e kësaj tradite por dhe pasurimin e mëtejshëm, risitë dhe aftësinë promovuese, që kjo festë e përvitshme libri të marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha, e të jetë një “pranverë leximi” në prag-dimri. Dimri…e ku ka stinë më joshëse për t’u kredhur në lexime!

Në këtë panairin e këtij viti, gjenden të përfaqësuar rreth 100 shtëpi botuese nga mbarë hapësirat shqiptare. Titujt e rinj që ofrohen, janë rreth 200, si dhe vijon seria e ribotimeve për ato që kanë qenë të suksesshëm në treg. Gjatë ditëve të panairit do të ketë rreth 50 aktivitete që kanë në qendër librin, si edhe takime mes autorëve dhe lexuesve. Ndër librat shqip më interesantë, si risi në këtë panair, konsiderohen “Hekuri dhe çeliku”, nga Mitrush Kuteli, i botuar pas vdekjes, libër me të cilin ai po punonte para se të ndërronte jetëa, apo “Kur sunduesit grinden” të Kadaresë.

Në panair do të ketë edhe autorë të njohur si Besnik Mustafaj, Namik Dokle, Kim Mehmeti etj., të cilët do të jenë edhe në promovimin e librave të tyre. Ne panair do te jenë edhe tituj të përkthyer nga emra të njohur si Nasi Lera, Gëzim Qendro, Krenar Hajderi, Virgjil Muçi, Kujtim Ymeri etj.

Stendat në këtë panair, si edhe në vitet paraardhëse, i ofrojnë librat dhe me ulje që shkojnë nga 10 deri në 50 përqind.

Nëse keni më shumë pyetje dhe doni të dini më shumë,  atëherë Libri ju thërret: “Mirë se vini në Panair!”

LEAVE A REPLY