Po afrojnë muajt e ngrohtë dhe trupi ynë do ketë nevojë për hidratim. Do të kalojmë shumë kohë jashtë, në ajër të pastër dhe do jemi aktivë, çka do të thotë kalori të djegura, dehidratim dhe humbje energjie. Në përpjekje për të zëvendësuar vlerat ushqimore që humbasim kur djersijmë, u jepemi pijeve me sheqer, që kanë një aftësi “mashtruese” për të prodhuar energji të menjëhershme e krijojnë një ndjesi të përkohshme mirëqenieje. Të konsumosh ujë është vlerë e paçmuar për organizmin e dehidratuar, por imagjinoni sikur ta pasuronit atë me fruta, erëza e perime, duke i shtuar në këtë mënyrë jo vetëm vlerat ushqyese, por dhe duke e bërë më tërheqës për syrin. Po flasim pikërisht për ujërat e aromatizuar, që përftohen thjesht, në një kohë të shkurtër dhe janë të shëndetshme…

Uji nuk ka shije dhe ndoshta këtu fshihet e gjithë vlera e shtesave që mund t’i bëjmë atij, pasi duke e bërë të shijshëm ujin, mund të konsumojmë më shumë. Ky është një opsion i shëndetshëm e praktik, sepse kavanozat dhe shishet me ujin e aromatizuar merren me vete në punë apo park, në qoftë se keni dalë për shëtitje apo vrap. SPA-të më të mira në të gjithë botën janë njohur prej kohësh me dobitë e ujit me fruta, erëza dhe lule, por lajmi i mirë është se nuk keni nevojë të shkoni në një të tillë për të shijuar këtë mrekulli të natyrës. Jo, ju mund ta bëni vetë atë, në shtëpi. Kështu do të merrni vitamina, minerale dhe antioksidantë. Kini parasysh se ky është ujë me fruta, jo lëng, ndaj sasia e sheqerit dhe kalorive që do të fusni në trup nuk është e lartë (për fat të mirë!).

Nuk ju nevojiten shumë gjëra për t’i përgatitur. Kryesor është uji i pastër dhe i sigurt, sepse është baza e recetave. Pastaj vijnë frutat, të çdo lloji (përveç bananeve); përpiquni t’i gjeni sa më të pjekura, për një ëmbëlsi e shije më të madhe. Nëse nuk doni t’i blini me kokrra të plota, disa dyqane dhe supermarkete, si CONAD-i, shesin enë të vogla me fruta të prera. Frutat këshillohet të jenë të stinës, pasi aroma e tyre dhe vlerat ushqyese janë më të sigurta, por janë dhe më të dobishme për organizmin. Natyra çel fruta që kanë vlera dhe minerale që i duhen organizmit në stinë të caktuara. Një tjetër përbërës thelbësor janë erëzat; shumë të tilla e plotësojnë shijen e frutës dhe pothuajse çdo erzë është e përshtatshme, në varësi të parapëlqimeve personale. Ujërat aromatikë mund të ruhen në kavanoza të mbyllur hermetikisht, në shishe uji ose gjetkë.

Më e mira është të ruhen në frigorifer për jo më shumë se një javë, ose derisa shija e tyre të mos ndihet më. Ka receta që kërkojnë që përzierja të “pushojë” disa orë para konsumimit, të tjera janë gati brenda pak minutave. Varet nga përbërësit dhe aftësia e secilit prej tyre për të lëshuar në ujë mineralet dhe lëndët ushqyese. Ky nuk është ujë i ëmbël, ndaj do t’ju zhgënjejë nëse është pikërisht kjo që prisnit. Ky është ujë me shije delikate në të. Ujë me diçka shtesë. Një shije e lehtë, me pak apo aspak ëmbëlsi. Për të ruajtur ujërat aromatikë, mund të përdorni kavanoza të mëdhenj, por edhe kanat janë të përshtatshme, nëse uji konsumohet në moment. Përpiquni që enët ku ruani ujërat aromatike të jenë prej qelqi, jo plastike, pasi ato janë më të shëndetshme. Në recetat e mëposhtme, ne nuk parapëlqyem të shtojmë akull. Për pranverën mjafton të ftohet uji në frigorifer dhe është i përsosur për recetat, pasi uji i ftohtë akull nuk i bën mirë shëndetit. Kurse gjatë verës, kur bën shumë nxehtë, ujërat me aromë mund t’i përgatisni me kuba akulli.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.