Përjetimi i Ramazanit në Malajzi

0
Padyshim në gjithë globin, muaji i Ramazanit është zemra e tërë vitit. Është muaji i ngadhënjimit shpirtëror e fizik. Është muaji i durimit, forcës, adhurimit. Muaji i afrimit me Zotin, muaji i përmirësimit. Muaji i t’u bërit një njeri më i mirë. Më i mirë me Zotin, me vetveten, me familjen, me fqinjin e me shoqërinë. Në Ramazan afrohemi më shumë se kurdoherë me të afërmit e miqtë, kryesisht nëpërmjet iftareve dhe takimive gjatë namazit të Teravive në xhami. Deri më sot, agjërimin e këtij muaji të shenjtë e kam përjetuar në dy vende të ndryshme; Shqipëri dhe Malajzi. Ndonëse thelbi i agjërimit është i njëjtë kudo, ka disa elemente dhe praktika që dallojnë nga vendi në vend. Nëse në Shqipëri atmosfera e Ramazanit mund të ndihej kryesisht në mesin e komunitetit musliman vetëm, në Malajzi ne mund ta dëshmojmë atë kudo; në rrugët me pazaret e Ramazanit gjatë pasdites, në xhamitë e mbushura plot me adhurues, nëpër dyqanet e mbyllura deri në orën 4-5 të pasdites. Mënyra se si Malajzia feston muajin e Ramazanit na bën të gjithëve të përjetojmë dicka shumë të veçantë, të këndshme dhe tejet unike. Para së gjithash, për disa qytete dita e parë e Ramazanit është festë publike dhe pushim zyrtar. Përveç kësaj, drejtuesit e të gjitha kompanive janë shumë të ndjeshëm në lidhje me agjërimin, ndaj zyrat mbyllen minimumi 1 orë më parë se orari i zakonshëm për shkak të përgatitjes së iftarit. Një aspekt shumë i veçantë dallues i Ramazanit është pazari i Ramazanit. Pazaret e Ramazanit mund të gjenden në çdo cep të qytetit, duke ofruar një koleksion të shumëllojshëm ushqimesh për të thyer agjërimin gjatë Iftarit. Cmimet janë shumë ekonomike dhe të përballueshme për të pasur dhe të varfër gjithashtu. Këto pazare të përfshijnë tërësisht saqë ashtu pa njohur askënd fillon e shpërndan selame dhe urime: Selamat Berbuka ( Zoti jua pranoftë agjërimin) tek cdo person që ndesh në Pazar. Askush nuk duhet ta humbë vizitën në këto pazare, sepse ka një shumëllojshmëri në ushqim dhe menu, sidomos në “Kueh” (ëmbëlsira tradicionale) që gatuhen vetëm gjatë këtij muaji. Ramazani është muaji i ndarjes së kafshatës me të varfërin. Një traditë shumë unike në lidhje me këtë pikë është shpërndarja e Bubur Lambuk. Bubur Lambuk është një supë orizi e cila gatohet në xhami nga shumë vullnetarë. Kjo supë fillon të shpërndahet tek agjëruesit pas namazit të Ikindisë. Oborri I xhamisë mbushet përplot me njerëz që mbajnë radhë për të marrë këtë supë falas. Vullnetarë të tjerë vendosen nëpër stacionet e autobusëve vetëm për të dhënë një tas supë pasagjerëve. Për më tepër, xhamitë ofrojnë Iftar të hapur për të gjithë. Askush s’ka nevojë për ftesë të posacme. Është e mahnitshme kur në turmën e ulur përtokë duke pritur Iftarin mund të gjejmë dhe njerëz të pasur. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Të bëjnë dua-atë me imamin, të ndjejnë edhe ata të ngrënit thjeshtë dhe më vëllezërit që ndajnë të njëjtin besim. Qartazi, një ndjenjë miqësie lind automatikisht midis xhematit teksa ulen krah më krah për të ndarë ushqimin. Atmosfera festive ndihet përgjatë gjithë muajit. Rrugët, qendrat e mëdha tregtare dhe shtëpitë zbukurohen me drita ekstravagante vezulluese ose llamba tradicionale të pregatitura me shkopinj bambuje. Këngët e Bajramit dëgjohen kudo. Ndonëse agjërimi në një klimë të nxehtë dhe të thatë cdo vit mund të jetë mjaft e vështirë për disa, Ramazani në Malajzi është një përvojë e pazëvendësueshme e cila do më mungojë goxha nëse një ditë vendos të shpërngulem nga ky vend.
Drita Islame-Korrik ‘16
Brunilda Basha

Brunilda Basha

Autorja është Arkitekte dhe studion doktoraturë në Stamboll, Turqi. Është e specializuar në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore.
Brunilda Basha

LEAVE A REPLY