Nga Lisiana Demiraj*

E plakur, por megjithatë bionde dhe syçelur, ajo është gjermane.

– Sandwich…cheese or beef? – pyet ajo. Dhe mandej shton: – Mish?

Stjuardesa gjermane ka mësuar fjalën mish. U buzëqesh të gjithëve. Vras mendjen ç’histori jete mund të ketë.

Është e sjellshme. Oh, po sigurisht. Patjetër! Domosdo që po. Tek e fundit, si do të jetë ndryshe gjermania stjuardesë, që fsheh nën rrudha ndjesi superioriteti, në një avion të “Lufthansës” në linjën Tiranë-Mynih. Me siguri ka parë çudira shqiptare – e kush tha se nuk ka çudira gjermane, sikurse a nuk kemi bërë të gjithë gafa, e a thua se nuk ka bërë ajo e s’ka qenë ndonjëherë në më shumë se në një fushë pa dije. Megjithatë ndjesitë e superioritetit për të cilat unë po flas janë nga ato që gjenden që në gjenezë. Sikurse unë, shqiptare, me atë që provoj që në gjenezë për ndjesitë e saj.

Munich. Pse e bëjnë kafen këta njerëz, kur ajo nuk pihet?!

Lihtenshtejni nuk ka një aeroport. Më i afërti është ai i Zyrihut.

Zurich.

Rrotat e avionin prekën tokën. Burri anash meje qau.

Kam parë një burrë të qajë.

Ngriti duart para fytyrës, i bashkoi. Falenderoi Atë. Fërkoi fytyrën me duart e lutjes. Nuk e mësova ç’kombësi kish. Nuk ia pashë as tiparet. Vazhdoi jetën mbi asfaltin e aeroportit. Kish anash një grua dhe nga pas i ndiqnin dy fëmijë.

Kam parë një burrë të qajë për katër.

Vaduz. Liechtenstein.

Flasin gjermanisht. Janë të përpiktë, mbetet e vërtetë kjo. Por nuk është e vërtetë se janë të ftohtë: janë të dashur. Nuk janë të ftohtë jo, janë të fortë. Nuk qahen. Janë të drejtpërdrejtë dhe të qartë, por kjo nuk i bën të ftohtë.

Dhe mua më ndizet butoni i krahasimit me vendin tim.

Ç’është ky buton krahasimi me të cilin kemi lindur apo na i kanë instaluar përgjatë viteve? Ku shuhet?

E pse duhet ta shuaj kur, me shumë mundësi, krahasimi do dalë në favor të Shqipërisë? Dhe ja, e provoj:

Eshtë ndër vendet me vetëvrasjen më të lartë në botë dhe ndër vendet më të pasura. E ç’janë këta njerëz që nuk i japin dot kuptimin e vërtetë vetëvrasjes? Që nuk e vrasin veten as se nuk kanë ç’të hanë e nuk marrin asistencë, as se janë në borxhe nga nuk dalin dot, as se mbarojnë një universitet e punojnë në call-center, as se janë futur në burg për faturat që s’kanëPARA për t’i paguar, as se janë të depresuar e mbyten çdo ditë nga realiteti. Ne, po, vdesim për një kauzë që ia vlen, të cilën na i kanë shkaktuar të tjerët. Ne, kështu, na vrasin, po këta për çfarë vriten?

Për tipar personaliteti, do ishte një nga shpjegimet më të shpeshta psikiatrike. Ndoshta nuk i gjejnë kuptimësi jetës, them unë. Po ne nuk i ndjejmë këto? Jo, nuk i ndjejmë. Prandaj jemi të shpëtuar. Se nuk bëhen analizat me barkun bosh. Nuk e kemi kapërcyer varfërinë materiale për të pasur shqetësime shpirtërore.

Një përrallë moderne me princ e kështjellë. Njerëzit këtu e duan princin. Kjo është shumë e re dhe e vështirë për mua, prandaj pyes këdo që takoj nëse vërtet të gjithë e duan princin. E dashkan! A i ka kapur këta njerëz sindroma e Stokholmit? Apo ai është vërtet i mirë?

Duket qartazi se janë përgjithësisht shumë të kënaqur me politikën dhe, pa diskutim, me ekonominë.

A është në të ky princ xhanëm?! Jep aq shumë për artin, për arsimin, për ndërtimet…duhet bërë një listë e gjatë. Princ i çuditshëm, që investon para dhe bën politikë të mirë. Me siguri, këtyre viseve duhet të ketë jetuar një shkrimtar që, kur ka bërë përrallën e këtij princi, ka qenë i dehur.

Një kishë. Një spital. Varrezat. Po, të vendosura në këtë radhë. Sistemim perfekt. Kaq gati për vdekjen, kaq me vetëdije? Ah more të mjerë, a nuk dini ju ta korruptoni vdekjen? Këtu, në një ndër vendet më të pasura në botë, njerëzit vdekkan? Këta nuk ditkan asgjë! Nuk paskan mësuar asgjë nga politikanët tanë që gr(abit)umbullojnë gjithçka, e i sjellin në bankën e këtushme. Këta e mbrojtkan aq mirë fshehtësinë sipas ligjit, sa nuk ia tregojnë as vetvetes.

Politika e bankave, në fakt, me ç’më tregojnë, paska ndryshuar që pas një skandali, kur një punonjës vendas i sektorit të ruajtjes së të dhënave bëri një kopje të tyre e ua shiti disa shteteve, përfshi këtu edhe policinë gjermane, që arrestoi për afera korruptive drejtorin e postës së vet. Askush nuk e di ku ndodhet ‘tradhtari nga Lihtenshtejni’, i cili është futur në programin e mbrojtjes së dëshmitarit. Si në filma.

Si në filma? E ç’na duhen neve filmat e Lihtenshtejnit, kur kemi filmat tanë? Me skenarë përgjimesh, videosh, vjedhjesh, vrasjesh. Filma dramë, filma aksion, madje dhe filma autor.

Oh, më thanë se do shokohesha nga çmimet. Po çfarë mendojnë këta për ne? Se jemi kaq të brishtë e s’jemi shokuar kurrë nga çmimet tona? Se nuk paskemi ne dyqane të shtrenjta, ku çmimet janë mbi 100 euro? Apo restorante e bare të shtrenjta, ku shumica e njerëzve as nuk afrohet? Sa vend qesharak me rroga 20-fishi i tonave. Janë për keqardhje.

Ç’vend i rregullt, me perfeksion të frikshëm. Si jetojnë dot në këtë halloween të ditëpasditshëm, ku edhe gjethja bie nga pema në pozicion të përcaktuar?

Më prit Shqipëri, më prit të mpihem brenda teje.

Më prit, se unë prapë tek ty do të kthehem.

Bëma shtrojën gati.

*(autorja ndodhet në Lihtenshtejn, nën programin ‘Writers in residence’)

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.