Entela Hidri

Çdo prind i ka sytë te fëmija i tij dhe ka shumë dëshira e ëndrra për të. Nuk ndalet prindi së investuari në çdo fushë që fëmija i tij të jetë ai që duhet për jetën e tij dhe për shoqërinë që na rrethon. Por a varet çdo gjë nga ne. A lexojnë fëmijët tanë si më parë? Pse ka heshtur dëshira që shkronjat të përpihen nga sytë vocërrakë: ç’është kjo makineri e përbindshme -internet që i përpin orë të tëra fëmijëve tanë të cilët s’ndalin kurrë së klikuari, luajturi e çekuari në faqe ku informacion pafund rrjedh në këto media sociale pa e kontrolluar, censuruar apo verifikuara askush.

Më qan zemra tek shoh adoleshentë të cilët ulen në cepa trotuaresh dhe në vend që të kenë në duar libra të fushave të ndryshme, mbajnë në duar telefona tw teknologjisë së lartë të cilët me multifunksionet e tyre inteligjente vdesin proccese të tëra të të menduarit dhe të meditimit.

Ju lutem prindër të mbarë botës, mos harroni: ne jemi modeli te i cili ata ngrenë ndërtesën e rëndësishme të personalitetit. Nëse ne gatuajmë, rrimë dhe lëvizim duke lundruar në internet kurrsesi nuk kemi për t’i parë ata me libra në duar.

Asgjë në botë se zëvendëson zhvillimin e imagjinatës sesa një libër i cili mbahet në duar dhe faqe pas faqeje ne bëhemi pjesë e rrëfimit të një autori që se kemi njohur kurrë por na duket në faqet e një libri sikur gjejmë vetveten dhe sikur ai na ka rrëmuar në skutat e trurit, sikur ka ngritur perdet e pluhurosura të memories dhe aty në ndërgjegjien tonë ka takuar shpirtin e lirë.

A kanë faj mediat në humbjen e rrugës së lexuesit adoleshent nga gjetja e librit?

Në fakt po. Media sot nuk e reklamon më librin si një çelës që hap portat e dijes, por diçka të humbur në kujtesën e paraardhësve të parë, që si një relike zë vend në bibloteka e mbuluar nga pluhuri i ketij shekulli.

Të lexurit është derë që ofron kënaqësi. Duke lexuar e gjejmë veten tek bëhemi të ndjeshëm dhe tolerant në të kundërt nga shikimi i një filmi aksion që mbjell vetëm dhunë. Në vend që këta fëmijë të edukohen me moral dhe vlera, ata modelohen me modele të showbizzit dhe televizionit, që në fakt më shumë se persona realë janë shpikje televizive.

Me dhimbje e them se libri është braktisur mënjanë. Por a ka mënyra për ta ringjallur atë?

Ju lutem të gjithëve ju që e përkundni fëmijën në djepet e dijes para se ata të futen në dyert e shkollave, prindër e nëna të dashura. Zgjidhni për fëmijën tuaj një libër që ai e dëshiron, kjo në varësi të dëshirave dhe prirjeve që ai ka. Bëjeni zakon që të lexuarit në familje në mënyrë të tillë që ti të lexosh në sytë e tij dhe që ti ta kontrollosh atë sa po lexon. Vër një rregull se sa orë në ditë do të lexoni në shtëpinë tuaj në grup, në mënyrë të tillë që kjo gjë të kthehet në një praktikë ditore ose javore, në varësi të mundësisë dhe të temperamentit të fëmijës suaj.

Dilema e fortë mbetet, pse s’lexojnë fëmijët tanë dhe si t’i kthejmë në dyert e leximit?

Do të doja vërtët të kishtë një recetë fikse nga e cila fëmijët tanë të mund të dilnin faqebardhë dhë të kthenin kokat nga i brendashkruari e emocionuesi libër, por kjo s’do të ndodhw derisa ne të mos ngrihemi një ditë të bukur dhe t’i themi jo shkatërrimit të fëmijëve tanë, dhe varësisë së tyre nga televizioni, nga internet, nga droga, alkooli, nga rrjetet sociale dhe nga të gjitha trended vetëshkatërruese të kohës. Një thirrje e pashpresë më rrjedh nga thellësija e shpirtit, a po rrisim të gjithë ne breza të tërë me të paaftë nesër për jetën për familjen dhe për shoqërinë.

Nganjëherë një faktor që e ndan një fëmijë nga të lexuarit është edhe pamundësija ekonomike. Shumë fëmijë mund të duan të lexojnë një libër të caktuar dhe se lexojnë dot, prandaj ne duhet të shtymë fëmijët tanë të lexojnë dhe të dhurojnë ose të japin hua libra të lexuara. Ose të krijohen rrjete biblotekash vullnetare në shkollë ose në lagje të cilat të mund të ofrojnë shërbimin e leximit në mënyrë të atillë që të gjithë të mund të lexojnë.

Një tjetër mënyrë e bukur janë kofishopet të cilat na mundësojnë të lexojmë dhe të argëtohemi me librin duke pirë kafe me fëmijët e me mikeshat tona.

Përpiqem pafund t’i ndërgjegjësoj fëmijët e mi që dyert dhe horizontet e jetës do t’jua hapë vetëm libri, por me ndihmën e Zotit dhe me forcat tona do t’ja dalim mbanë, po! do t’ja dalim mbanë.

Autorja ka mbaruar studimet 4-vjacare per Gjuhë dhe Letërsi si dhe Master në Redaktime Gjuhesore. Ajo ka shkrime të shumta të publikuara në revista të ndryshme, gazeta dhe portale online, me tematika sociale dhe fetare.

 

LEAVE A REPLY