Në librin e saj të ri “The Empathy Effect/Ndikimi Empatisë” Helen Riess sqaron se si mund ta mësojmë ndjeshmërinë (empatinë) dhe të kemi bashkëveprime më të mira shoqërore.

Është e vështirë ta shikosh dikënd duke vuajtur. Bashkë me ta e ndjejmë edhe ne dhimbjen e tyre apo absorbojmë pikëllimin e tyre; shqetësohemi në atë masë sa nuk dijmë çfarë të bëjmë apo të themi. Këto momente të pakëndshme mund të na shtyejnë që të largohemi nga shqetësimi i tyre – në mënyrë që ta ruajmë mirëqenien tonë dhe të vazhdojmë me jetët tona.

Mirëpo një qasje e këtillë është e gabuar, thotë psikiatri dhe studiuesi. Aftësia për t’u lidhur me të tjerët, t’i ndjesh ata, të kujdesesh për mirëqenien e tyre dhe të veprosh me dhembshuri – është vendimtare për jetët tona,  duke na ndihmuar që të bashkohemi, të punojmë më mirë dhe të lulëzojmë si shoqëri.

Ndërkohë që mjekët mund të mendojnë se shmangia e ndjenjave dhe krijmi i një distance emocionale u ndihmon atyre të jenë më objektiv duke u ofruar kështu kujdes më të mirë, nga ana tjetër studimi i Riess ka treguar se një veprim i këtillë ua humb pacientëve besimin, i bën ata të pakënaqur dhe më pak bashkëpunues. Dhe kjo si pasojë i bën të ndihen më të vetmuar, më pak efektivë dhe të stërngarkuar (raskapitur nga puna).

Si duhet të sillemi ne dhe mjekët në të tilla raste? Ushtroni ndjeshmërinë, thotë Riess. Të jesh empatik jo vetëm se ta përmirëson shëndetin, por gjithashtu rregullon edhe bashkëveprimet njerëzore në përgjithësi, thotë ajo.

Çka është empatia?

Shumica, empatinë (ta ndjesh dikë) e ngatërrojnë me simpatinë (të ndjesh keqardhje për dikë). Empatia përfshin aftësinë për të perceptuar ndjenjën e tjetrit (dhe për të njohur emocionet tona personale), ta përfytyrosh se pse dikush mund të ndjehet në një mënyrë të caktuar, dhe të merakosesh për mirëqenien e tyre. Në momentin kur empatia aktivizohet, veprimi i mëshirës dhe dhembshurisë është përgjigja më logjike e mundur.

Empatia shtrihet në pjesë specifike të trurit që zhvillon mundësinë e lidhjes emocionale me të tjerët dhe motivimin për t’u kujdesur. Kur e shohim dikë në dhimbje – atëherë edhe në trurin tonë ndizen shtigjet e dhimbjes, megjithëse në një shkallë më të ulët. Kjo është pjesa emocionale e empatisë – nganjëherë e quajtur rezonancë emocionale – të cilën shumica e mjekëve e injorojnë apo anashkalojnë, edhe pse një gjë e tillë vepron kundër instinktit të tyre të dhembshurisë, thotë Riess.

Megjithatë, nuk mund të mbështetemi vetëm në rezonancën emocionale. Ngase, një gjë e tillë priret të jetë më e fortë për njerëzit që janë të ngjashëm me ne, dhe për këtë arsye është problematike. Fatmirësisht, empatia gjithashtu ka një komponent kognitiv – një kuptim i asaj se ndjenjat tona mund të mos jenë të njëjta si të dikuj tjetër. Ndarja e pikëllimit tonë nga e tyrja na lejon ta qetësojmë çdo siklet që e ndjejmë, duke qëndruar kuriozë mbi atë çka janë duke kaluar ata.

“Duhet ta kuptojmë situatën nga perspektiva e fizike, psikologjike, sociale dhe shpirtërore e tjetrit,” thotë ajo.

Aspekti i tretë i empatisë është shqetësimi (brengosja) – “motivimi i brendshëm që i stimulon njerëzit për t’u përgjigjur dhe shprehur një kujdes urgjent mbi mirëqenien e personit tjetër.” Fatkeqësisht, një shqetësim i tillë dallon nga personi në person dhe se ndikohet nga faktorë të ndryshëm të mjedisit, si për shembull se sa shumë personi në nevojë ngjason me ty (apo fisin tënd).”

Kjo sugjeron se ndërkohë që empatia është një përgjigje e ndërtuar biologjikisht ndaj vuajtjes, akoma kemi nevojë për të punuar me të, po që se dëshirojmë ta përdorim atë në situata më të vështira.

Empatia mund të mësohet

Mund ta kemi të vështirë që të përqëndrohemi tek disa njerëz, por kjo nuk do të thotë se nuk mundemi t’i forcojmë muskujt tonë të ndjeshmërisë (empatisë), thotë Riess. Ajo sugjeron që të aftësohemi më shumë në perceptimin e emocioneve të të tjerëve, duke i mësuar teknikat e vetë-rregullimit për të mos lejuar që të mbingarkohemi nga një rezonancë e tepruar emocionale, dhe duke gjetur mënyra për ta inkurajuar perspektivën.

Kontakti me sy. Kontakti me sy me një nivel të duhur i bën njerëzit të ndjehen të dukshëm dhe u përmirëson komunikimin efektiv.

Muskujt në shprehjet e fytyrës. Si njerëz që jemi, në të shumtën e rasteve automatikisht i imitojmë shprehjet e të tjerëve pa e kuptuar fare këtë. Duke qenë në gjendje që t’i identifikojmë ndjenjat e tjetrit – shpesh pëmes strukturës apo stilit të muskujve të fytyrës, i reflektojmë ato duke ndihmuar kështu komunikimin e empatisë (ndjeshmërisë).

Trupi. Të ulurit në pozitë të shtrirë mund të tregojë mungesë interesi, hidhërim ose trishtim, ndërsa të ulurit drejt sinjalizon respekt dhe konfidencë.

Emocionet. Arritja e identifikimit të asaj se çka ndjen tjetri dhe ta emërtosh atë mund të na ndihmojë që ta kuptojmë më mirë sjelljen apo mesazhin që fshihet pas fjalëve të tyre.

Toni. Ajo sugjeron që të përshtatet zëri dhe toni i personit me të cilin je duke biseduar dhe, në përgjithësi, të përdoret një ton i butë që ta bëjë tjetrin të ndihet i dëgjuar.

Dëgjimi. Shumë shpesh, nuk e dëgjojmë njëri tjetrin në të të vërtetë, ndoshta për shkak të paragjykimeve ose thjeshtë nga shpërqëndrimi i madh dhe stresi. Një dëgjim empatik nënkupton parashtrim i pyetjeve duke u ndihmuar kështu njerëzve ta shprehin atë çka ndodh në të vërtetë dhe duke i dëgjuar pa paragjykime.

Përgjigja jote. Nuk është e rëndësishme ajo çka do të thuash më pas, por mënyrën se si ndjehesh me personin që je duke biseduar. Me apo pa vetëdije, ne përpiqemi që të sinkronizohemi emocionalisht me njerëzit, dhe se si e trajtojmë këtë, varet nga ajo se sa i kutpojmë dhe i pëlqejmë ata.

Përktheu: Hanife Alija Dauti

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.